Një grup bankash dhe operatorësh financiarë kanë krijuar një sistem me të cilin sigurojnë rimbursime fiskale të pajustifikuara. Duke u vjedhur miliarda euro vendeve të ndryshme europiane
Në komisariatin e Düsseldorf, dhoma e marrjes në pyetje është rreth 8 metra katrore, ka hekura nëpër dritare dhe xhamat aq opakë sa është e pamundur të shikohet jashtë. Në qendër të dhomës ndodhet një tavolinë e madhe në të cilën ulen 2 komisarë dhe 3 prokurorë. Po presin Benjamin Frey. Po hetojnë mbi mashtrimin më të madh fiscal të të gjitha kohërave, goditjen e shekullit, që i ka kushtuar miliarda euro vetëm Gjermanisë. Frey, një njeri tejet inteligjent me pamje të rreptë, është një prej të hetuarve kryesorë. I përkiste rrethit të mashtruesve. Bizneset e tij i kanë shkaktuar rreth 50 milion euro dëm shtetit gjerman. Për të shteti ka gjithmonë një armik, thotë. Tani është i ulur në dhomën e pyetjeve përballë përfaqësuesve të këtij shteti. Është 7 nëntori i 2016. “Kam kënaqësinë t’ju njoh personalisht”, debuton Anne Brorhilker, prokurorja titullare e hetimeve. Brorhilker është rreth të 40-ave, por duket më e re.
Është një lloj dedektivi Columbo femër: është e lehtë ta nënvlerësosh, por është e vështirë të çlirohesh prej saj. Prej vitesh heton dy lloje të veçanta operacionesh financiare, të njohur me emrat cum-ex dhe cum-cum, nëpërmjet të cilave janë plaçkitur arkat e shtetit, që ka paguar rimbursime të pajustifikuara tasash. Brorhilker gjuan bankierë, avokatë dhe konsulentë. Ka arritur të kontrollojë zyra dhe apartamente në të gjithë botën, edhe atë të Frey.
Prej numrit të të akuzuarve, hetimi i saj mund t’i japë jetë procedimit më të madh penal tributar të të gjitha kohërave. Brorhilker i mungon një dëshmitar kyç që të çajë frontin kompakt e mashtruesve. Të arrija t’ua demonstrojë fajësinë personave vetëm nëqoftëse Frey zbraz thesin. Në qendër të jetës së Frey kanë qenë gjithmonë paratë dhe ai tani e di shumë mirë se nuk mund t’ia blejnë lirinë. Rrezikon burgon, të paktën 7 vjet. Duke filluar nga ai 7 nëntor, Frey është marrë në pyetje për më shumë se një vit, disa seanca kanë zgjatur disa ditë dhe në total ka pasur më shumë se 10 të tilla.
Frey e ka quajtur si periudha më e keqe e jetës së tij. fillimisht ka pranuar vetëm atë që ishte detyruar të pranonte, por pas 6 muajsh e ka lënë të gjithë linjën dhe ka treguar. Frey ka qenë i pari i mashtruesve fiskalë që nga frika e burgut ka tradhëtuar bashkëpunëtorët, duke shpërthyer panikun. Tani bëhen të gjallë me Brorhilker mashtrues të tjerë, që nga ana e tyre duan të bëhen dëshmitarë kyç të hetimit.
Qysh në vitin 2017 Die Zeit, Zeit online dhe Panorama, një program i televizionit publik gjerman ARD, kishin folur për operacionet cum-ex e cum-cum, duke përshkruar plaçkitjen 10 vjeçare të shtetit të pafuqishëm gjerman nga ana e bankierëve avokatëve dhe konsulentëve. Skandali ka shpërthyer kur një punonjëse kokëfortë e Agjencisë së të Ardhurave ka refuzuar që të miratojë rimbursimet. Në vijim janë bërë të gjallë disa gazetarë danezë, duke shpjeguar se edhe në vendin e tyre kishte ndodhur një gjë shumë e ngjashme. Ka nisur kështu një hetim ndërkombëtar, që ka demonstruar se akrobatët e financës nuk kanë plaçkitur vetëm armat e shtetit gjerman, por i kanë shpëtuar ppara tatimeve të gjysmës së Europës. 19 gazeta nga 12 vende, midis të cilave Die Zeit, Zeit online, Panorama, agjencia e shtypit Reuters, e përditshmja franceze Le Monde, italiania La Repubblica, revista spanjolle online El Confidencial dhe televizionet publike të Danimarkës, Suedisë e Finlandës janë bashkuar nën drejtimin e qendrës kërkimore Correctiv për të hetuar lidhur me ngjarjen. Së bashku kanë shqyrtuar më shumë se 180000 faqe me emaila, dokumenta të rezervuara, kontrolle të brendshme bankash dhe studiosh ligjore, përveçse kanë intervistuar persona në dijeni të fakteve dhe kanë bërë hetime nën koperturë në botën e financës. Rezultatet e hetimit janë botuar me titullin Cum-ex-files. Mashtruesit kanë goditur në të paktën 10 vende europiane. Në disa, ngjarja është ende e panjohur për opinionin public. Dëmi i shkaktuar nga operacionet cum-ex dhe cum-cum është me të paktën 55.2 miliard euro. “Është mashtrimi më i madh fiskal i historisë europiane”, thotë Christoph Spengel, pedagog i së Drejtës Tributare në Universitetin e Mannheim.
Si kanë arritur t’i plaçkisin gjithë këto vende pa i ndaluar asnjeri? Cilat operacione mundësojnë që të spostohen para e prapa aksione që vlejnë miliarda euro në harkun e pak ditëve? Eksplorimi i botës së mashtrimeve fiskale është paksa sikur të zhytesh në thellësitë e oqeaneve: sa më shumë i afrohesh tabanit, aq më të pabesueshme bëhen krijesat që hasen. Të ashtuquajturat operacione cum-cum mundësojnë që të sigurohen rimbursime fiskale jo të duhura. Njerëzit që i realizojnë ngjajnë me peshqit famelikë grabitqarë që të kafshojnë një herë të vetme dhe për t’u ngopur me kaq.
Më poshtë ndeshen krijesa akoma edhe më agresive, ato të operacioneve cum-ex, me të cilat sigurohet një rimbursim i dyfishtë: mund të themi se të kafshojnë dy herë. Në fund, ku uji është më i errët, këto krijesa kanë arritur të riprodhohen me shpejtësinë e dritës. Ndërkohë janë zhvilluar edhe specie hibride e më pas variante edhe më agresive, për të cilat akoma nuk ka një emër. Të gjitha këto krijesa kanë një gjë të përbashkët: qëllimi i vetëm i tyre është që të plaçkisin arkat e shtetit dhe të fusin në xhep paratë e kontribuesve.
Për ta bindur Benjamin Frey që të zbrazë thesin, Brorhilker ka përdorur një metodë të FBI-së amerikane: pasi ka grumbulluar material në ngarkim të të hetuarve të veçantë, hetuesit e përdorin për t’i vënë nën presion. Të hetuarit janë të detyryar që të zgjedhin: nëqoftëse tregojnë, kthejnë çka kanë marrë dhe japin emrat e bashkëpunëtorëve, bëhen dëshmitarë kyç dhe ia hedhin me pak; nëqoftëse nuk e bëjnë, shkojnë në gjyq. Frey e shijon këtë metodë qysh nga ditë e dytë e marrjes në pyetje. Menjëherë Brorhilker dhe kolegët e saj i vënë përballë dokumenta që kundërshtojnë deklarimet e tij të një ditë më parë. Në vijim Frey do të deklarojë se prokurorja i kishte “ngjallur shumë frikë”. Aq sa në shkurtin e 2017 shkon në Dubai për 3 ditë, që të bindë mashtruesit e tjerë të zbrazin thesin, shpejt nga deklarimet e Frey fillon të dalë se Gjermania nuk është vendi i vetëm i plaçkitur. Por për Brorhilker, që është një prokurore gjermane, nuk është ky thelbi i hetimit. Në fakt gazetarët ndërkombëtarë që kryejnë hetimin duan ta takojnë Frey për të mësuar më shumë. pas traktativash të gjata arrijnë të sigurojnë një takim, me kusht që të mos përmendin emrin e tij: në fakt Frey quhet Frey vetëm në këtë artikull. E jep intervistën e tij të parë të gjatë në një atik në Këln. Përballë gazetarëve është një burrë 47 vjeçar, me vijë në mes dhe faqet e rruara, buzët mishtore dhe syzet mbi hundë. Por kjo fytyrë nuk është e tija. Frey mban maska, që dy trukuese ia kanë vënë në fytyrë për intervistën, e filmuar nga telekamerat. Mimika dhe e qeshura janë të tijat, por pjesa tjetër është bërë e panjohshme. Frey thotë se dëshiron të mbetet i pnjohur sepse ka frikë nga ish bashkëpunëtorët e tij. në realitet po ndërton ekzistencën e tij të re prej avokati dhe nuk dëshiron ta rrezikojë me historinë e mashtrimit fiskal. Intervista do të zgjasë 2 ditë. Frey do të shpjegojë edhe sesi ka mundur të ndodhë që është plaçkitur e gjithë Europa. Veç kësaj, do të japë emrat e kujt vjedh shtetet dhe do të flasë me ftohtësi për tregjet: këta njerëz janë akoma në gjendje të lirë.
Fshatar apo i papunë
Rrëfimi i Frey fillon në provincë. Në vendin ku është rritur, çdo fëmijë kur rritet “do të bëjë punëtorin, fshatarin apo të papunin”. Duke mos dashur ta pranonte fatin, regjistrohet në Jurisprudencë dhe diplomohet shkëlqyeshëm. Më pas një studio e madhe ligjore e fton në kuvendin e saj vjetor në madhështorin Queen Victoria and Albert Museum të Londrës dhe Frey shkon. Duan ta punësojnë. Në salat ku ekspozohet koleksioni i muzeumit ka tavolina të shumta me avokatë. 2000 të tillë, të ardhur nga e gjithë bota. Frey ngre kokën lart dhe sheh një kupolë të madhe. Është viti 2001, i duket se ka kapur qiellin me dorë. Menjëherë nis të punojë për studion ligjore dhe ditët e tij të punës zgjasin 12 dhe nganjëherë deri 14 orë: shpesh merret për lehtësimin e ngarkesës fiskale të klientëve të pasur. “Motoja jonë ishte: armiku është shteti”, shpjegon Frey. Nëse rastësisht i vjen në mendje se ka qenë pikërisht shteti ai që i ka financuar studimet e tij, e zhduk me shpejtësi mendimin. E di se dyshimet nuk i bëjnë mirrë karrierës. “Isha shumë lakmiqar”, thotë ai. “Sigurisht që nuk do të ishin konsideratat morale ato që do të më frenonin”. Më pas, në 2004, Frey takohet me Hanno Berger, që në Gjermani konsiderohej magjistari absolut i xhirimeve fiskale. Atij, bir pastori, provinciali Freu do t’i admirojë inteligjencën, formimin humanistik dhe njohjen e greqishtes e latinishtes. Frey përfshihet menjëherë në operacionet cum-ex të cilave Berger, sipas hetuesve, u kushtohet të paktën qysh nga 2006. Të dy punojnë krah për krah në katin e 32-të të Skyper, një kullë prej xhami në lagjen financiare të Frankfurtit. “Prej aty, njerëzit në rrugët të dukeshin mikroskopikë”, tregon Frey. “Ata njerëz ishin bota, ajo botë normale të cilës nuk i përkisnim më. Ne ndodheshim lart. Prapa dritares mendonim: “Ne jemi më dinakë, jemi gjeni dhe të gjithë jut ë tjerët jeni budallenj””.
Nga këndvështrimi i tyre, cum-ex është një goditje gjeniale. Nuk kufizohen më të paguajnë më pak taksa ose, më mirë akoma, të mos i paguajnë aspak: tani zhvasin parate e atyre që janë aq budallenj sa i paguajnë. Fillimisht, shteti gjerman as nuk e kupton plaçkitjen. Në vitin 2007 tenton për herë të parë që ta pengojë mashtrimin fiskal, por Berger dhe Frey e mundin në dinakëri dhe gjejnë një mënyrë të re për t’ia futur. Sistemet e tyre bëhen gjithnjë e më kompleksë, derikur në fundin e 2011 vendosin që të përdorin fonde amerikane pensionesh, që menaxhojnë aksione për miliarda euro. Është një plan i çmendur. Berger dhe Frey grumbullojnë miliona pas milionash. Por ka një ngecje: në Gjermani, operacioni cum-ex mund të kryhet vetëm një herë në vit, kur paguhen dividendët, zakonisht në ditët e para të vitit. “Kishim krijuar një makinë diabolike”, thotë Frey, “ama funksiononte vetëm në janar”. Shumë pak nga këndvështrimi i mashtruesve. “Kështu që kemi vendosur të sgpikim një që të funksiononte gjithë vitin”, shpjegon Frey. “Dhe për ta bërë u duhej drejtuar aksioneve të huaja”.
Jashtë vendit dividendët paguhen edhe 4 herë në viti. Kërkimet e gazetarëve ndërkombëtarë kanë bërë të shfaqet një vjedhje në nivel europian. Autoritetet e Belgjikës, Danimarkës, Austrisë, Norvegjisë dhe Zvicrës kanë konfirmuar, zyrtarisht ose gjysmëzyrtarisht, se vendet e tyre kanë qenë viktima të operacioneve cum-ex. Dokumentat dhe deklaratat e dëshmitarëve demonstrojnë se edhe në Spanjë e në Finlandë kanë qenë planifikuar operacione cum-ex. Por në Spanjë autoritetet as e konfirmojnë, as e hedhin poshtë, ndërsa autoritetet finlandeze nisen nga bindja se në vendin e tyre operacionet cum-ex nuk përfaqësojnë ndonjë problem. Por si në Spanjë, ashtu edhe në Finlandë, rimbursimet e thjeshta (domethënë operacionet cum-cum) gëlonin. Termi “rimbursime të thjeshta” ka një pamje të padëmshme, porn ë realitet këto operacione kanë prodhuar dëme të konsiderueshme edhe në Francë, Itali dhe Vendet e Ulëta.
Në thelb, cum-cum funksionon kështu. Aksionerët rezidentë në një vend kanë të drejtën e një rimbursimi fiskal pasi përveçse paguajnë taksa mbi fitimet, paguajnë edhe ato mbi dividendët. Kurse aksionerët e huaj nuk e kanë të drejtën e rimbursimit. Bankat kanë fituar me të dyja duart: blejnë aksionet e klientëve të huaj pak përpara pagimit të dividendëve dhe ua rishesin menjëherë më pas. Kështu, banka dhe klienti ndajnë rimbursimin e siguruar me mashtrim dhe shteti bëhet më i varfër. Në vetëvete, operacionet cum-cum nuk janë të paligjshëm. Por nëqoftëse kanë objektivin e vetëm e sigurimit të avantazheve fiskale, atëhere përbëjnë shkelje. Lidhur me këtë autoritetet gjermane, franceze dhe italiane e mendojnë në të njëjtën mënyrë. Spengel, pedagog i të Drejtës Tributare, mendon se cum-ex dhe cum-cum janë operacione pastërtisht tributare. “Për të kuptuar sesi veprohet, bankat, operatorët financiarë dhe juristët kanë studiuar sistemet fiskale e vendeve të ndryshme dhe më pas i kanë zhvilluar teknikat sipas vendit”. Spengel ka llogaritur se midis viteve 2001 e 2016 tatimet gjermane kanë lënë që t’u ikin të paktën 31.8 miliard euro. Nga Cum-ex-files rezulton se duhen shtuar të paktën 14.5 miliard në Francë, 4.5 miliard në Itali,1.7 miliard në Danimarkë, 201 milion në Belgjikë. Për sa u përket vendeve të tjera të përfshira, nuk ka as të dhëna zyrtare, as të dhëna të mjaftueshme të tregjeve. Është e vështirë të rindërtohet sesi dhe kur këto operacione janë përhapur në Europë. Qysh në vitet ’90 u realizuan operacione cum-cum në Gjermani, Francë dhe Itali, ndërsa operacionet cum-ex regjistrohen në Gjermani qysh nga 2001, në Zvicër qysh nga 2006 dhe në Danimarkë qysh nga 2012. Veç kësaj, reagimet e autoriteteve kanë qenë të ndryshme nga vendi në vend: Zvicra i ka penguar operacionet cum-ex qysh nga 2008, ndërsa Gjermania ia ka arritur vetëm në 2012 dhe në Danimarkë regjistrohen raste deri më 2017.
Në një mënyrë apo në një tjetër, thuajse të gjitha bankat kanë marrë pjesë në operacionet e mësipërme, përfshi bankat e mëdha amerikane të investimeve. Shumë kishin në repartet e tyre punonjës që në komunikimet e brendshme quheshin tax trader: me pak fjalë nuk bëhet fjalë për pak drunj të shtrembër, por për një fenomen që prekte të gjithë kategorinë. Frey flet për “krim të organizuar me xhaketë e kollare”: të gjithë e dinin se objektivi ishte të nxirrej një fitim nga xhepat e kontribuesve. E dinte kush ka marrë pjesë në operacionet duke zgjeruar huatë, kush blinte dhe shiste aksionet, por e dinin edhe bankat që nuk janë kufizuar në ruajtjen e aksioneve dhe investitorët që kanë vënë në dispozicion paratë e tyre”.
Ai indiani i fëlliqur
Protagonistët e kësaj vjedhjeje janë një grup operatorësh financiarë londinezë. Njëri prej tyre quhet Salim Mohamed. E ka nisur duke punuar për bankën amerikane të investimeve Goldman Sachs. Më pas ka kaluar në një fond spekulativ dhe, në një moment të caktuar, ka nisur të bashkëpunojë me Berger dhe Frey. Në fillim ishin dakord, tregon Frey, por më pas, në vitin 2009, Mohamed ka dalë më vete, duke tentuar që të mbajë për vete pjesën më të madhe të fitimeve, dhe të tre janë zënë keq. Qysh nga ai moment, Berger i është referuar gjithmonë Mohamed duke e quajtur “ai indiani i fëlliqur”. Ky është të paktën version që Frey i ka dhënë Brorhilker. Kurse Berger e mohon në fakt që të ketë bashkëpunuar ndonjëherë me Mohamed dhe thekson se ka folur me të vetëm “një apo dy herë”. Aktet e hetimeve dhe dokumenta të tjera tregojnë që EQI, kompania e Mohamed, nuk trajtonte ekskluzivisht aksione gjermane, por edhe aksione spanjolle, austriake, belge dhe finlandeze. Për shembull, në vitin 2010, nëpërmjet një kompanie malteze, EQI ka blerë 6.9 milion në aksione të Endesa, kompani elektrike spanjolle, dhe një vit më pas, nëpërmjet një fondi irlandez, ka blerë 10.6 milion në aksione të Telekom Austria. Fondi irlandez ka kërkuar rimbursime fiskale në Gjermani, Spanjë, Austri, Belgjikë e Finlandë: pse vallë të plaçkitet një vend nëse mund të bëhet më shumë? kur bëhet fjalë për të identifikuar emigrantët apo për të ndarë informacione lidhur me terroristët, Bashkimi Europian databaza që mbulojnë të gjithë territorin europian, kurse për operacionet fiskale nuk ka asgjë të ngjashme. Kur i kemi kërkuar Komisionit Europian nëse ka pasur diskutime në nivel komunitar lidhur me operacionet cum-ex, cum-cum apo të ngjashme, përgjigja ka qenë: “Fusha në fjalë është kompetencë e shteteve të veçanta”. Por autoritetet fiskale e vendeve të veçanta mendojnë parasëgjithash për veteveten dhe praktikisht nuk komunikojnë midis tyre: kush di diçka, sigurisht që nuk shkon ta tregojë andej këtej. Nëqoftëse nuk bëhen pyetje eksplicite, nuk mësohet asgjë. Akoma sot, Berlini mendon se operacionet cum-ex janë një problem ekskluzivisht gjerman. Sipas Michael Sell, që sot është në pension, por verën e kaluar drejtonte Departamentin Fiskal të Ministrisë së Financave, këto operacione janë dukshëm të paligjshme, aq sa të flitet për “krim të organizuar”. Por nga pikëpamja e tij, një modifikim legjislativ i futur në 2012 në Gjermani e ka zgjidhur problemin, duke paraqitur një sistem të ri pagesash të tatimit mbi të ardhurat nga kapitali në mënyrë që të bëhen të pamundura operacionet cum-ex.
Në zyrë, Sell ka një hartë të madhe botërore gjeografike: të gjitha vendet me të cilat Gjermania ka nënshkruar një marrëveshje kundër taksimit të dyfishtë (për të eliminuar domethënë taksimin e dyfishtë apo të pasurisë të rezidentëve respektivë) evidentohen me protokalli. Megjithatë nuk i ka shkuar kurrë në mendje se shumë prej këtyre vendeve mund të jenë edhe ato viktima të mashtruesve. Ministria e Financave gjermane e ka refuzuar autorizimin për ta botuar intervistën me Sell: kufizohemi të themi se nga biseda ka dalë që ministria e injoronte dimensionin europian të operacioneve cum-ex. Organizmi i vetëm që impenjohet për një shkëmbim sistematik informacionesh në nivel ndërkombëtar është Organizata Ndërkombëtare për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik (OCSE), që përmbledh vendet e mëdha të industrializuara. Në 2007 OCSE-ja ka krijuar Aggressive Tax Planning Directory, një databazë që i mundëson çdo shteti të organizatës që t’u sinjalizojë të tjerëve mashtrimet fiskale. Por sipas Achim Pross, përgjegjësit të projektit, databaza ka kuptim vetëm nëqoftëse konsultohet dhe azhurnohet me rregull. Dhe është pikërisht këtu që ngec muhabeti. Kërkimi i termit cum-ex prodhon një rezultat unik, një sinjalizim gjerman të 2015, kur Ministria e Financave gjermane ishte në korrent të këtyre operacioneve qysh prej 13 vitesh dhe i kishte penguar 3 vite më parë. Ministria nuk e hedh poshtë që i ka paralajmëruar partnerët vetëm në 2015, por nënvizon edhe se “në të kaluarën shtete të ndryshme, disa prej të cilëve kishin bërë kërkesë, qenë informuar për qasjen gjerman ndaj operacioneve cum-ex”. Por njoftimi gjerman i arrin partnerët europianë kur tashmë qenë plaçkitur. Kanë ardhur sinjalizime edhe nga vende të tjera: nga Irlanda, nga Spanja dhe deri nga Australia e largët. Përshkruajnë operacione identike apo të ngjashme me ato cum-cum, por përdorin terminologji të ndryshme, duke i komplikuar më tej aksionet e luftimit të tyre. Operacionet marrin vazhdimisht forma të reja. Për shemvull, vetëm gjatë marrjeve në pyetje, Frey vihet në dijeni të një metode të përdorur nga Salim Mohamed dhe mbetet pa fjalë për 5 minuta të mira. “Isha i shastisur”, rrëfen ai.
Si të kërkosh ar
Të bësh një operacion cum-ex është si të kërkosh ar: duhen kaluar në sitë sasira të mëdha dheu për të siguruar një grimcë. U duhet kërkuar bankave hua milionëshe apo deri miliardëshe. Salim Mohamed ka gjetur një zgjidhje alternative, të ashtuquajturën looping. Bëhet fjalë për të qarkulluar aksionet në mënyrë aq të shpejtë sa që të përfundojnë për dukur shumë më tepër nga sa janë në realitet. Në këtë mënurë me një veprim të vetëm mund të sigurohen 3, 5 apo 10 certifikata për të kërkuar rimbursimet fiskale. Sipas deklarimeve të bëra për Brorhilker nga një prej të akuzuarve, looping është përdorur në operacionet në dëm të Gjermanisë qysh nga viti 2009. Mohamed i injoron tentativat tona të kontaktit. Por duket se ia kalon mirë: në 2015 ka marrë pjesë me rezultate të mira në Poëerman, një garë vrapimi dhe çiklizmi që mbahet në Zoingen të Zvicrës. Emri i tij shfaqet edhe në uebsajtin e Esher Church School, një shkollë fetare në Kontenë Surrey, në jugperëndim të Londrës. Mashtruesi fiskal Mohamed është pjesë e këshillit administrativ të shkollës. Asnjë prej personave të përfshirë në këtë aferë aktualisht nuk është i arrestuar, por nuk është e thënë se gjërat nuk mund të ndryshojnë. Hetimet e Brorhilker prekin më shumë se 100 persona, midis të cilëve edhe Salim Mohamed. Qysh këtë vit, Brorhilker mund të procedojë me inkriminimet e para. Por prokurorja ka një kundërshtar, që i ngujuar midis maleve zvicerane, po përgatit një strategji mbrojtëse që rrezikon sa hap e mbyll sytë punën që ajo po bën prej vitesh. Është Hanno Berger, ish mentori i dëshmitarit kyç Frey. Kur në fund të 2012 është kontrolluar një studio, Berger ka shkuar në Zvicër, ku jeton me gruan dhe nipin në një shtëpi përballë një teleferiku dhe vazhdon të ndjehet në të drejtë. I ulur në një tavolinë të drunjtë është në gjendje të ligjërojë për orë të tëra lidhur me operacionet cum-ex, duke theksuar se janë jashtëzakonisht të ligjshme. Sipas tij, problem është shteti, që i persekuton padrejtësisht njerëzit. Në përgjimet telefonike arrn deri të flasë për “një fushatë asgjësimi”.
Edhe Berger është hetuar prej vitesh, por pavarësisht pamjes së lodhur ka vendosur që të luftojë: të mbrojturit është bërë objektivi kryesor i jetës së tij. në thelb, çështja ka të bëjë me një prej fondeve të pensionit më të çuditshëm amerikanë të përdorur në operacionet cum-ex. Quhet KK Law Firm Retirement Plan Trust dhe në vitin 2011 i ka kërkuar një rimbursim fiskal Agjencisë së të Ardhurave gjermane, por kjo e fundit, duke dyshuar për mashtrim, ia ka refuzuar. Atëhere KK Law ka ngritur një padi për 28 milion euro. Por sipas Agjencisë së të Ardhurave, fondi nuk i ka derdhur asnjëherë taksat që kërkon t’i rimbursojë. Nuk është thjesht pafytyrësi: kjo çështje rrezikon që të sabotojë të gjithë procedimin penal të ngritur nga Brorhilker. Berger ka kërkuar të bindë titullarë të ndryshëm të fondeve të pensioneve që të marrin pjesë në padi, por pjesa më e madhe e tyre ka refuzuar, dhe në një përgjim telefonin Berger arrin deri sat ë quajë “trap” menaxhuesin e një fondi. Në fund padia është ngritur vetëm nga fondi i pensioneve KK Law, tek i cili Berger ka punuar si konsulent. Bëhet fjalë për një proces të kushtueshëm, duke qenë se duhen paguar avokatët më të mirë në treg. Kështu, për të financuar betejën ligjore, është ngritur një fond tjetër milionësh, ku sipas deklaratave të dëshmitarëve kanë kontribuar mashtrues të ndryshëm fiskalë. Berger mendon se në rast se gjykata do t’i jepte të drejtë KK Law, atëhere operacionet cum-ex do të deklaroheshin legale. Edhe Spengel e sheh kështu: “Një fitore e KK Law do të ishte një goditje e rëndë ndaj mundësisë për të ngritur padi gjyqësore ndaj operacioneve cum-ex”. Ka mundësi që vendimi do të merret në fillim të 2019.
Garda e vjetër e operacioneve cum-ex po Lufton betejën e saj të fundit. Por çfarë ka ndodhur me dishepujt e saj? Janë akoma në qarkullim? Në tentativën për ta zbuluar, dy gazetarë vendosin që të imitojnë Felix dhe Otto: Felix është pinjolli arrogant i një familjeje miliarderësh, që për arësye fiskale e ka rezidencën në Zvicër. Në mjedis ata si ai i quajnë young guns (talente të rinj): objektivi i tij është që t’i demonstrojë familjes se është në gjendje të menaxhojë miliona duke bërë afera me fitime stratosferike. Përkrah tij është Otto, vëllai për babë më i madh se ai: është gjithmonë skeptik dhe vigjëlon me sy të vëmendshëm ndaj pasurisë familjare. Disa vite më parë, Felix dhe Otto bëne biznes mirë me operacionet cum-ex dhe cum-cum. Tani do të do donin të rifuteshin në lojë me një investim milionësh. Felix dhe Otto kanë marrë një sinjal nga Dubai. Nëpërmjet një letterbox company (një kompani fantazëm), vihen në kontakt me një operator financiar dhe organizojnë një takim në Londër. Marrin me qira një suitë në katin e 37-të të Shard Tower për 2500 euro. Dritaret e gjata deri në dysheme shikojnë djathtas nga Tower Bridge dhe majtas nga St. Paul Cathedral. Për t’i bërë të besueshëm të dy personazhet, Felix mban në dorë një orë Breitling, kurse Otto është veshur nga koka deri tek këmbët me krijimet e një kompanie të famshme rrobaqepësie për meshkuj gjermane.
Takimi është fiksuar për në orën 14. Në orën 13 e 51 bie zilja e telefonit: operatori ka ardhur përpara kohe. Felix dhe Otto e bëjnë të presë dhe dërgojnë asistenten e tyre (në të vërtetë gruaja e një kolegu) ta marrë pas 15 minutash. Poshtë është një nxënës i Sanjay Shah, njeriut që ka ditur të shfrytëzojë maksimalisht potencialitetin e operacioneve cum-ex. Ka që e konsideron si mbretin e mashtruesve fiskalë dhe duket se vendet europiane të dëmtuara nga operacionet e tij kanë qenë më shumë sesa një: mbi të gjitha Danimarka, të cilës operacionet e tij i kanë kushtuar 1.3 miliard euro. Një shifër e madhe edhe për Frey, që flet thuajse më adhurim për britanikun Shah. Frey dhe Berger nuk kanë bashkëpunuar kurrë me të: e konsideronin tejet të “dyshimtë”. Deri midis mashtruesve fiskale ekzistonin tabù, edhe pse sigurisht që nuk kishin natyrë morale: bëhej fjalë për të kufizuar rreziqet. Kurse Shah nuk njihte kufij. Sipas Frey, kishte “tipare autistike”. Në vitin 2011 Shah ka pasur idenë që ta transformojë fondin e tij spekulativ “Solo Capital” në një lloj kompanie për operacionet cum-ex. Nxirret nga një document 14 faqësh që e ka shkruar me dorë për një prej konsulentëve të tij. Normalisht, një operacion cum-ex duhet të përfshijë partner të ndryshëm: banka, operatorë burse dhe ndërmjetës të tjerë financiarë. Por Shah donte që t’i bashkangjiste funksione në mënyrë që të mos i duhej t’i ndante fitimet me asnjeri dhe kështu që është bërë bashkëpronar i Bankës Varengold në Hamburg. Sipas Frey, me këtë sistem Shah praktikisht mund të certifikonte vetë kryerjen e pagimit të taksave. “He only used a printer”, i mjaftonte një pronter, thuhej në ambient. Sulmi i Shah ndaj Danimarkës ka filluar më 2012, pikërisht në vitin ku Gjermania ka arritur të pengojë operacionet cum-ex. Danimarka e ka kuptuar atë që po ndodhte vetëm më 2015, pas sinjalizimit nga ana e autoriteteve britanike.
Ndërkohë, Shah është tërhequr prej disa kohësh në Dubai, në arqipelagun artificial Palm Islands, ku posedon apartamente të ndryshme. Organizon festa në jahtin e tij luksoz dhe për eventet e tij të bamirësisë fton në Dubai yje popi të kalibrit të Lenny Kravitz dhe Snoop Dogg. “Këdo që merrej me këto lloj operacionesh e kam konsideruar gjithmonë si të lojtur”, thotë Frey. Sikur Gjermania t’i kishte paralajmëruar prej kohësh, ka mundësi që danezët nuk do të ishin plaçkitur. Tashmë Shah nuk mund ta lërë Dubai. Prokurorët nga e gjithë Europa – danezë, norvegjezë, belgë, britanikë dhe gjermanë – po hetojnë lidhur me të. Kur në shkurtin e 2017 Frey ka provuar ta bindë që të zbrazë thesin, Shah nuk arrinte të kuptonte se çfarë donin gjermanët. “Po sikur u kam zhvatur vetëm 50 milion” do të thoshte. Shah nuk u përgjigjet pyetjeve të shkruara që i dërgojnë gazetarët. Në qiellgërvishtësen londineze një prej dishepujve të tij po hyn në apartamentin suitë. Është rreth të 30-ave, brun dhe këmishë të bardhë. Ka me vete një prezantim të lidhur. Fillimisht Felix, pinjolli arrogant miliarder, e injoron duke u shtirur sikur po këshillon një bashkëpunëtor në telefon. Pastaj Felix e Otto kërkojnë ta bëjnë të flasë: del se ka nisur menjëherë pas diplomimit, duke punuar për Maple Bank, që me operacionet cum-ex ka zhvatur qindra million. Pastaj ka kaluar në fondet speculative të Shah, duke zbuluar edhe “anët e errëta të biznesit” dhe duke ndërtuar një rrjet marrëdhëniesh. Ia ka dalë në kohë që të shpëtoja nga vënia në shënjestrën e hetuesve. Tani po kërkon të ndërtojë një rrjet të ri. Felix është i kënaqur. Në të kaluarën familja e tij ka pasur përvoja të mira me operacionet cum-ex dhe tani do të donte një mundësi për t’u rifutur në treg. “Çfarë na propozon?”.
Përpara se të rifillohet
Nxënësi i Shah shfleton prezantimin që ka marrë më vete. “Nuk më pëlqen që t’i quaj operacione cum-ex apo cum-cum”, thotë ai, por operacionet që po përshkruan nuk duken ndryshe. Më pas prezantimi do t’i nënshtrohet shqyrtimit të Gerhard Schick, deputet dhe ekspert finance i të Gjelbërve gjermanë, që do të japë të njëjtin interpretim: “Më duket një vazhdim i drejtpërdrejtë i operacioneve cum-ex dhe cum-cum”. Por nxënësi i Shah preferon që t’i quajë corporate action trading. Tri “tregjet kryesore” do të ishin Franca, Italia dhe Spanja. Por ka mundësi të operohet pa probleme edhe në Norvegji, Finlandë, Poloni dhe Republikën Çeke: prova tashmë është bërë. Njeriu citon kontakte me bankat e mëdha të investimeve, që sigurisht nuk janë tërhequr nga afera. Po Gjermania? “Për momentin, duke parë situatën gjermane”, shpjegon nxënësi i Shah, “do të prisja të paktën një vit përpara se të rifilloja. Sigurisht, ka nga ata që operojnë akoma në Gjermani, mos më keqkuptoni, kanë të gjithë të drejtën, por unë do të prisja një vit tjetër”. Por a nuk janë ndaluar operacionet cum-ex dhe cum-cum në Gjermani? Nxënësi i Shah qesh. “Ndalimet mund të anashkalohen”. Vazhdon të flasë për çështje teknike derikur Otto nuk i thotë: “Hajde, mos e përdridh kot muhabetin, paratë vijnë nga taksat”. “Natyrisht”, përgjigjet nxënësi i Shah.
(Manuel Daubenberger, Karsten Polke-Majewski, Felix Rohrbeck, Christian Salewski e Oliver Schröm për Die Zeit)
Përgatiti
ARMIN TIRANA