Një denoncim i shpërndarë për mediat në fillim të gushtit të vitit të kaluar paralajmëroi një skandal thuajse të pabesueshëm, në lidhje me cënimin e të dhënave sekrete që zotëron policia nga vetë drejtuesit e saj.
Fakti që denoncimi u shpërnda përmes një e-maili anonim hidhte dyshime mbi vërtetësinë e tij, por informacione konkrete që përmbante dokumenti raportonin për një akt të pastër kriminal në zyrat e shtetit nga shefat e porsaemëruar të policisë. Sipas këtij e-maili të shkruar nga një dëshmitar okular i krimit në fjalë, Drejtori i Departmentit te Teknologjise se Informacionit ne Policine e Shtetit Ervin Muça kishte nxjerrë jashtë zyrave të policisë nëpërmjet një USB bazën e të dhënave të TIMS.
Tetë muaj më pas, prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e Ervin Muçës, drejtori i IT në Ministrinë e Brendshme të drejtuar nga Taulant Balla. Sipas prokurorisë, Muça akuzohet se në 2 Gusht të vitit 2023 “në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”.
Pozitat e Ervin Muçës rëndohen edhe nga fakti se në vitin 2007, në Itali është raportuar për falsifikim të dokumentave. Përveç kësaj, rezulton se Muça mbante edhe një punë tjetër si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Presioni nga ambasada amerikane për Taulant Ballën
Siç dihet pjesë e TIMS janë hyrje-daljet e personave, dokumentat biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista e terroristëve, gjobat e makinave, informacion territorial sekret etj.
Fillimisht, thuhej në e-mailin anonim vartësit e Ervin Muçës, drejtor i Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, i sapoemëruar në detyrë nga ministri Taulant Balla refuzuan t’i binden urdhrave të tij të paligjshëm. Fill pas kësaj nxjerrja e të dhënave është kryer nga bashkëpuntorë të tij të jashtëm.
Denoncimi kaloi tangent në media, për shkak të pamundësisë për të konfirmuar vërtetësinë e lajmit. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk patën asnjë reagim.
Gjithçka do kalonte në heshtje sikur në zyrën e Ministrit të Brendshëm, Taulant Ballës të mos shfaqej i ngarkuari me punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell me një kërkesë konkrete. Shqetësimi i ambasadës amerikane ishte se ndërhyrjet e raportuar në sistemet TIMS mund të cënonte punën e agjentëve amerikanë që veprojnë dhe punojnë në vendin tonë.
I dërguari me punë i ambasadës amerikane në takim me Taulant Ballën
McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm për nxjerrjen e të dhënave të policisë dhe siguroi Taulant Ballën se për amerikanët mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive është shumë e rëndësishme. Takimi u pasua me lëvizjen e shpejtë të AMP, Agjencia e Mbikqyrjes Policore që njoftoi nisjen e hetimeve.
“Kallëzimi i AMP vjen pak ditë pasi ambasada e SHBA ngriti shqetësimin për rrjedhjen e të dhënave” pranoi AMP në një njoftim publik në muajin gusht të vitit të kaluar.
Mbrojtja e dyshimtë e Ervin Muçës nga Rama dhe Balla
Kjo nuk do të ishte hera e parë që Ervin Muça përfshihet në një skandal për vjedhjen e të dhënave sensitive. Në fillim të vitit 2022, emri i tij shfaqet në hetimet e rrjedhjes së listës së pagave në dosjen hetimore të prokurorisë së Tiranës.
Ervin Muça ishte shefi i dy specialistëve të IT në tatime, që u dënuan për shitjen e listës së pagave. Ai u përfshi në hetimet e prokurorisë, por siç duket doli pa u lagur dhe u rikthye si Drejtor i Departmentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, menjëherë sapo ministër u emërua Taulant Balla.
Pas denoncimit në media të vjedhjes së të dhënave të TIMS, Muça mohoi ndërhyrjet duke i quajtur “gomerë” ata që e akuzonin. Sipas tij, vjedhja e të dhënave nga TIMS me një USB ishte e pamundur dhe se ndërhyrja që ai kishte kryer ishte thjesht një “back-up” që sistemi të mos binte si në rastin e sulmit nga iranianët.
“Puna ime, nuk ka kaluar kurrë asnjë milimetër përtej përgjegjësive që më ngarkon detyra, e jo më të bëhem aktor filmash 007 me “vjedhje” materialesh mijëra TB në USB xhepi. Duhet të jesh shumë injorant ta shkruash këtë, dhe kush e di sa injorant të ndërtosh skenarë të tillë” shkruante Muça.
Hamendësimet e para ishin se qëllimi i vjedhjes së të dhënave nga drejtori për teknologjinë në Ministrinë e Brendshme ishte shitja e këtyre të dhënave tek bandat kriminale. Por kur atë e morën në mbrojtje Taulant Balla dhe Edi Rama, çështja mori nuanca politike dhe u pa si një “punë e brendshme” e qeverisë.
“Dua të garantoj se të dhënat e çdo qytetari në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura. Nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem. I fortifikuar dhe falë mbështetjes së partnerëve” shprehej Balla në tetor të vitit të kaluar gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Çështjeve Europiane.
Garancia që jepte Taulant Balla bëhej pas kërkesës së ambasadës amerikane për të hetuar dhe pasi Agjencia e Mbrojtjes Policore çoi materialet në prokurorinë e Tiranës për hetime. Balla ndërkohë i dilte për zot kësaj çështjeje, duke u bërë mburojë e Ervin Muçës.
“Në aspektin tim si ministër i Brendshëm nxis që të hetohen çdo rast nga prokuroria. Rezulton se nuk ka pasur asnjë kopjim apo rrjedhje. Kur kthehet balta në piedestal, flitet për përdorim të të dhënave. Kjo është e pamundur!” shprehej ministri në po të njëjtin komision.
Pas Ballës, avokat i Ervin Muçës u bë edhe kryeministri Edi Rama.
“Është e gjitha një histori e nxjerr dhe e manipuluar nga njerëz që kanë humbur praktikisht pushtetin mbi ato të dhëna në Policinë e Shtetit. Hetimi i brendshëm është kryer I plotë dhe ska asnjë shqetësim. Nuk jam në dijeni të ndonjë deklarate të ndonjë ambasadori i SHBA, sepse s’kemi ambasador amerikanë për momentin në vendin tonë, por nuk jam në dijeni të kësaj dhe nuk e kuptoj pse i dërguari me punë nga SHBA duhet të bëjë një deklaratë të tillë. Me ta kemi komunikim të vazhdueshëm dhe kemi dhënë të gjitha sqarimet dhe ska asgjë. Ajo ngjarja e rëndë ska ndodhur se ska patur as mundësi të ndodhi, në përpjekje për të bërë backup, ka dalë që ska fare back up. Është problem teknik i brendshëm. Ata janë monitoruar hetimi është bërë dhe nuk ekziston”, theksoi Rama gjatë një konference në kryeministri.
Avokatia që i bënë publikisht Ervin Muçës, ngre disa pikëpyetje. A ishte vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS një operacion i krimit me pushtet? Pse duhej të përfshihej kryeministri në mbrojtjen e një drejtori që po hetohej nga policia dhe që kishte një precedent në rrjedhjen e të dhënave personale? Cili ishte qëllimi i eksportimit të të dhënave të sistemit TIMS? Hetimi tani është zgjeruar, pasi opozita ka ngritur një komision hetimor për skandalin që përfshiu Ministrinë e Brendshme dhe ku opozita kërkon dëshmi si nga Taulant Balla, ashtu edhe nga Edi Rama./Lapsi.al