Rruga e Arbrit, 6 herë më shtrenjtë se kostot reale
Qeveria e miratoi kontratën me kompaninë Gjoka Konstruksion, për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik – Privat vitin e kaluar në mars. Vendimi i qeverisë dhe më pas kontrata e plotë që u botua në Fletoren Zyrtare nuk e përmban vlerën e plotë të financiare të saj. Kontrata është e shoqëruar edhe me 12 anekse ku saktësohen preventivat e sakta, por ato nuk janë publikuar sot e kësaj dite, dhe ka kaluar më shumë se një vit që është në zbatim.
Kompania Gjoka u përzgjodh fituese për ndërtimin e Rrugës Arbrit nga Ministria e Infrastrukturës kundrejt një vlere investimi prej 33,7 miliardë lekësh ose 260 milionë euro. Por kjo është vetëm vlera e investimit pa llogaritur TVSH,
Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se financimi i plotë i Rrugës së Arbrit është më shumë e lartë për shkak se buxheti i shtetit ka financuar tashmë 20 kilometra të saj me fonde buxhetore.
Duke përfshirë edhe TVSH-ne, e cila nuk është përfshirë në vlerën e kontratës dhe fondet buxhetore të pguara tashmë vlera e financimit të saj i kalon mbi 300 milionë eurot. Rruga e Arbrit është e kategorisë C2, me gjatësi 75 kilometër, ku 20 kilometra janë financuar me fonde buxhetore. Sipas kostove të reja të Bankës Botërore, një rrugë interurbane e kategorisë C kushton 1 milion euro për kilometër. Qeveria shqiptare do të harxhojë pesëfishin, pasi për 1 kilometër të saj qeveria do ta paguajë kompaninë Gjoka me 6 milionë euro.
Rruga e Arbrit, e cila lidh Tiranën me Maqedoninë nëpërmjet Dibrës, nisi si ide në vitin 2008.
Projekti i propozuar ishte një rrugë e tipit C, me gjerësi 7 metra, kostoja totale e të cilit fillimisht u llogarit 150 milionë euro, për shkak të punimeve të vështira në një terren malor me shumë tunele.
Për shkak se të gjitha studimet e nxorën rrugën jo fizibël, qeveria nisi ndërtimin e saj me fondet e veta, mirëpo kriza e vitit 2008 dhe shpenzimet e larta për Rrugën e Kombit kufizuan mundësitë për të ndërtuar Rrugën e Arbrit, edhe pse disa segmente të saj rreth 20 kilometra, kanë përfunduar, ndërsa pjesa më e vështirë me tunelet brenda mbeti e papërfunduar.
Duke parë vështirësitë e financimit të rrugës, inxhinieri i njohur Faruk Kaba i kishte propozuar qeverisë shqiptare një variant për të ndërtuar kilometrat e mbetura me vetëm 70 milionë euro. Mirëpo propozimi i zotit Kaba nuk është marrë parasysh, i cili është një nga ideatorët e projekteve më të mëdha rrugore në vend. Nga një projekt që kishte mundësi të ndërtohej me 70 milionë euro, Rruga e Arbrit do të ndërtohet për më shumë se 460 milionë euro.
Studimet e mëparshme kanë nxjerrë jo fizibël Rrugën e Arbrit për shkak të trafikut dhe me leverdi ndërtimin e boshtit të qendrës nëpërmjet aksit Thumanë-Kashar, ku lëvizjet parashikohen në 11 mijë mjete në ditë. Mirëpo ekspertët e ekonomisë dhe inxhinierët e rrugëve hedhin dyshime mbi kthimin e investimeve në këto rrugë për shkak se, kostot janë shumë të larta dhe se rrugët nuk janë të azhurnuara me ndonjë prioritet zhvillimi, shprehet inxhinieri Arben Meçe.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë që po jep koncesionet me kosto të larta, nuk po shpjegon leverdishmërinë me shifra të këtyre investimeve, për sa vjet do të kthehen investimet dhe se sa do të rritet ekonomia e vendit nga këto investime. Zoti Meçe thotë se qeveria ka ndërmarrë investimet nëpërmjet paktës 1 miliard, më shumë për të krijuar një imazh se po punohet se sa nga një analizë e përfitimeve. Sipas tij, fakti se investime kaq të mëdha po bëhen njëherazi, do t’i kushtojë vendit dhe shqiptarëve shumë shtrenjtë në të ardhmen.
Inxhinierët me përvojë, në kushtet e anonimati, pohojnë se me çmimet e paketës së koncesioneve “One Billion” nuk mund të bëhet fjalë për analizë kosto-përfitim. Pasi balanca e përfitimeve shifrore nuk i justifikon këto shpenzime.
“Monitor”