Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi ofertat e tenderit për ndërtimin e unazës së re, në segmentit që përfshin rrethrrotullimin e shqiponjës. Top Channel ka mësuar se në garë kanë marrë pjesë 8 kompani, ofertat e të cilave kanë variuar nga 14 deri në 18 milionë euro.
Sipas burimeve nga Autoriteti Rrugor, ofertën më të ulët për ndërtimin e nyjës e ka paraqitur kompania Alb Building me 1.72 miliardë lekë ose 14 milionë euro. Më pas renditen 6 kompani të tjera, Salillari, vëllezërit Hysa, 2T, Gjoka, Curri dhe Gener 2, ofertat e të cilave kanë variuar nga 14.5 deri në 18 milionë euro.
Megjithatë kjo është renditja vetëm sipas ofertave ekonomike. Ditët në vijim autoriteti rrugor do të shqyrtojë dokumentacionin për të parë se cilat nga kompanitë përmbushin kriteret dhe cilat s’kualifikohen.
Ky është tenderi i tretë për rrethrrotullimin e shqiponjës, por tashmë me një projekt të ndryshuar. Projekti i parë që parashikonte ndërtimin e mbikalimit u tenderua dy herë. Tenderi i parë u fitua nga kompania fantazmë “Dh Albania” me një vlerë 20 milionë euro, aq sa fondi limit, por pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve qeveria u detyrua ta anulojë kontratën.
Në tenderin e dytë kostoja e ndërtimit zbriti ndjeshëm deri në 14 milionë euro, por autoriteti rrugor i s’kualifikoi të gjitha ofertat si të pavlefshme. Menjëherë pas anulimit të garës së dytë, ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të ndryshonte projektin teknik të veprës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.