Vjedhje me mbifaturimet nga OSHEE, revoltë në Prrenjas

Vjedhja masive me mbifaturimet e energjisë elektrike ka ngritur në revoltë qytetarët dhe pronarët e lokaleve në qytetin e Prrenjasit. Banorët e Prrenjasit bëjnë të ditur se, faturat e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe bizneset për muajin qershor kanë ardhur dyfish në krahasim me një muaj më parë. Sipas banorëve, ndonëse harxhimi i energjisë ka qenë i njëjtë janë bërë mbifaturime për të mbushur arkën e OSHEE. “Unë harxhoj 11 mijë lekë të vjetra energji elektrike në muaj, por për muajin qershor fatura ka ardhur 22 mijë lekë, megjithëse në sahat tregohet se kam harxhuar 11 mijë lekë”, thotë një banor në Prrenjas.
Edhe për bizneset ka patur mbifaturime të energjisë elektrike. Pronari i një bar-kafeje thotë se nuk harxhon në muaj më shumë se 20 mijë lekë energji elektrike, por për qershorin fatura ka ardhur 45 mijë lekë. Pronarët e lokaleve thonë se janë ankuar tek përgjegjësi i OSHEE në Prrenjas, por aty kanë marrë përgjigje se nuk është faji i tyre pasi ata kanë faturuar aq energji sa është harxhuar. Thuhet se është bërë ndërhyrje në kompjuter nga drejtuesit e OSHEE të Qarkut Elbasan. Bëhet e ditur se ndërhyrjet në kompjuter për mbifaturimet e energjisë nga drejtuesit e OSHEE të Qarkut Elbasan janë bërë me urdhër nga lart.
Prrenjasi është një nga qytetet ku varfëria mbizotëron më shumë se kudo në vend. Në këtë qytet nuk ka asnjë aktivitet pune, pasi minierat janë mbyllur. Edhe në lokale e dyqane sheh pak njerëz, pasi nuk kanë se me çfarë të blejnë. E vetmja mundësi mbijetese është emigracioni. Mbifaturimet e energjisë elektrike kanë ngritur në revoltë qytetarët dhe pronarët e lokaleve, pasi sipas tyre, u duhet të punojnë 8 muaj që të përballojnë mbifaturimet e energjisë për muajin qershor.
E njëjta situatë është edhe në Librazhd, ku banorët ankohen për fatura të larta nga OSHEE. Mbifaturimet, sipas tyre, janë abuzime që nuk gjejnë zgjidhje në asnjë zyrë. Banorët shprehen se marrin borxh për të shlyer faturat me vlera më të larta se harxhimi ditor i energjisë në banesat e tyre. Qytetarët thonë se nuk gjejnë zgjidhje edhe pas ankesave, të cilat i dorëzojnë zyrtarisht, madje ata denoncojnë edhe faktin se sahatet e tyre nuk vëzhgohen nga asnjë faturist, duke drejtuar vëmendjen nga shteti, i cili sipas tyre po i vjedh hapur.
Edhe banorët e Elbasanit janë ankuar për mbifaturimet e energjisë elektrike. Ata shprehen se, janë mbifaturuar dhe në sportelet e OSHEE-së askush nuk u jep zgjidhje. Faturat e energjisë elektrike për disa banorë janë shumë të frikshme dhe ata nuk kanë mundësi që të paguajnë. Numri i qytetarëve që kanë ngritur ankesat pranë zyrave të OSHEE është shumë i lartë, por askush nuk përgjigjet për dyfishimin e vlerës së faturuar.
Zemërimi kolektiv në Elbasan shikohet edhe pranë sporteleve. Ka prej tyre që fatura u ka ardhur me shuma marramendëse. Një invalid thotë se ka qenë për kurim në spital jashtë Shqipërisë, por fatura e energjisë i ka ardhur për tre muaj me një vlerë një milionë e 25 mijë lekë. Ai është detyruar ta paguajë, sepse i janë ndërprerë dritat. Invalidi shprehet se ka shpresuar se zgjidhja do të vinte më pas, por në asnjë zyrë nuk i kanë dhënë zgjidhje.
Para pak kohësh shqetësimit të banorëve për mbifaturimet e energjisë iu bashkua edhe deputeti i PD, Luçiano Boçi. Ai tha se, situata në Elbasan është dramatike. Boçi, tha se përgjigjja që marrin është se duhet të paguajnë faturën dhe më pas t’u shqyrtohet ankesa. “Ka qytetarë që kanë mbifaturim disa muaj”, tha ai.

Enton DOÇI

Exit mobile version