Prezenca me skuadrën në New York është e garantuar, por askush nuk mund të vërë bast se të martën do të jetë sërish aty për t’u takuar me kinezët e Suning. Roberto Mançini po i përjeton këto orë nën atmosferën e divorcit me Interin dhe nëse nuk përjashtohet ndonjë befasi që mund të ndryshojë gjërat aventura e tij me Interin duket se është drejt fundit. Konfirmimi se trajneri tanimë nuk gjen më pika të përbashkëta me Erick Thohir erdhi nga frazat e shprehura prej tij pas disfatës 3-1 që zikaltërit pësuan me PSG. “Situata është e njëjta me atë të dy ditëve më parë. Në ditët e ardhshme do të ketë të reja. Nëse Icardi është i pashitshëm? Duhet të pyesni Thohir. A është Interi për Champions nëse nuk shitet askush dhe vjen Candreva? Edhe kjo është një pyetje për Presidentin”, tha ai.
Duken si fjalë të një epilogu, aq sa duken boshe edhe komentet në lidhje me ndeshjen e humbur përballë parisienëve. “Në këtë moment nuk ka krahasim mes nesh dhe atyre. Për 60 minuta ishte një ndeshje e ekuilibruar, por kur filluan zëvendësimet Emery hodhi Cavanin, Pastoren, Di Marian e Kurzawa, ndërsa unë vetëm djelmosha të rinj. Kemi bërë disa gjëra të mira dhe disa më pak të mira”. Interi gjatë natës ka fluturuar drejt New York për të luajtur kundër Etudiantesit dhe Bajernit të Mynihut, por ndërkohë duhet kuptuar se cila do të jetë e ardhmja e trajnerit. Do të ketë një dorëheqje të teknikut apo do të konkretizohet pista e re që hapin mediat italiane, ajo e pushimit nga ana e klubit me Interin që në këtë rast i duhet të paguajë 4.5 milionë eurot e parashikuara në kontratë. Pastaj do të nisë puna për zëvendësuesin, Leonardo mund të jetë një zgjidhje në pritje të Diego Simeones për të bërë drejtuesin, Villas Boas i është përgjigjur me një refuzim interesimeve të para, ndërsa De Boer është një zgjedhje e parapëlqyer nga Thohir.
Frank de Boer mund të emërohet trajner i Interit, pasi e ardhmja e Roberto Mançinit mbetet në dyshim. Interi u ble nga një kompani kineze gjatë verës, por edhe përkundër kësaj ata nuk kanë investuar deri më tani në transferime. Kjo irritoi trajnerin, Roberto Mançini, i cili dëshiron lojtarë të rinj. Pas humbjes prej 3:1 ndaj Paris Saint Germainit në “International Champions Cup”, Mançini refuzoi të flasë diçka për të ardhmen te klubi që e drejtoi drejt triumfit në Serie A në vitet 2006, 2007 dhe 2008.
“Asgjë nuk ka ndryshuar në krahasim me dy ditë më parë, situata është normale”, tha Mançini. “Do të shohim ditëve në vazhdim. Takimi im me presidentin Erick Thohir? Nuk kam asgjë për të treguar”, shtoi italiani. Tani për tani edhe agjenti i De Boer ka mohuar kontaktet me Interin. “Nuk kemi dëgjuar asgjë për Interin”, tha agjenti i De Boer. “Është klub i mirë, por momentalisht vetëm duhet të presim. Çdo gjë është e qetë tani për tani sa i përket De Boerit”, përfundoi Guido Albers.