Mali i Zi konfirmon udhëtimin e ish-ministrit Saimir Tahiri me jaht drejt Italisë. Kjo ka qenë përgjigja zyrtare e ardhur nga organet e drejtësisë të Malit të Zi pas letërporosisë së kërkuar nga Prokuroria shqiptare. Sipas burimeve nga organi i akuzës, letërporosia konfirmon udhëtimin që Tahiri ka bërë verën e 2017.
Po ashtu bëhet e ditur se jahti me të cilin udhëtoi Tahiri i një shtetasi shqiptar. Në letërporosi jepen detajet e udhëtimit, që nga orari i nisjes, madje edhe personi që e shoqëronte ish-ministrin e Brendshëm.
Pas këtyre detajeve prokuroria ka shpërndarë fletëthirrje per personat që kanë shoqëruar ish-ministrion e brendshëm Tahiri gjatë këtij udhëtimi në verën e vitit 2017.
Burimet nga Prokuroria bënë të ditur se, pas marrjes së këtij dokumenti pesë prokurorët e çështjes kanë firmosur fletëthirrjet ne emër të gjithë personave që janë gjendur në shoqërinë ish-zyrtarit të lartë, të cilët pritet të paraqiten përgjatë kësaj jave për të dhënë shpjegimet e tyre. E ndërsa prokuroria ka hyrë në një tjetër fazë të vrullshme për t’i dhënë zgjidhje çështjes, nga ish-ministri i Brendshëm nuk ka patur më asnjë lajm.
Gjatë muajve të verës, ai u shfaq aktiv në rrjetet sociale, ku shpërndante foto nga udhëtimet e tij në mal, apo teksa bënte zhytje me të birin, e kësisoj përçonte edhe mesazhet e tij. Së fundmi, Saimir Tahiri po qëndron në heshtje. Që prej tetorit 2017, kur ndaj tij prokuroria çeli hetimin pas dyshimeve për lidhje me grupin kriminal “Habilaj”, ish-ministri ka dalë triumfator përballë drejtësisë.
Ai mundi të shpëtonte nga arrestimi, pasi Kuvendi nuk i dha autorizim prokurorisë. ndërsa ka dalë fitues në dy betejat e zhvilluara në gjykata. Herën e parë ai e bindi Apelin për Krime të Rënda t’i kthente pasaportën, e në përballjen e tyre ta lironte nga arresti i shtëpisë. Me gjykatën e Lartë, ku presin të shqyrtohen dy rekurset e prokurorisë për çështjen Tahiri, ish-ministri ende nuk i ka matur forcat.