Vjena, qyteti më i mirë në botë për të jetuar

“BBC”

Kryeqyteti i Austrisë sapo ia ka kaluar 229 qyteteve të tjera në botë, duke u shpallur si qyteti më i mirë në botë për të jetuar, sipas një studimi të firmës “Consultancy Mercer”. Pozicioni gjeografik dhe jetesa e lehtë e kanë kthyer këtë qytet në një pikë reference për shumë biznesmenë, ndërkohë që kështjellat e vjetra shekullore dhe artet e bukura e bëjnë atë një destinacion tepër të kërkuar nga turistët.
“Për mua, Vjena është qyteti më i bukur i Europës”, thotë Magnus Beyer, një inxhinier i Imperial College në Londër, i cili kohët e fundit bëri udhëtimin e tij të parë të biznesit në Vjenë për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Gjeoshkencave të Bashkimit Europian gjatë muajit prill. Qyteti njihet më shumë për sharmin e Antikitetit dhe udhëtarët vazhdojnë të mahniten për bukuria mbresëlënëse, thotë Jean-¬Paul Dantil, menaxher i Përgjithshëm i “Ritz Carlton” në Vjenë.
“Të gjithë janë të mrekulluar sa i bukur është në thelb ky qytet. Shumë të tjerë janë gjithashtu të çuditur kur zbulojnë sa e thjeshtë është të ecësh këtu përreth, sa i lehtë dhe eficent është transporti publik dhe mbi të gjitha kur kuptojnë se trafiku nuk është aspak i tmerrshëm, edhe pse është kryeqytet”, thotë Dantil.
Ai thotë gjithashtu se në hotelin që menaxhon më shumë se gjysma e të ftuarve vijnë në qytet për arsye biznesi, shumë të tjerë janë diplomatë, zyrtarë të lartë të qeverive të ndryshme apo edhe këshilltarë, të cilët shtrëngojnë duart me aktorët më të pushtetshëm të takimeve ndërkombëtare, siç është për shembull Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC). OPEC-u i kryen të gjitha operacionet e saj ndërkombëtare nga Vjena që prej vitit 1965.
Si një prej katër destinacioneve më të mëdha të zyrave qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Vjena është selia e disa prej agjencive më të rëndësishme të organizatës, përfshirë këtu edhe Agjencisë së Energjisë Atomike. Ndërkohë, mund të thuhet se Kombet e Bashkuara kanë punësuar rreth 4,400 njerëz nga 120 vende të ndryshme nëpër botë.
Me më shumë se 1,8 milionë banorë, Vjena është qyteti i dytë gjermanishtfolës më i madh në botë. Për më tepër, qyteti gëlon me mbi 200 mijë studentë universitetesh, të cilët i shtojnë aspektin rinor dhe kozmopolitan, duke e shtrirë magjinë e tij edhe gjatë jetës së natës, thotë Ursula Kainz, anëtare e Agjencisë së Biznesit të Vjenës, e cila këshillon kompani kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me marrëveshjet e biznesit në qytet.
“Nëse keni ardhur këtu 10 vite më parë, nuk do ta njihnit dot qytetin. Tashmë ka shumë më tepër restorante dhe bare, industri krijuese dhe është më i diversifikuar, më i hapur dhe më shumëngjyrësh se më parë”, thotë Kainz. Dikur një dalje lindore e Europës Qendrore, Vjena u kthye në zemrën e kontinentit menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Qyteti u pa nga shumë e shumë biznesmenë si një shans i shkëlqyer për t’u futur në ekonomitë e reja në ekspansion që po lindin në pjesën lindore të Europës.
Më tej, zgjerimi drejt Lindjes i Bashkimit Europian e ka vendosur Vjenën në qendër të vëmendjes së biznesit dhe investimeve në rajon. Më shumë se 300 kompani ndërkombëtare kanë ngritur selitë e tyre në këtë qytet dhe kjo është një shifër që po rritet dita-ditës, thotë Kainz. Cilësia tepër e lartë e jetesës, gama e gjerë e universiteteve elitare, stabiliteti ekonomik dhe afërsia me Europën Lindore kanë qenë faktorët që kanë tërhequr individë dhe investitorë të shumtë në qytet.

Çudirat kulturore
Austriakët konsiderohen gjerësisht si individë tepër formalë, gjë që shfaqet për shembull në këmbënguljen e tyre për të përdorur tituj e nderime. Edhe studentët që nuk kanë diplomë universitare quhen “magjistër”, ndërkohë që studentët e doktoraturës quhen “doktorë”, edhe pse nuk kanë asnjë gradë mjekësore.
Një “çkemi” e thjeshtë ështe e papranueshme, në rast se nuk keni vendosur një marrëdhënie të ngushtë me një partner biznesi. Në vend të saj, duhet të përdorni “Grusez Gott”, frazë që përkthehet “përshëndetje Zot” fjalë për fjalë, e cila është edhe përshëndetja më e zakonshme që përdoret ndërmjet partnerëve të biznesit.
Megjithatë, në shumë aspekte të tjera, austriakët janë më të qetë dhe të tërhequr krahasuar me fqinjët e tyre në Gjermani. Nëse jeni pesë apo dhjetë minuta me vonesë, mos u shqetësoni, kjo nuk konsiderohet aspak mungesë respekti në Vjenë. Tepër krenarë për zakonet e tyre të vjetra, vjenezët ftojnë shpesh dhe me kënaqësi partnerët e tyre të biznesit në dreka apo darka tradicionale, në të cilat shpesh përfshihet birra ose vera e bardhë Gruner Veltliner.
Pasi vizitojnë shtëpinë e madhe të operas, partnerët e biznesit shoqërohen shpesh tek “Wurstelstand”, rruga e zhurmshme e qytetit ku shiten salçiçe. “Është një fast-food i cilësisë së lartë dhe nuk ka asgjë të ngjashme me McDonalds. Individët që udhëtojnë për biznesin dërgohen gjithmonë në këtë vend si pjesë e atraksionit turistik. Nëse doni një këshillë: mos kërkoni thikë dhe piru”, qesh Kainz, duke shpjeguar se salçiçet e prera në feta shërbehen në një pjatë prej letre dhe duhet t’i zhysni ato në salca të ndryshme me dorë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version