“Vjeshta e Patriarkut” nga G. G. Markez (fragment)

Fragmenti i mëposhtëm është shkëputur nga romani “Vjeshta e Patriarkut” i Gabriel Garsia Markezit. Fragmenti rrëfen tipologjinë e sundimtarëve, duke universalizuar llojin e tyre të ngjashëm.

“Gjendeshim të çarmatosur përballë kësaj evidence, na kish mbetur në dorë një trup kutërbues, të cilin nuk ishim të zotë ta zëvendësonim dot në këtë botë sepse në pleqëri ai nuk kish pranuar të merrte asnjë vendim për fatin e atdheut pas tij, u kish rezistuar me një kokëfortësi të pathyeshme plaku të gjitha sugjerimeve që iu bënë që kur qeveria u zhvendos në ngrehinat me xhama diellorë të ministrive dhe ai mbeti të jetonte vetëm në shtëpinë e shkretuar të pushtetit të tij absolut, e gjenim tek ecte në gjumë, duke lëvizur krahët përmes shkatërrimeve të lopëve pa pasur kë të urdhëronte përveç të verbërve, leprozëve dhe ulokëve që nuk po vdisnin nga sëmundjet por nga pleqëria e thellë në shkurret e trëndafilishtave, e megjithatë ishte aq i kthjellët dhe kokëgdhe saqë nuk kishim arritur të merrnim prej tij veçse shmangie dhe shtyrje gjithsaherë i parashtronim urgjencën me të cilën duhet të përcaktonte trashëgiminë e tij, sepse thoshte të mendosh për botën pas ikjes sate është po aq e shpifur sa vetë vdekja, ta marrë djalli, në fund të fundit kur të vdes unë do të kthehen politikanët të ndajnë këtë gjënë mes tyre njëlloj si në kohën e gotëve, keni për ta parë, thoshte, do të kthehen të ndajnë gjithçka mes priftërinjve, gringove dhe të pasurve, dhe asgjë për të varfërit, sigurisht, sepse këtyre kanë për t’ua futur përherë sa krahu aq sa ditën kur muti të ketë një lloj vlere të varfërit do të lindin pa bythë, keni për ta parë, thoshte, duke përmendur dikë të kohërave të lavdisë, duke u tallur edhe me veten kur na tha tek shkulej gazit se për tri ditë që do të qëndronte i vdekur nuk ia vlente mundimi ta çonin gjer në Jeruzalem…”download.jpeg

Exit mobile version