Vjosa Osmani: Ashtu siç dështuan në Kosovë serbët, forcat barbare ruse do të dështojnë edhe në Ukrainë

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar se ashtu siç ka dështuar Serbia në Kosovë, Rusia do të dështojë në Ukrainë.

 

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Osmani ka shkruar për diskutimet që  ka bërë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, i cili është mbajtur të mërkurën.

“Agresori nuk duhet asnjëherë të shpërblehet me tokën e viktimës! Ashtu siç dështuan në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Bosnje-Hercegovinë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë. Liria dhe demokracia gjithmonë do të triumfojnë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se në këtë samit ka theksuar se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjell kurrë paqe të qëndrueshme.

“Dje, para liderëve të tjerë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, theksova se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjellë kurrë paqe të qëndrueshme. Solidariteti ynë për popullin e Ukrainës është i rrënjosur thellë në vet përvojën e dhimbshme të popullit tonë. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e popullit ukrainas për liri, për sovranitet dhe integritet territorial. Deri në fitore!”, ka shkruar Osmani.

Exit mobile version