Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë homazheve që ka bërë të dielën bashkë me ambasadorët e akredituar të shteteve aleate te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s, në 25-vjetorin e fillimit të sulmeve të aleancës, i ka falënderuar këto shtete që “nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve që ndodhej populli i Kosovës atëkohë”.
Në një deklaratë për media pas homazheve, Osmani ka thënë se beson që shumë shpejt Kosova do të ulet në NATO krah këtyre miqve dhe do t’ua kthejë borxhin duke ndihmuar në vende tjera.
“Faleminderit përjetësisht NATO-s. Kosova besoj shumë shpejt do të ulet në NATO përkrah miqve që na qëndruan pranë në momentet më të vështira dhe do ta kthejë këtë borxh duke ndihmuar në vendet e tjera, siç po ndihmon edhe sot ushtria jonë”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, 24 marsi është shndërruar në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike.