Vjosa rrezikon disa fshatra nga përmbytjet

Disa dhjetëra shtëpi përgjatë shtratit të lumit Vjosë, në fshatin Kashisht të Fierit rrezikojnë shembjen. Gërryerjet e lumit arritën themelet e shtëpive, duke i rrezikuar seriozisht banesat. Banorët thonë se në situatat e vërshimit të lumit, lagjja është dyfish e rrezikuar nga përmbytja dhe nga gërryerjet. Sipas tyre, shtrati i lumit u devijua nga shfrytëzimi pa kriter për përfitimin e materialeve inerte.

“Vajti disa vjet që këtu është shfrytëzuar pa kriter dhe nga kjo, pasi ka qenë në një gjerësi prej 150 metra, tani është bërë 500 metra. Fshati ynë pothuajse ka humbur mbi 70 hektarë tokë. Ne kërkojmë nga shteti që të ndërhyjë”, u shpreh Ramadan Kapaj, kryeplak i fshatit Kashisht. “Lumi na ka dëmtuar tokën dhe kërkojmë ndihmën e shtetit që të punohet në këtë drejtim. Këtu dikur ka qenë fushë e sportit ku loznin fëmijët, por tani është bërë lum”, tha Abas Sitaj, banor.

Argjinatura mungon tërësisht. Sipas banorëve, edhe 10 penelët e vendosura në një gjatësi rreth 300 metra janë shkatërruar vetëm pak kohë pas ndërtimit të tyre në 2005-n. Banorët ndihen të kërcënuar dhe kërkojnë ndihmë nga organet shtetërore.

Ndërkohë, rrëshqitje masive dheu në kodrën e Currilave në Durrës, në zonën pas Universitetit dhe përgjatë gjithë aksit. Shkak janë bërë reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit. Në pjesën perëndimore të kodrës, masive të mëdha dheu kanë rënë deri në rrugën e vetme që lidh qytetin me plazhin e Currilave.

Qytetarët shprehen se kodra është shumë e vështirë që të rehabilitohet. “Këtu kemi qenë, e kemi parë dhe thamë se do bjerë prapë. Çfarë zgjidhje ka ajo, ku mbahet argjilja. Nuk mban, duhet ta kishin hequr nga lart, ta pastronin mirë dhe pastaj të vihej rrjeta. Të nguleshin hekurat, të bëhej një mur betoni më i lartë që të mos binte”, shprehen banorët.

Exit mobile version