Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin është përplasur me kryetaren e Komisionit për Punën dhe Çështjet Sociale, Albana Vokshi lidhur me censurën në media dhe punësimin e të miturve.
Gjatë pjesëmarrjes në Këshillin e Integrimit, teksa diskutohej për raport progresin e KE për Shqipërinë, Vokshi iu drejtua ambasadores Vlahutin nëse kishte një qëndrimin për shfrytëzimin e fëmijëve dhe grave në landfillin e Sharrës, në Tiranë.
Vokshi: BE ka financuar landfillin e Sharrës, a e keni monitoruar ndërmarrjen e Bashkisë Tiranë që keni financuar? A keni një qëndrim për shfrytëzimin e fëmijëve dhe grave për punë të rënda dhe të papaguara? Aty kanë humbur jetën në rrethana çnjerëzore një fëmijë 17 vjeç dhe një grua 42 vjeç. Të dyja krimet u zbuluan nga investigimet e gazetarëve që u pushuan nga puna dhe iu mbyllën emisionet e portalet.
Vlahutin: E kam dëgjuar ngjarjen në Sharrë. Të drejtat e grave dhe fëmijëve janë të rëndësishme për BE-në.
Vokshi: Ngjarja e Sharrës është krim shtetëror. Shfrytëzimi i fëmijëve dhe grave ka ndodhur në një ndërmarrje shtetërore në administrim të Bashkisë së Tiranës.
Duke folur për lirinë e mediave, Vokshi i kërkoi ambasadores së BE nëse i ka reflektuar në progres raport pushimin e gazetares Alida Tota, mbylljen e emisionit “Publicus”, mbylljen e portalit “Hashtag” dhe presionin ndaj mediave, të cilët investiguan aferën korruptive në landfillin e Sharrës.
Vokshi: Flisni për lirinë e mediave, por sot kemi një gazetare të pushuar për një investigim, një emision të mbyllur “Publicus”, disa portale të mbyllura. A janë këto standarde të BE?
Vlahutin: E kam takuar edhe gazetaren Alida Tota, e pushuar nga puna pas investigimit. E kam dëgjuar. Kam nevojë për më shumë fakte. Liria e mediave është e rëndësishme. Duhet së bashku të punojmë. Të drejtat e grave dhe fëmijëve janë të rëndësishme për BE-në.
Gjatë debatit, deputetja socialiste Arta Dade ka tentuar të sfumojë fjalën e deputetes Albana Vokshi duke rikthyer në vëmendje tragjedinë e ndodhur në Gërdec në vitin 2008.
Protestat ndaj plehrave në Fier dhe në Tiranë
Banorët e Mbrostarit, zonës ku do të ndërtohet impianti i përpunimit të mbetjeve, protestuan dje kundër ndërtimit të tij. Ata i kërkuan kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi të ndalojë ndërtimin e impiantit.
Qytetarët thanë se asnjë përfaqësues i pushtetit lokal apo qendror nuk ka marrë mendimin e banorëve për impiantin e plehrave. Ata u shprehën të shqetësuar për ndotjen dhe sëmundjet që mund të shkaktohen nga djegia e përpunimi i plehrave aq pranë zonave të banuara.
Vendimi për ndërtimin e impiantit të plehrave në Mbrostar u mor ditën e hënë në Këshillin Bashkiak të Fierit, vetëm me votat e këshilltarëve socialistë. Këshilltarët e Partisë Demokratike votuan kundër, ndërsa ato të LSI-së abstenuan.
Ky impiant ishte parashikuar të ndërtohej në Plykë të Fierit. Por, pas protestave të banorëve, u vendos të ndërtohej në Mbrostar.
Në Mbrostar do të ndërtohet impianti i përpunimit të mbetjeve të zonës së Fierit.
Vendimi u miratua dje vetëm me votat e këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste. Këshilltarët e Partisë Demokratike votuan kundër, ndërsa ato të LSI-së abstenuan.