Rrëfim i gjatë e padyshim interesant i Gianni de Biasit për edicionin italian të Goal.com. Trajneri i Kombëtares Shqiptare ka bërë një përshkrim në lidhje me aventurën e tij në krye të stolit kuqezi. Fillimisht teksa nënvizon punën e vështirë në fillimin e saj teksa i duhej të rinovonte një grup ku disa lojtarë ishin drejt fundit të karrierës, De Biasi flet për arritjen historike me pjesëmarrjen në Europianin francez, duke prekur dhe një temë të debatuar jo pak pas asaj aventura në opinionin sportiv shqiptar në lidhje me ndarjen e meritave, ndërsa shprehet.
“Bëmë një punë të shkëlqyer dhe kur përdor numrin shumës, nënkuptoj, stafin teknik, lojtarët, por edhe Federatën. Besoj se rezultatet arrihen vetëm duke punuar të gjithë bashkë në një drejtim dhe kjo ndodhi në Shqipëri”, u shpreh De Biazi.
Dhenie e meritave pra për Federatën e më pas edhe një tjetër “përkëdhelje” për Skënderbeun dhe arritjen e tij në grupet e Europa League nga De Biasi që vijon. “Jo rastësisht, përtej Europianit, edhe një klub shqiptar u kualifikua në një kompeticion ndërkombëtar, si një konfirmim i rritjes së lëvizjes futbollistike. Natyrisht për dicka të tillë, jemi krenarë”, tha ai.
De Biasi nuk e fsheh pengun për eleminimin në Europian, ku Shqipëria i tha lamtumirë kompeticionit në fazën e grupeve ku kishte të njëjtën kuotë pikësh me Portugalinë që më pas u shpall kampione. Trajneri është i bindur se Shqipëria nuk meritonte të humbiste përballë Zvicrës e Francës, ndërkohë që shprehet edhe për disfatat e pësuara së fundmi në eleminatoret e Rusi 2018, kundër Spanjës dhe Izraelit.
“Humbja ndaj Spanjës mund të pranohet, edhe pse ndeshja u vendos nga një gabim i yni, por djeg më shumë ajo kundër Izraelit, edhe për mënyrën se si erdhi. Pas pak minutash na u përjashtua një lojtar, ndërsa në pjesën e dytë kjo ndodhi edhe me portierin tonë, duke na dhënë kundër edhe një penallti për mendimin tim të ekzagjeruar. Kurrë më shumë se në këtë rast nuk mund të flitet për një ndeshje të vendosur nga episodet. Në cdo rtast duhet të shohim përpara me besim, pasi përvec këtij aksidenti me Izraelin, ndeshjet që duhej të fitonim i kemi fituar”, tha De Biazi.
De Biazi ka folur edhe për duelin ndaj Italisë. “Të përballem me Italinë do të ketë një shije të veçantë për mua, por tashmë jam një person i shëtitur. Italia që po lind më pëlqen shumë: admiroj Venturën, një trajner i madh dhe e shoh si shumë intrigues projektin e tij. Ka shumë të rinj dhe me shumë perspektivë që po paraqiten mjaft mirë. Nuk them vetëm për Belotin, por edhe për Imobile, Insinje e shumë të tjerë.
E pashë ndeshjen kundër Gjermanisë dhe më bënë shumë përshtypje, pavarësisht faktit se gjermanët ishin me formacion eksperimental, pasi edhe Italia ishte e tillë dhe u paraqit shumë mirë gjithsesi. Mendoj se si italianë duhet të vlerësojmë dhe të mbështetim këtë rrugë të re, në vend që, si zakonisht, të gjykohet gjithçka në bazë të rezultateve”, përfundoi ai.