Me qindra banorë të Vlorës e kaluan natën mes ujit dhe baltës. Ndonëse reshjet e shiut pushuan, niveli i uji vetëm pasdite ra, teksa rrugët dhe banesat janë nën pushtetin e baltës.
Shkak i gjithë kësaj është prishja e hidrovorit. Një nga pompat e hidrovorit është djegur dhe punonjësit kanë stakuar dhe pompat e tjera, duke bërë që gjatë natës, vlonjatët të jenë mes ujit dhe papastërtive.
Situata bëhet akoma më e rëndë, pasi uji është i ndotur, pjesë e tij janë bërë dhe ujërat e kanalizimeve të zeza, ka baltë dhe plehra, të cilat kanë vërshuar nëpër banesa.
Po ashtu gjendja rëndohet edhe nga neglizhenca e autoriteteve. Ndonëse përfaqësuesit e qeverisë dalin në media dhe shprehen se janë në terren, në fakt banorët thonë të kundërtën.
Sipas tyre ata janë në mëshirë të fatit, pasi kanë telefonuar policinë dhe zjarrfikësen dhe askush nuk u ka shkuar në ndihmë. Shumë familje janë munduar me mjete rrethanore të largojnë ujin, por ka qenë e pamundur, për shkak se hidrovori nuk punon dhe po ashtu nuk ka energji elektrike
Vetë banorët thonë se shkak i kësaj situate është neglizhenca e bashkisë dhe autoriteteve, sepse nuk kanë pastruar kanalet kulluese.
“Unë jam 80 vjeçe dhe kam operuar syrin. E kam gdhirë në karrige se nuk e lamë shtëpinë se kishim frikë se mos na vinte shiu prapë. Kërkuam policinë dhe bashkinë askush s’na erdhi. Ka dy vite që nuk pastrohet kanali, 100 here u kam dhënë. Inshalla të vijë këtu të kërkojë vota”, tregon një e moshuar.
“Jemi tërën natën në ujë dhe në baltë dhe llumin spo e heqim dot. Po të vazhdonte dhe pak shiu do vdisnim fare. A kërkuat ndihmë? Po ca ndihme moj. Opingat e Sheros. Mospastrimi i kanaleve është shkaku. Bënë asfalt aty që të bëhet gjë e bukur. Na kanë shkatërruar, na kanë lënë pa bukë, pa asgjë”, tha një tjetër.
Shumë banorë të tjerë ankohen se uji u ka dëmtuar ushqimet dhe gjithë orenditë dhe ata kanë mbetur pa ngrënë dhe me sytë nga qielli, pasi nuk kanë as ku të flenë, kjo pasi uji është gati 50 cm në disa banesa.
“Dimër për dimër, këtu bëhet det. Jemi të detyruar ta rregullojmë çdo gjë nga vetja. Shteti nuk merr masa. Dëmi mund të jetë 1 milionë lek për pastrime, lyerje minimumi. Po jemi përmbytur nga 20 herë, më kanë vajtur 20 mln lekë, askush s’do t’ia dijë”, ka deklrur pronair i një bzinei të vogël.
Ndërkohë benjaminët e kryeministrit krihen në televizor. Ministri i Brendshëm hedh foto duke zhvilluar video-konferenca nga zyra. Ndërkohë dhe vartësit e tij dukej qartë që ishin po nëpër zyra, ngrohtë dhe rehat.
dje ministri i Mbrojtjes u kujtua të dilte në terren, teksa kryetari i Bashkisë ia vë fajin shiut, ndonëse është përgjegjsia e tij kryesore, pasi sipas banorëve, kanalet nuk janë pastruar.
Ndërkohë vetë Rama është në regjim shtrati dhe nuk ka denjuar të thotë asnjë fjalë. Dje pasdite u kujtua të dërgonte Bledar Çuçin në terren, ku sërish më shumë kishin hallin videove dhe fotove në rrjete sociale sesa të vlonjatëve.