Vlora e mbytur dhe kostot e papërballueshme të piramidave të reja

Këto dy ditë, fotografitë e banesave të përmbytura, të mijëra mjeteve motorike të dëmtuara dhe miliona euro investime në biznese, kanë folur më shumë se sa çdo deputet i qarkut të Vlorës këtë dekadë të fundit. Ato janë protesta më e madhe e zhvilluar rajonin e Vlorës që nga trazirat e 1997-ës, pasi janë pikërisht politikat e gabuara në investime, të denoncuara në mënyrë të vashdueshme, shkaku i demit të madh, shkaktuar banorëve të qytetit bregdetar.

Orientimi i zhvillimit drejt zmadhimit të stokut të ndërtimit, jo vetëm që ka sjellë impakt në infrastrukturën e qytetit dhe në hapësirën publike, por ka grumbulluar në mënyrë të përqëndruar kapitalin ekonomik duke e bërë prodhimin e brendshëm të varur prej betonit.
Rritja e vlerës së pronës, është një nga arritjet më të mëdha, për të cilën qeverisja është krenare. Banesa që dje kushtonin sa një Peugeot 306 e re, sot ka arritur vlerën e Lamborginit, apo Ferrarit. Sot kushdo ka një banesë që vlen më shumë, dhe sipas qeverisjes automatikisht është më i pasur. Kjo kartë vlere ekonomike, duket se do të jetë një nga kuajt e fundit të mbetur me fuqi, që do të tërheqë makinën e vjetëruar të qeverisjes 12 vjeçare.
Le të shohim sa të pasur janë sot Vlonjatët.
Një apartament në Vlorë, që varion nga 1500 në 3000 euro, është të paktën 3 herë më i lartë se sa çmimi i referencës së miratuar nga qeveria. Sipas vendimit të qeverisë Rama të 2023, i njëjti apartament që shitet 1500, 2000, apo 3000euro, ka si çmim referues 61 800 lekë për metër-katror, pra 618 euro. Ndërkohë, gjatë procesit të ndërtimit, taksat që paguhen janë trefishuar, ndërsa çmimi referues nga 2016 në 2023 ka rritje vetëm 0 lekë për qytetin e Vlorës.
Ndryshe shfaqet situata në Tiranë, ku zona e bllokut përshembull nga 2016 në 2023, ka rritje nga 8 deri 20% në çmimin e referencës. Pra duket se skema e rritjes së vlerës së tregut të pasurive është e njejtë si në Tiranë ashtu edhe në Vlorë, ndërsa çmimi i referencës për shitblerje shfaqet preferiencal. Metodologjia e përdorur nga qeveria duket se favorizon Vlorën, por në fakt ajo se çfarë bën është zhvlerësimi i saj. Dëmshpërblimi nga ana e shtetit, bazohet në vlerësimin që ai i vetë i bën banesës, pavarsisht se sa e vlerëson tregu atë.

Ndodhur sot, me pasoja shumë të rënda në qytet, ku uji jo vetëm ka dëmtuar banesa dhe biznese, por ka nxitur një efekt zinxhir pasojash, nga mungesa e ujit të pijshëm tek probleme me kanalizimet e më tej deri tek një epidemi e mundshme. Ndërsa gjendja është e jashtëzakonshme, ajo ishte mëse e parandalueshme, nëse nuk do të ishin fokusuar politikat vetëm në zbukurimin e qytetit. Vlera e ngjyrave dhe fasadave, në një banesë pa ujë të pijshëm që pluskon në baltë, sikundër vlera e banesave private që notojnë në gjysëm metri ujë apo ajo e kateve të para të pallateve bizneseve janë dëme ende të pallogaritura, por që efektin do ta kenë të gjatë në kohë.

E ndërsa pritet që qeveria t’ia hedhë fajin Zotit që solli shi, vlera e banesës në Vlorë, nëse do të ishte në bursë do të ishte një kurbë në rënie. Blerësit potenciale, (sidomos të huajt) mund të tremben nëse zona ka qenë e përmbytur pasi mund të përsëritet sërish dhe dimri është akoma tek porta. Dëmtimet nga uji, kërkojnë investime dukë përfshirë riparimin e strukturës, zëvendësimin e mobiljeve, mallin e biznesit e deri tek trajtimi i mykut nëpër mure. Pronat e përmbytura mund të jenë më të papëlqyera për blerësin, fundja askush nuk do të donte të blinte një makinë të aksidentuar. Përmbytjet gjithashtu mund të rrisin edhe siguracionin për banesat në ato zona, pasi kompanitë e sigurimit do ta konsiderojnë më të lartë rrezikun e përmbytjeve.

Aty ku ndodh tragjedia spekulatorët gjejnë oportunitet.
Nëse Vlora përmbytet në vijim, vlera e banesave të qytetarëve do të bjerë ndjeshëm. Këtë humbje qeveria nuk e mbulon dot me buxhet, pasi dëmet i ka shkaktuar ajo vetë, me skemën e rivlerësimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër atë të ndërhyrjes në tregun e pasurive. Ajo çfarë pritet të ndodhë është premtimi që “çdo dëm i shkaktuar do të shpërblehet”, duke krijuar ato skemat e vetdeklarimit, bonusit të qirave dhe deri tek ndonjë projekt i ri megaturistik alla “smart city” si rasti i 5 majit në Tiranë. Kjo do të zgjasë deri për zgjedhje, pasi implementimi i këtyre praktikave nga përvoja ka ndodhur me policë dhe gas lotsjellës dhe për këtë do të pritet sigurimi i mandatit të katërt.

FB IMG 1728238426580

Në vijim do të mund të shohim nëse qeveria, duke patur deputet të parë të Vlorës vetë Kryeministrin, do të mund të gjejë formulën për të zbutur pakënaqësinë, apo do të përballemi me një skenë të përsëritur “duam paratë tona”?

Artikulli paraprakBizneset dhe familjarët të rregullt me pagesat, kurse institucionet e shtetit shtojnë borxhet ndaj OSHEE
Artikulli tjetërBizneset dhe familjarët të rregullt me pagesat, kurse institucionet e shtetit shtojnë borxhet ndaj OSHEE