Nga Gjergji Nika
Vlora është qyteti ynë, ku kemi lindur, rritur, është qyteti i gjyshërve dhe të parëve të mi…
Vlora është qyteti ku kam zgjedhur të rris fëmijët e mi.
Dhe Vlora jonë është qytet që të mëson nevojën e gurit në xhep, por edhe të ngarkon një gur në shpinë.
Mes rrënojës industriale, biznesit që po jep shpirt, zbrazjes apokaliptike, turizmit me infrastrukturë inekzsitente, arsimit në agoni; mes pasurive arkeologjike dhe kulturore të mbuluara me harresë Vlora nuk është më qyteti që njihnim dhe donim.
Por, fatkeqësisht, Vlora tashmë është jo vetëm një qytet që sot lëngon, por është edhe një qytet pa kujtesë, pa identitet, që ka humbur shumëçka nga kujtesa historike.
Nuk flas vetëm për Sheshin e Flamurit, Skelën apo zona të tjera historike. Ato nuk janë më siç i kanë njohur vlonjatët e brezit tim apo të brezave të mëparshëm.
Dikush mund të thotë se ndryshimet shpesh herë vijnë për mirë dhe se qytetet duhet të ndryshojnë sikundër ndryshon shoqëria e të jenë edhe ato bashkëkohore.
Por të gjithë jemi dëshimtarë të batërdisë që i është bërë Vlorës me ndërtimet, kujtesën historike të zhdukur e tjetërsuar.
Nuk kam qenë e as jam kundër ndërtimeve dhe zhvillimit, por gjithçka në këto vite duhej bërë në një raport të drejtë me identitetin, kujtesën historike, me atë që përbën zemrën dhe thelbin e një qyteti. Sidomos të një qyteti të veçantë ku çdo 28 nëntor rreh zemra e kombit.
Vlora e ka humbur betejën me trashëgiminë. Të huajve dhe fëmijëve tanë kemi pak për t’u treguar. E kemi të vështirë t’u tregojmë një shesh, një hapësirë me pak identitet të trashëgimisë historike. Dhe kjo tregon se çfarë i kanë bërë Vlorës ata njerëz që kanë patur pushtetin dhe vulën e tyre mbi qytetin tonë të dashur.
Vlora nuk është më një qytet dinamik e me jetë!
Por Vlora nuk janë vetëm ndërtimet, sheshet, kujtesa historike.
Vlora janë edhe njerëzit, të cilët nga pafuqia e tyre janë të mpirë dhe nuk reagojnë, por edhe kur reagojnë nuk ua kërkojnë llogarinë atyre që kanë votuar, por atyre që nuk kanë pasur ndonjëherë pushtetin.
Nuk u kërkojnë llogari përgjegjësve të kësaj batërdie, mjedisore, historike e njerëzore.
Nuk u kërkojnë llogari përgjegjësve për zbrazjen e Vlorës, për korrupsionin galopant, për paaftësinë dhe militantizmin partiak në apoteozë!
Nuk mund të shesin mendje partitë politike dhe as të flasin për dinjitet kur nuk e kanë.
Nuk mund të flitet për zgjidhje të problemit, kur degradimi po lejohet nga ata që e kanë për detyrë ta ndalojnë këtë dukuri. Në një katrahurë të tillë, përfituese janë grupet mafioze të lidhura me njerëz të fuqishëm të politikës.
Ndaj për këtë problem kaq të mprehtë shoqëror duhet ZGJIM. Të reagojmë si shoqëri në mënyrën e duhur ndaj gjithçkaje që po e shkatërron jetën tonë të përditshme, sepse nëse do të reagojmë sa për sy e faqe, e keqja, jo vetëm që s’po fashitet, por po zmadhohet edhe më tej. Nuk mbrohet qyteti vetëm përmes shkrimeve apo reagimeve në rrjete sociale. Nevojitet organizim i mirëfilltë qytetar, një masë e madhe njerëzish që do të kundërshtojë abuzimin e jeniçerëve politikë me hapësirat publike, me tjetërsimin dhe zhdukjen e identitetit tonë, me korrupsionin, paaftësinë dhe luftën që i kanë shpallur vlerave e meritokracisë.
E dini? Vlora është qytet që koha i rri ngushtë në shpatulla. Vlora është qytet që ta mëson heshtjen si gjuhën e zemërimit. Është qytet memec. Qytet që nuk digjet, që më pas të mos krihet. Por është edhe qytet që shqetësohet për burrërinë e tij, siç është edhe qytet që burrërohet nga frika e zhdukjes së identitetit!