Duket paradoksale, por është e vërtetë. Vlora, qyteti që ka potencial të lartë turistik dhe portin e dytë më të madh në vend, ka më shumë të papunë, në raport me forcën aktive për punë, se në çdo qark tjetër në Shqipëri. Të dhënat e fundit të anketës tremujore të forcës së punës të INSTAT, tregojnë se shkalla e papunësisë në Vlorë ishte 26.45, më e larta në vend dhe shumë më e madhe se mesatarja e vendit prej 15.5%. Në raport me tremujorin e mëparshëm, papunësia në Vlorë është rritur lehtë (në tremujorin e parë ishte 26.3%), ndryshe nga pjesa më e madhe e qarqeve, që kanë parë një rënie të këtij treguesi në tremujorin e dytë të vitit. Pjesa më e madhe e të punësuarve në Vlorë janë në shërbime, me rreth 52% të totalit, të ndjekur nga industria me 25.7% dhe bujqësia 22.4%. INSTAT ka filluar për herë të parë këtë vit të publikojë në anketën tremujore të forcave të punës edhe ndarjen e papunësisë sipas qarqeve. Në tremujorin e dytë, qarku me papunësinë më të ulët është Dibra me 8.1%, e ndjekur nga Berati me 8.9% dhe Korça me 9.9%. Në tremujorin e dytë 2016, shkalla e papunësisë për gjithë Shqipërinë ishte 15,5% duke shënuar një ulje prej 1,1 pikë përqindje nga tremujori i parë i këtij viti. Qytetet që kanë parë rënie më të madhe të papunësisë janë Tirana (-3.5 pikë përqindjeje), Gjirokastra (-3.3 pikë përqindjeje), Lezha (-2.1 pikë përqindjeje), Durrës (-1.4 pikë përqindjeje). Papunësia është rritur më shumë në Elbasan (+1.3 pikë përqindjeje) dhe Korçë (+1 pikë përqindjeje).
Qeveria vijon shkurtimin e investimeve
Shpenzimet kapitale për vitin 2016 do të arrijnë shifrën më të ulët në dekadën e fundit, në pak se 60 mld lekë. Të dhënat fiskale tregojnë, që totali i shpenzimit publik është nën normën e përcaktuar, 82.5 mld lekë. Duke mos llogaritur detyrimet e prapambetura të vitit të mëparshëm, shpenzimi total ka shënuar një rënie prej 1.4% në terma vjetore. Ngritja e rreth 18 milionë eurove të tjera duket se do të përkeqësojë edhe më tej situatën në sektorin e investimeve publike, të cilat janë indikatori më i madh në vend për rritjen ekonomike. Sa u përket investimeve në vitin 2016 sipas zërave 21 mld lekë janë planifikuar për ndërtim dhe rikonstruktim rrugësh, 5 mld lekë për investime në energji (përtej investimeve të vetë kompanisë) dhe për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve rreth 10,5 mld lekë. Me gjithë fondet në ulje vit pas viti, edhe ato nuk po mund të realizohen. Qeveria e ka shndërruar në traditë shkurtimin e fondeve të investimeve në mes të vitit. Edhe këtë vit, plani i investimeve publike shkurtoi fondet për këtë zë. Por gjithashtu nuk ka edhe një përdorim eficient të tyre. Ministria e Financave ka ngritur njësinë e re të politikës fiskale, e cila ka marrë rolin udhëheqës për të adresuar dobësitë në të ardhura në parashikimin dhe monitorimin e tyre. Kjo njësi do të zhvillojë një anketë për mënyrën se si janë shpenzuar taksat. Sondazhi do të përfshijë edhe një arsyetim dhe një vlerësim të efikasitetit për secilin zë shpenzimesh.