Vlora tronditet nga krimi, si u ekzekutua nga maskat 33-vjeçari

Vlora është tronditur sërish mesnatën e të enjtes nga krimi, ku nga breshëritë e plumbave në një lokal nate mbeti i vrarë një i ri dhe u plagosën tre të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Ujit të Ftohtë në një lokal nate. Ergys Gjioveshaj, 33 vjeç, mbeti i vrarë nga breshëritë e automatikut, ndërsa ndodhej në shoqërinë e një vajze, Arta Lukaj, e cila mbeti e plagosur. Po ashtu nga breshëritë e plumbave mbetën të plagosur edhe shtetasit Florin Hilaj, i cili ishte muzikant si dhe Aronel Llanaj, kamerier.
Burimet e policisë bënë të ditur se kanë qenë dy persona të pa maskuar, të cilët rreth orës 23:20 janë futur në ambientet e një lokali nate me muzikë, që ndodhej poshtë një pallati në zonën e “Ujit të Ftohtë” dhe kanë qëlluar në drejtim të tavolinës ku ndodhej 33-vjeçari Gjioveshaj. Sipas informacioneve të para nga grupi hetimor, njëri prej dy personave të maskuar ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të 33-vjeçarit. Gjioveshaj ka marrë 6 plumba në trup që i shkaktuan vdekjen.
Si pasojë e të shtënave të plagosur kanë mbetur dhe shtetasit Florin Hilaj, i cili është muzikant si dhe Aronel Llanaj, kamerier. Po kështu është plagosur Arta Luka, e cila mendohet se ka qenë në një tavolinë me viktimën. Personat e plagosur janë shoqëruar drejt spitalit, ku Llanaj është më rëndë dhe po mjekohet në Spitalit të Traumës, pasi plumbi e ka kapur në artierie.
Policia dhe Prokuroria po hetojnë për pistën e vrasjes për hakmarrje. Megjithatë nuk përjashtohet as pista e një vrasje për shkaqe banale, pasi disa dëshmitarë kanë thënë se sherri ishte momental mes autorëve dhe viktimës për muzikën në lokal.
Sipas policisë, viktima është përfshirë në një krim kur ishte 16 vjeç dhe është dënuar për vrasje. Në qershor të vitit 2011, ai është kapur në Austri, ku qendronte i fshehur pas vrasjes. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë në 2001 e ka dënuar Gjioveshajn së bashku me Florian Meçen për vrasje me paramendim, në bashkëpunim. Ai ishte dënuar me 12 vjet burgim, kurse Florian Meçe me 22 vjet burgim për vrasjen e Laert Allushit.

Exit mobile version