Në Shqipëri Presidenti Ilir Meta tha sot se “zgjedhje në 30 Qershor ligjërisht nuk ka e nuk do të ketë”. Në një dalje publike pas vendimit të djeshëm të Kolegjit Zgjedhor, Kreu i Shtetit tha se ky vendim “ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e Partisë Socialiste dhe organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm në 30 Qershor”.
Ishte Partia e Unitetit Kombëtar (PUK), e cila vuri në lëvizje Kolegjin, pasi më parë i kishte kërkuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të çrregjistrohej nga pjesmarrja në zgjedhjet vendore, duke qenë se Kreu i Shtetit kishte vendosur anullimin e 30 Qershorit.
Por KQZ-ja e kishte rrëzuar këtë kërkesë. Duke njohur si të drejtë, vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, lidhur me kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar, Kolegji praktikisht ka njohur 30 Qershorin si datën e zhvillimin të zgjedhjeve vendore.
Por për presidentin Meta “institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga kjo gjykatë zgjedhore si palë në proces, e për rrjedhojë vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik, qoftë për Dekretin, ashtu edhe për anulimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë proces – nënvizoi Kreu i Shtetit – Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë kushtetuese të Dekretit të Presidentit të Republikës, pasi një tagër të tillë nuk ia njeh Kushtetuta”.
Zoti Meta tha se sipas tij “vendimi i djeshëm i marrë nga Kolegji Zgjedhor është një truk procedurial për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ-së dhe është një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhe jashtë vendit për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit, por kurrsesi, ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës”, u shpreh presidenti sipas të cilit vendimi i Kolegjit, “është i orkestruar dhe i paralajmëruar prej kohësh, është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës”.
Sipas zotit Meta, vendi “është në një situatë paradoksale ku, Presidenti i Republikës në zbatim të Kushtetutës ka anuluar me Dekret një proces zgjedhor monist, që ishte planifikuar për t’u mbajtur më datë 30 qershor, ndërkohë që mazhoranca dhe organizata socialiste e KQZ-së, në paligjshmëri të plotë, vijojnë “teatrin” për të zhvilluar një proces votimesh që tashmë ligjërisht nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë”.
Presidenti theksoi dhe një herë se “vetëm Gjykata Kushtetuese, dhe vetëm ajo, mund të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës”, ndërsa shtoi se “ky akt është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë në Republikën e Shqipërisë”.
Shumica e majtë e ka konsideruar që në fillim si “të pavlefshëm” dekretin e Presidentit Meta dhe vijon fushatën e saj elektorale, ndërkohë që opozita e cila i ka bojkotuar zgjedhjet vendore, këmbëngul duke deklaruar se nuk do të lejojë zhvillimin e tyre.
Javën e shkuar në shumë prej qyteteve ku bashkitë drejtohen nga përfaqësuesit e opozitës, mbështetësit e saj u mblodhën para Komisioneve zgjedhore zonale. Në disa raste pati dhe përplasje të dhunshme me policinë, e mbështetësit e opozitës mundën dhe të hyjnë brenda mjediseve të Komisioneve duke marrë e shkatërruar materialet zgjedhore.
Komuniteti ndërkombëtar ka vijuar me thirrjet për qetësi dhe shmangien e akteve të dhunës. Dje ministri i jashtëm italian Enzo Moavero Milanesi, pati biseda të veçanta telefonike me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, ku ai theksoi ndër të tjera se “duhet garantuar siguria dhe korrektësia e procesit zgjedhor”.
Por presidenti Ilir Meta u shpreh sot se “nuk kam anulluar zgjedhjet as në Itali, e as në Amerikë apo Kinë. Në Republikën e Shqipërisë, i vetmi institucion që vendos datën e zgjedhjeve është Presidenti”