VOA: Kosova ndjek me vëmendje zgjedhjet në SHBA

Zgjedhjet amerikane po ndiqen me interesim edhe në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara, vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të saj.

Në ditën e zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara, qytetarët në Prishtinë i thanë Zërit të Amerikës se lidhja ndërmjet dy popujve mbetet e palëkundur pavarësisht rezultatit zgjedhor, ndonëse thonë se kanë një lloj lidhjeje të veçantë me demokratët që drejtuan fushatën për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.

Të pyetur nga Zëri i Amerikës qytetarët thonë se nuk presin ndryshime të thella në qasjen e administratës së re amerikane ndaj Kosovës, por shpresojnë për një përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara në përmbylljen e çëshjteve të hapura të Kosovës posaçërisht për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Amerika gjithmonë ka qenë aleat i yni dhe do të jetë pa marrë parasysh kush do të fitojë atje.

Për mua dita më e lumtur e jetës time ka qenë nëntë qershori 1999 kur me ndikimin e Amerikës jemi çliruar dhe jemi këtu.

Unë nuk besoj që mund të ketë diçka të keqe qoftë (Donald) Trump qoftë (Kamala) Harris, besoj që të dy janë të mirë por për Kosovën Amerika është Amerikë, fundi i fundit kushdo le të jetë kryetar Amerika është Amerikë për neve dhe ne më duket se jemi përkrahësit më të mëdhenj në Evropë dhe në botë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Hajrush Redenica.

“Prej që është bërë lufta këtu çdo kryetar që ka qenë dicka ndryshim nuk ka pasur, të gjithë për Kosovën njësoj kanë qenë, edhe (Donald) Trump ka qenë përpara, besoj se është njëjtë për Kosovën”, tha një qytetar tjetër, Isa Gashi.

“Unë mendoj që të dy palët, edhe demokratët edhe republikanët kanë treguar një besueshmëri dhe meritojnë një falënderim për punën që e kanë bërë deri tani.

Neve na ka ndihmuar administrate (Bill) Clinton që kanë qenë demokrat, por na ka ndihmuar edhe administra (George Ë.) Bush që kanë qenë republikan.

Pra këto dy parti neve na kanë formuar si shtet dhe ne u detyrohemi të dyjave. Unë shpresoj që demokratët megjithatë do të jenë më të mirë për neve dhe do të doja të fitoj zonja Kamala Harris edhe për një arsye tjetër që edhe gratë të vijnë në pushtet sepse edhe ato dinë të udhëheqin ndoshta edhe më suksesshëm se burrat në shumë raste”, tha Izet Zhuja.

“Politika amerikane ndaj botës do të jetë e pandryshueshme, varet edhe prej personit i cili do të udhëheq edhe katër vjet të ardhshme, mirëpo për Kosovën ne shpresojmë që politika amerikane kundruall nesh nuk ndryshon.

Prandaj kemi besim të madh, urojmë çdo të mirë dhe le të zgjidhet ai që e do populli.

Kisha dashur shumë që ndikimi i SHBA-së në vazhdimësi të jetë aktiv në zgjidhjen e çështjes që është bërë lëmsh për sa e sa vite, e ka fuqinë, forcën, dijen, drejtësinë dhe shpresoj për më të mirë që do ta bëjnë për Kosovën në vazhdimësi”, tha Gani Berisha.

“Kamala Harris është vazhdimësi e demokratëve, ne jemi fëmija i Amerikës por sidomos i demokratëve. Tash ndoshta edhe (Donald) Trump mund të bëjë diçka më shumë por është rrezik që do t’i këpus gjërat shpejt.

Gjithashtu mendoj që lobi shqiptar atje është më i fortë te demokratët, ka ndikim më të madh te demokratët por sidoqoftë nuk mund të ndryshojë aq shumë politika amerikane ndaj Kosovës”, tha Xhafer Thaçi.

Qytetarët e anketuar nga Zëri i Amerikës shfaqin shpresën për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe atë të integrimeve euroatlantike./VOA

Exit mobile version