VOA/ Kushtetuesja, Zaçaj tentoi shtyrjen e mandatit të vet, Gjykata e e Lartë shpall vakancën

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë njoftoi sot hapjen e procedurës për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë 9 vjeçar, i cili duhet të zëvendësojë kryetaren aktuale të kësaj gjykate, Holta Zaçajn. Vendimi i Gjykatës së Lartë, vjen një ditë pasi zonja Zaçaj, bëri të ditur publikisht se mandati i saj nuk përfundonte më 10 mars të vitit 2025. Komunikimet zyrtare zbulojnë se zonja Zaçaj ka qenë në dijeni të plotë se mandati i saj përfundon zyrtarisht në 10 mars të vitit të ardhshëm, në ndryshim nga qëndrimi publik i mbajtur prej saj. Të paktën dy njoftime të Gjykatës së Lartë në vitin 2021 dhe 2022 për shpalljen e vakancës, përcaktonin qartë afatin. E po ashtu dhe vetë zonja Zaçaj, në aplikimin për kandidimin e saj, i referohet marsit të vitit 2025 si përfundimi i mandatit për të cilin ajo po përfshihej në garë.

Zonja Zaçaj u emërua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në janar të viti 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017. Emërimi i saj, përfshihej në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, të reflektuara dhe në Ligjin për organizmin e Gjykatës Kushtetuese, e cila garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë.

Pikërisht për zbatimin e ciklit të ripërtëritjes, mandati pasues i zonjës Vitore Tusha u kufizua në 8 vjet, në mënyrë që së bashku me mandatet pasuese të ish anëtarëve Sokol Berberi dhe Vladimi Kristo (të përfunduara në vitin 2016), të krijohej grupi i tre anëtarëve, nga një për secilin organ emërtese, që do zëvendësohen në vitin 2025. “Një zgjidhje e tillë konfirmoi përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese si një detyrim kushtetues që prevalon ndaj kohëzgjatjes 9 vjeçare të mandatit të gjyqtarit”, nënvizon Gjykata e Lartë, në njoftimin e sotëm për shpalljen e vakancës, të firmosur nga kryetari i saj Sokol Sadushi.

Zonja Zaçaj, bëri një lëvizje të papritur dje, ndërsa injoroi kuadrin ligjor sipas të cilit ajo ishte zgjedhur, duke e interpretuar vetë, përfundimin e mandatit të saj, jo më 10 mars të vitit 2025, por “bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025”. Ndonëse ajo nuk i referohet asnjë baze ligjore për këtë përllogaritje, si argument për mosnjohjen e 10 marsit 2025, ajo përmendi faktin se sipas saj “as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre”.

Por e vërteta duket se qëndron tërësisht ndryshe. Njoftimi i sotëm i Gjykatës së Lartë, zbulon në fakt se kjo gjykatë, kur ka shpallur dy herë vakancën për mandatin pasues të zonjës Tusha, ka përcaktuar dhe kohën e përfundimit. “Në njoftimin e Gjykatës së Lartë të datës 3.06.2021 është përcaktuar se shpallja e vendeve vakante për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese bëhet si më poshtë: “1. Në vendin vakant që krijohet pas largimit të znj. Vitore Tusha (mandati i plotë 9 vjeçar ka mbaruar në vitin 2017), zgjidhet gjyqtari i ri, i cili qëndron në detyrë deri në mars të vitit 2025”. Për shkak të numrit të kufizuar të aplikantëve, edhe në njoftimin e datës 31.01.2022 të ribërë nga Gjykata e Lartë për plotësimin e vendit vakant pas largimit të znj. Vitore Tusha, është përcaktuar shprehimisht: “…Kryetari i Gjykatës së Lartë rishpall thirrjen për plotësimin e vendit vakant të krijuar nga mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, për pjesën e mbetur të mandatit 9 vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025”, bën të ditur komunikimi i sotëm i Gjykatës së Lartë.

Për tepër që sipas shkresave zyrtare “vetë znj. Holta Zaçaj, në dy kërkesat për shqyrtim aplikimi, që i ka drejtuar Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datat 25.02.2022 dhe 30.11.2022, ka shprehur vullnetin e saj për zgjedhjen në “mandatin e mbetur të mandatit 9 (nëntë) vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025 të znj. Vitore Tusha”, saktëson Gjykata e Lartë.

Këto fakte e rëndojmë edhe më tepër pozitën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, pasi rezulton të ketë ofruar të dhëna të rreme për publikun, e madje bazuar mbi to ajo i është drejtuar dhe Komisionit të Venecias, pa u konsultuar më parë as me trupën e anëtarëve të Gjykatës. Nga ana tjetër, duke përdorur si argumenta të dhëna që nuk qëndrojnë, zonja Zaçaj, ka anashkaluar vetë kushtetutën dhe ligjin, me mos deklarimin e përfundimit të mandatit të saj, duke krijuar në këtë mënyrë dhe një krizë artificiale dhe një përplasje të panevojshme me Gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit ka vlerësuar se ndërsa “nuk është përmbushur nga Gjykata Kushtetuese as detyrimi për deklarimin e mbarimit të mandatit të znj. Holta Zaçaj, as njoftimi nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese për përfundimin e mandatit të gjyqtarit..” vetë Gjykata e Lartë “si organ emërtese është ngarkuar nga neni 125, pika 1 i Kushtetutës të ushtrojë kompetencën e saj ekskluzive për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, pa u penguar nga asnjë organ tjetër kushtetues”.

Gjykata e Lartë vëren se “mosvënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj për të shpallur, jo më vonë se data 10.12.2024, mbarimin e mandatit të znj. Holta Zaçaj, nuk mund të pengojë dhe as të shmangë ushtrimin nga Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të kompetencës kushtetuese për zgjedhjes e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese”. Sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, zotit Sadushi “njoftimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj si një akt formal, shërben për të shpallur një vakancë, të përcaktuar qartësisht në të gjithë procedurën e ndjekur nga Gjykata e Lartë, si organ emërtese dhe nuk sjell asnjë pasojë në vlefshmërinë e procedurës që zhvillohet për këtë qëllim” dhe se në të kundërt “mospërmbushja e detyrimit ligjor nga kryetari i Gjykatës së Lartë për të hapur procedurat për pranimin e aplikimit për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të pengonte Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për fillimin e procedurës së verifikimit dhe renditjes së kandidatëve, si dhe në veçanti Gjykatën e Lartë për ushtrimin e pushtetit të saj kushtetues për të plotësuar vakancën e radhës në Gjykatën Kushtetuese”./VOA

Exit mobile version