Zëri i Amerikës: Nëse një qeveri do të tregojë se ka tolerancë zero, ose që është serioze në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, a nuk do të ishte më i fortë mesazhi drejtuar publikut, duke filluar nga zyrtarët e saj, të cilët mund të dyshohen për afera korruptive?
Fatmir Xhafaj: Nëse do të kishte raste konkrete dhe nëse qeveria e policia do të tërhiqeshin nga hetimi i tyre, kjo do të dëshmonte këtë që ju po flisni. Në çështjet konkrete kjo nuk qëndron për një arsye fare të thjeshtë: njerëzit të cilët janë investiguar, të cilët janë hetuar për këtë veprimtari kriminale janë përfaqësues, apo lidhje të afërta me zyrtarëve të tre forcave politike. Në këtë rast nuk është bërë asnjë përjashtim: askush nuk mund të më provojë mua se ka një rast që është përjashtuar nga ky proces hetimi vetëm për faktin se ka lidhje apo se është pjesë e strukturave të partisë socialiste. Kjo gjë nuk ekziston, të paktën në çështjet, për të cilat po flasim.
Zëri i Amerikës: Ju keni përmendur ekzistencën e 40 grupeve të krimit të organizuar dhe rrjete kriminale. Nga të dhënat që keni ju, a kanë investuar këto grupe edhe në biznese të ligjshme, si një formë për pastrimin e parave, nëse po, çfarë biznesesh?
Fatmir Xhafaj: Besoj që po. Kemi përfunduar identifikimin e këtyre grupeve kriminale, profilet kriminale të drejtuesve të këtyre grupeve kriminale dhe njëkohësisht edhe procesin e skanimit dhe identifikimit të aseteve të tyre që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale.
Shohim që një pjesë e tyre i kanë investuar të ardhurat e krijuara nga veprimtaria kriminale në një sërë aktivitetesh të paligjshme siç janë investime në fushën e turizmit, në krijimin e shoqërive të ndryshme tregtare me objekte që i shërbejnë për të rritur fitimet dhe për të pastruar paratë, dhe këto janë pjesë e një sërë procesesh, që ne kemi hapur në këtë fushë.
Kjo ishte edhe një nga temat, që e diskutova gjerësisht edhe me zyrtarët e lartë të FBI-së dhe DEA-s për shkak se, pavarësisht vullnetit të mirë dhe dëshirës së mirë që ne kemi, është shumë e rëndësishme që të sigurojmë edhe mbështetjen e nevojshme për të ndjekur rrugën e parasë, për të patur hetime shumë më të suksesshme, lidhur me pastrimin e parave apo pastrimin e produkteve, që rrjedhin nga një veprimtari kriminale. Në këtë kontekst është shumë e nevojshme shkëmbimi i informacioneve me agjenci të tilla ligjzbatuese edhe me agjenci të vendeve të tjera. Kemi rënë dakord që FBI dhe DEA, secila në fushën e vet, të japin më shumë mbështetje në këtë aspekt, duke ndihmuar në hetimet pasurore për këto grupe kriminale.