VOA: Senatorët paralajmërojnë efektet destabilizuese të Soros

Një grup ligjvënësish amerikanë i kanë kërkuar sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson sqarime për ndihmat amerikane në Maqedoni dhe Shqipëri.
Duke ngritur shqetësimin se ato mund të mos jenë në shërbim të interesave strategjike apo ekonomike amerikane, grupi i përbërë nga 6 senatorë, shumica anëtarë të Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, në letrën e tyre, që mban datën 14 mars theksojnë se, “Ne kërkojmë që ju të përdorni autoritetin tuaj për të hetuar gjithë fondet amerikane që lidhen me nxitjen e demokracisë dhe mirëqeverisjes dhe të rishikoni programet, llogaritë dhe shumëllojshmërinë e organizatave të ndryshme amerikane që janë të përfshira në këto aktivitete”.
Senatorët kërkojnë shpjegime mbi aktivitetin e misionit diplomatik amerikan në Shkup, pasi shprehen se kanë marrë “njoftime të besueshme se gjatë viteve të fundit ky mision ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikat partiake në Maqedoni, si dhe në zhvillime që u japin formë mjedisit mediatik dhe jetës civile në vend, shpeshherë në favor të forcave politike me kahje majtiste”.
Në letrën e tyre senatorët përmendin fondet e qeverisë amerikane të ndihmave që u janë akorduar shoqatave si Fondacionit Shoqëria e Hapur të biznesmenit George Soros. Senatorët ngrenë shqetësimin se përmes këtyre fondeve, Fondacioni Shoqëria e Hapur po mbështet një axhendë politike të grupeve të majta, ndërkohë që duhet të mbështesë politika që u shërbejnë interesave strategjike amerikane, pa shkaktuar dëme në marrëdhënie me vende ku përdoret kjo ndihmë.
Senatorët shprehen të shqetësuar lidhur me pretendimet që kanë dëgjuar “nga udhëheqës të respektuar në Shqipëri se diplomatë amerikanë dhe organizata të mbështetura nga Sorosi po i mëshojnë një objektivi politik” atje. Në letrën e tyre senatorët ngrenë pretendimin se zyra e Fondacionit Shoqëria e Hapur në Shqipëri, me ekspertët e saj, e mbështetur me fonde nga USAID, “ka krijuar dokumentin strategjik për reformën e gjyqësorit në Shqipëri. Disa udhëheqës në vend besojnë se këto ‘reforma’ kanë për synim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor”, thuhet në letër.
Senatorët paralajmërojnë se efektet destabilizuese të këtyre veprimeve janë të qarta dhe përbëjnë kërcënim për një shkallëzim të mëtejshëm të situatës në Shqipëri, ndërkohë që vendi përgatitet për zgjedhje.
Letra mban firmat e senatorëve Michael Lee, James Inhofe, Thom Tills, David Perdue, Ted Cruz dhe Bill Cassidy.

Exit mobile version