VOA: Serbia në fushatë kundër Kosovës në KiE dhe kundër rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë

Zyrtarë të qeverisë serbe thanë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u ka nisur të premten letër presidentit francez Emanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Sholz dhe udhëheqësve të tjerë evropian për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithë thirrjet perëndimore për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Po të premten, presidenti serb takoi ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës në përpjekjet e Serbisë kundër miratimit të mundshëm të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi gjenocidin në Srebrenicë.

Presidenti Vuçiç, i ka cilësuar këto dy çështje si “sfida të rënda” para Serbisë. Javën e kaluar urdhëroi qeverinë e tij të themelojë një grup punues për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare e këtij mekanizmi pritet të votojë me 16 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave.

Të enjten në mbrëmje presidenti serb i cili mblodhi në Beograd udhëheqësit e qeverisë së tij dhe ata të Republikës Serbe, sërish përvijoi mundësinë qe vendi i tij të tërhiqet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet anëtare e tij, ndërsa kritikoi ashpër vendet kryesore perëndimore që kritikuan Listën Serbe në Kosovë për shkak të thirrjeve të saj për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.

“Ata duhet të turpërohen”, tha ai, duke i akuzuar perëndimorët se duan ta bëjnë Kosovën pjesë të Këshillit të Evropës “pa plotësimin e kushteve”, duke vënë theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 27 mars Komiteti për Politikë dhe Demokraci i dha dritën jeshile kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Serbia votoi kundër.

Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

Vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një levë për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Presidenti serb Vuçiç, takoi të premten ambasadorin kinez në Beograd për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës “në luftën për të vërtetën para Kombeve të Bashkuara”.

Me 17 prill në OKB pritet të prezantohet një projekt-rezolutë që shpall 11 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ruanda dhe Gjermania po udhëheqin këtë përpjekje, por sipas informacioneve që ka siguruar Zëri i Amerikës, pjesë e kësaj nisme janë edhe Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnja, Kili, Finlanda, Zelanda e Re, Turqia, Franca dhe vende të tjera.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Megjithë vendimin e gjykatave ndërkombëtare se në Srebrencië është kryer gjenocid, Beogradi e mohon një gjë të tillë.

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe ai ushtarak Ratko Mladiç, janë dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e OKB-së për krime lufte në ish Jugosllavi, për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë.

Presidenti serb e cilësoi nismën për rezolutën në OKB, si “të pafytyrë” duke theksuar se Serbia “do t’u kundërvihet vendeve të NATO-s, nga Gjermania në Turqi”.

Presidenti pro rus i Republikës Serbe, Milorad Dodik, paralajmëroi se parlamenti i entitetit të tij do të ndërmarrë veprime për t’i braktisur institucionet vendimmarrëse në Bosnje, nëse kalon rezoluta, që sipas tij “synon t’i bëjë serbët kolektivisht fajtorë për gjenocid”, duke mohuar sërish që kjo të ketë ndodhur në Srebrenicë.

Milorad Dodiku është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përpjekjeve për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë.

Qeveria e Republikës Serbe nisi në fund të marsit procesin e miratimit të ligjit të saj zgjedhor me të cilin synon të marrë kompetencat nga autoritetet qendrore të Bosnjës.

Të premten ambasada amerikane në Sarajevë tha se krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga qeveria e Republikës Serbe do të ishte antikushtetues dhe kundër marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë me 1995.

“Milorad Dodik gabon nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë ndërsa ai ndjek agjendën e tij ndarëse dhe e shtyn Bosnjën drejt konfliktit”, thuhet në një postim të ambasadës amerikane të shpërndarë në rrjetin X, duke nënvizuar se “çdo përpjekje e një entiteti apo ndonjë njësie tjetër nënshtetërore për t’u shkëputur është një veprim kundër Dejtonit që nuk do të tolerohet”.

Perëndimi është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Bosnje për të shmangur një pjesë të vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Bosnja mbetet etnikisht e tensionuar dhe politikisht e brishtë pas luftës së viteve 1992-1995 që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur./VOA

Exit mobile version