Në Shqipëri, seanca e sotme e parlamentit u mbizotërua nga kaosi dhe përplasjet mes opozitës dhe shumicës. Deputetët demokrat të cilët kishin hyrë më herët në sallë, mblodhën të gjitha karriget duke i grumbulluar ato përpara foltores së parlamentit, një veprim i cili u shoqërua dhe me konflikte direkte mes tyre dhe kolegëve socialistë.
Qëndrimi i sotëm opozitës ishte paralajmëruar prej saj, ndërsa drejtuesit demokratë ishin shprehur hapatzi se “nuk do të ketë zhvillim normal të punimeve të parlamentit, përsa kohë nuk do të respektohen të drejtat e opozitës”. Deputetët demokratë akuzojnë socialistët se po u refuzohet e drejta e tyre kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, apo se dhe për cakton përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Reformës zgjedhore.
Pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të bllokuar punimet, socialistët zgjodhën të qëndrojnë në këmbë, ndërkohë që kryetarja e parlamentit vijoi procedura të përshpejtuara për miratimin e çështjeve në rend të ditës. Nga foltorja e parlamentit deputeti demokrat Ervin Salianji, ndezi njëri pas tjetrës disa tymuese. Punonjësit e gardës, u përpoqën disa herë për t’ja marrë ato nga dora duke i nxjerrë jashtë sallës. Përballë tij, në krahun e majtë, socialistët ngrinin kartonat për miratimin e akteve dhe ligjeve të ndryshme, pa asnjë debat, apo diskutim. E gjithë seanca zgjati pak më shumë se 25 minuta.
Ish kryeministri Sali Berisha tha pas mbylljes së seancës se ajo që ndodhi sot ishte një “reagim me forma të mosbindjes civile dhe një protestë nga deputetët e opozitës me kërkesën e prerë të rikthimit të të drejtave të tyre kushtetuese. Jemi opozita e të drejtave të mohuara, si kurrë ndonjëherë në 32 vite”, u shpreh ai.