Një javë më parë, 9 persona, administratorë dhe përmbaruesë nga institucionet financiare Micro Credit Albania, ADCA, si dhe shoqërive përmbaruese Zig, FS, FLASH, u arrestuan, 5 prej tre me burg dhe 4 të tjera me arrest shtëpie. Janë pikërisht llogaritë e këtyre të fundit dhe të shoqërive Microcredit Albania. shpk dhe Final shpk, ato që janë vënë nën sekuestro.
Sipas prokurorëve, një masë e tillë ka qenë e nevojshme “ekziston rreziku që vlerat monetare në llogaritë e tyre, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen”.
Në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës, shpjegohet se personat dhe kompanitë e dyshuara”kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme. Për to, ka dyshime se lidhen me vepra penale të kryera nga këta shtetas dhe këto shoqëri gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara”.
Pas arrestimeve të javës së shkuar, Banka e Shqipërisë njoftoi se i kishte revokuar menjëherë licencat e shoqërisë Micro Credit Albania, e cila ishte e pezulluar në shkurt të këtij viti, si dhe licencën e shoqërisë Final dhe se ndërkohë po shqyrtonte kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të këtyre dy shoqërive./VOA