Prokuroria e Korçës kërkon dënimin me 2 vjet burgim për ish-drejtorin e Shëndetit Publik Devoll, Valent Nallbati, si edhe 1 vit e 6 muaj burgim për inxhinierin Panajot Pilani, të dy të akuzuar se kanë kryer procedura fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit të drejtuar nga Nallbati. Procesi ndaj tyre është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata do të përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit, nëse shpallen fajtorë nga Gjykata.
Ish-zyrtari dhe inxhinieri akuzohen për ‘falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre” pasi, në vitin 2015, kanë realizuar procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit, për punime, të cilat ishin kryer në vitin 2011. Hetimi ndaj të pandehurve është zhvilluar fillimisht me masën e sigurimit “arrest në burg”, e cila u ndryshua nga Gjykata e Apelit në “detyrim për paraqitje”.
Prokuroria e Korçës ka nisur hetimin pas një letre anonime të mbërritur në zyrën e saj, në të cilën kallëzohej fakti se nga ana e drejtorit Rajonal po zhvillohej një procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit që ai drejton. Po ashtu, letërshkruesi anonim vinte në dijeni se drejtori kishte kryer disa pune “dekorative” me shpenzimet e tij dhe për këtë arsye po zhvillonte një tender fiktiv, për të marrë pas paratë që kishte shpenzuar. Gjithnjë sipas kallëzimit, ishte paracaktuar edhe një kompani me qendër në Tiranë, e cila do të fitonte tenderin.
Në kuadër të veprimeve verifikuese, Prokuroria e Korçës konstatoi se godina e Drejtorisë së Shëndetit Publik ishte rikonstruktuar në vitin 2011 dhe ndërkohë nuk po kryhej asnjë punim në të. Në vijim, u konsultua buletini i Prokurimit Publik, në të cilën u konstatua se ishte bërë procedura e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe ishte shpallur fitues kompania “E….” shpk, me seli dytësore në Kamëz, Tiranë.
Vlera e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik Devoll ishte parashikuar rreth 2.4 milionë lekë. Nga buletini i Prokurimit Publik rezulton se, kompania “E….” shpk ishte shpallur fitues me ofertën 1.7 milionë lekë, dukshëm nën koston e asaj që ishte parashikuar në dosjen e tenderit. Në bazë të ligjit të “Prokurorimit Publik”, kompania fituese e tenderit duhej të ishte skualifikuar për “ofertë anomalisht të ulët”. Por, nga ana e entit kontraktues kompania është shpallur fituese fillimisht. Gjithsesi, pas ankesave ndaj kësaj procedure prokurimi, enti prokurues, Drejtoria e Shëndetit Publik, ka anuluar procedurën.
Por, pavarësisht se është anuluar procedura, Prokuroria e Korçës vlerëson se nga ana e drejtorit Rajonal, Valent Nallbati, janë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Kjo, për faktin se nga ana e zyrtarit janë kryer të gjitha procedurat fiktive për realizimin e prokurimit publik.