Vokshi: Aty ku mungon shteti ligjor triumfojnë bandat

Deputetja e PD-së, Vokshi, në fjalën e saj në Lëvizjen e Këshillit të Evropës ‘NO HATE’ (kundër urrejtjes), tha se kjo lëvizje është e rëndësishme dhe jetike për të Drejtat e Njeriut edhe në Shqipëri.
Ajo theksoi se plan Veprimi i Këshillit të Evropës për Shqipërinë 2015-2017 përcakton angazhimet për të përmirësuar legjislacionin dhe mekanizmat vepruese për 4 fusha: Median, Korrupsionin, Drejtësinë dhe Diskriminimin. Në 3 nga këto 4 drejtime në këtë Plan Veprim janë sot në Shqipëri në një pikë kritike.
“Propaganda qeveritare, shpesh herë, për të mbrojtur korrupsionin e përhapur në çdo sektor jetik nxit urrejtjen, shfrytëzimin dhe diskriminimin e më të dobtëve, më të pambrojturve e më të varfërve. A është tolerancë apo arrogancë e pushtetit nëse palët e interesit, Shoqëria Civile sindikatat mënjanohen nga çdo proces vendimmarrës apo llogaridhënës? A është tolerancë apo arrogancë e pushtetit nëse opozita shpërfillet? A është tolerancë apo arroganca e më të fortit, e veshur dhe me numër votash, që as nuk sheh, as nuk dëgjon e aq më pak vepron dhe reagon? Ku vota shpesh kthehet në veto? Opozita nuk është armiku!”
Më tej në fjalën e saj, Vokshi theksoi se në çdo vend ku dominon diskriminimi politik dhe ku mediat kontrollohen e censurohen, korrupsioni dhe pushteti i bandave do triumfojnë.
“Në çdo shtet ku dominon diskriminimi politik, varfërimi i tejskajshëm i shoqërisë, ku kontrollohen e censurohen mediat, ku shteti ligjor nuk funksionon, korrupsioni dhe pushteti i bandave të krimit do të triumfojë. Më duhet ta pohoj me keqardhje se shpesh duket sikur në Shqipëri ka një lëvizje në drejtim të kundërt me lëvizjen ‘NO HATE’ atë të Këshillit të Evropës. Gjuha e dhunës, fyerjet e qëllimshme, ja kanë dalë të ç’orientojnë opinionin e brendshëm e të huaj, duke shmangur vëmendjen për të mbuluar të vërteta të dhimbshme për shoqërinë shqiptare”.
Vokshi tha se Parlamenti dhe kryeministri i vendit nuk shërbejnë si model për sa i përket etikës, pasi sidomos kreu i qeverisë është ai që më së shumti përdor gjuhën e urrejtjes ndaj medias, anëtarëve të Parlamentit dhe njerëzve të thjeshtë.
“Parlamenti nuk shkëlqen si model. Mbi të gjithë, në këtë moshkëlqim, kryeson me shumë vende bosh pas tij, vetë Kryeministri. Gjuha e urrejtjes ndaj atyre që kryeministri i quan media “të kazanit”, fyerja e vazhdueshme ndaj gazetarëve, analistëve, medias si pushtet i katërt, është absolutisht e papranueshme, e dënueshme. Për këtë arsye, sjellja dhe fjalët e kryeministrit janë të pafalshme, të patolerueshme e të papranueshme. Shpërfillja, tallja dhe dhuna verbale që ushtrohen në mënyrë sistematike ndaj grave përcjellin dhe prodhojnë dhunë tek të tjerët”.

Artikulli paraprakVasili: Këshillat për zgjedhjen e njëanshme të kryeprokurorit, klientelizëm politik
Artikulli tjetërRama pastrim parash me tenderin për Rrugën e Arbërit