Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi denoncon largimin nga detyra të Drejtoreshës së Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Hasanaj, nga Ogerta Manastirliu.
“Para disa ditësh është larguar nga detyra, Drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Hasanaj. Shkaku nuk bëhet i ditur.
Njoftimi i shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë është ai më poshtë. Thuhet se largimi i saj lidhet me një video që i ka shkuar Ministres së Shëndetësisë e cila i ka kërkuar më pas dorëheqjen”, shkruan ish-deputetja në një status në rrjetet sociale.
Vokshi pyet pse nuk ka transparencë nga Ministrja e Shëndetësisë.
“Pse Ministrja Manastirlliu nuk bën publike videon? Pse nuk bën transparencë për largimin e drejtoreshës më të rëndësishme të cilës i kishte deleguar shumë kompetenca?
Këtej prishin shtëpitë e ndërtuara me para djerse e gjaku, nga ana tjetër mbrojnë e mbulojnë shkelësit e ligjit dhe ekipin KÇK të shëndetësisë”, shton ish-deputetja.