Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi ka reaguar pas deklaratave të gënjeshtra të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Më herët gjatë kësaj të marte, zyra e shtypit e Bashkisë Tiranë ka shpërndarë një lajm që Veliaj, paratë e dëmshpërblimit nga gjyqi i fundit i fituar për shpifje me Vokshin, ia dhuroi shkollës ‘16 shtatori’. Lajmi në fakt rezulton një gënjeshtër, pasi Veliaj nuk ka marrë para nga gjyqi, për sa kohë vendimi i dhënë nga shkalla e parë është apeluar.
Në një status në Facebook, Vokshi publikon dokumentin që provon se vendimi i dhënë në shkallë të parë në favor të Veliajt është ankimuar.
“Erjon Veliaj mashtron përsëri. Erjon Veliaj gënjen për dëmshpërblimin nga gjyqi. Çështja është në apel (foto bashkangjitur), ndaj edhe nuk ka marrë asnjë qindarkë nga unë”, shkruan Vokshi.
Ish-deputetja shton se Veliaj, “mund të ketë përdorur para nga taksat tona apo para korrupsioni për të bërë shfaqjen e radhës propagandistike duke u tallur me nxënës e mësues, për të shpërndarë më pas në media, titrat e gatshme të shkruara në zyrën e tij në bashki”.
Ajo kërkon transparencë nga kryetari i Bashkisë Tiranë.
“Meqënëse nga unë e kolegët e mi opozitarë Veliaj nuk ka marrë asnjë qindarkë, ai sot të bëjë transparence e të tregoje nga cilat fonde i ka blerë apo kush ja ka financuar kompjuterat që shpërndan nëpër shkolla”, shprehet Vokshi.
Ish-deputetja e i kujton Veliajt edhe rastin e Ardit Gjoklajt, 17-vjeçari i cili gjeti vdekjen teksa punonte në landfillin e Sharrës. Rast të cilin Veliaj u përpoq ta fshihte, duke ndikuar edhe në pushimin nga të gazetarëve dhe mbylljen e emisioneve televizive.
“E nëse ka fonde mjaftueshëm, do t’i sugjeroja t’ja dhurojë ato familjes së Ardit Gjoklajt”, e mbyll Vokshi reagimin e saj.
Lidhur me deklaratat e Veliajt ka reaguar edhe avokati Ledoi Braho. “Lali paska blerë sërish kompjutera me lekë të pretenduara nga një gjyq i fituar, po vetëm “drejtësia” e propagandës së tij merr lekë nga vendime të gjykatës së shkalles së parë të ankimuara. Janë pikërisht këto lajme që tregojnë se kush është shpifësi më i madh në Tiranë…”, shprehet avokati përmes një reagimi në rrjetet sociale.