Vollga dhe fshat turistik në Gjirin e Lalzit, disa nga pronat e kryekriminelit

Lista e pronave të Shullazit të zhvatura përmes kërcënimeve me jetë është e gjatë. Në qytetin e Durrësit, përveç pronësisë së Hotel “Vollgës”, Shullazi kohët e fundit ka marrë një leje të firmosur nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako për ndërtimin e një fshati turistik në Gjirin e Lalzit. Por krahas kësaj leje, Shullazi ka marrë pothuajse nën zaptim gjithë bregdetin e Durrësit përmes pesë kompanive të tij për të menaxhuar sezonin turistik, ndërsa ka marrë në pronësi gjithashtu edhe një territor rreth kodrës mbretërore. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një dokument, në të cilin tregohet se si Emiljano Shullazi ka përvetësuar hotelin e njohur në Durrës, Hotel “Vollga”, si dhe ka marrë një leje nga Dako për ndërtimin e fshatit turistik në Lalz.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Berisha ka theksuar se Shullazi ka kërcënuar kreun e Hipotekës së Durrësit, si dhe ai kishte pasur konflikte me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon. “Prona tek ‘Vollga’ është bërë mollë sherri mes bandave të qeverisë. Siç kam shkruar në faqen time në Facebook, para 16 muajsh për këtë pronë pati një aferë të rëndë, ku bandat e qeverisë e kërcënuan me jetë kryeregjistruesin.  Ndërsa për Vit të Ri 2016 u vra në mënyrë të mistershme në Durrës një i ri me mbiemrin Kodra, por që nuk dihet nëse ka lidhje me pronën tek ‘Vollga’.  Por përveç këtyre, burime nga Durrësi, qytet në të cilin Mili i Partisë kishte zhdëpur Gjushin e Bashkisë, informojnë se dy muajt e fundit ka marrë miratimin e këtij të fundit për ndërtimin e një fshati turistik në Lalz. Përveç këtyre, Milit të Edvin Shullazit i janë dhënë në Durrës kodra mbretërore territori, rreth pallatit mbretëror. Ai me 5 kompani ka marrë në përdorim për sezonin turistik të gjithë bregdetin e Bashkisë Durrës”, thekson Berisha në postimin e tij.  Ish-Kryeministri thekson se ky kriminel së bashku me drejtorin e Policisë së Durrësit, narkotrafikantin Pleurat Çullhaj (drejtori i vetëm që në tre vjet nuk ka lëvizur nga detyra dhe që vetëm në konto bankare ka 3 milionë euro) kontrollojnë këtë vit të gjitha plantacionet e pafundme të kanabisit në territorin e Qarkut të Durrësit. Ai ka bllokuar tenderin e landfillit të Maminasit. Berisha i bën thirrje Prokurorisë të mos privohet nga presioni politik duke evituar bllokimin e hetimeve. “Duke shprehur mbështetjen time më të plotë për goditjen e njërit prej eksponentëve më kryesorë të krimit qeveritar, i bëj thirrje Prokurorisë të qëndrojë me vendosmëri ndaj çdo presioni politik që kërkon të bllokojë hetimet dhe të pengojë shembjen e perandorisë së krimit të shullazëve të pushtetit! I bëj thirrje qytetarëve të ndihmojnë hetimin e kësaj organizate kriminale me çdo të dhënë që ata disponojnë”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

E vërteta e pronësisë së “Vollgës”

Pronësia e ish-Hotel “Vollga” në qendër të qytetit të Durrësit është mbështjellë për momentin me mister se si një nga asetet kryesore të qytetit bregdetar është në dorë të Emiljano Shullazit.
Në kartelën e pasurisë, e bërë publike tashmë, konstatohet lëvizja e pronësisë gjatë viteve të fundit.
Nga informacionet e siguruara nga “Boldnews.al”, rezulton se në vitin 2003, me vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronësia e ish-Hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi. Kjo e fundit, në të njëjtën ditë që ka bërë regjistrimin e pronës në Hipotekë, ka dorëzuar edhe një “trashëgimi testamentare” në emër të shtetasit Zamir Hasa.
Pronarja e ligjshme, Alie Fortuzi, e shkuar në moshë dhe e vetme, prej vitesh ishte ndihmuar nga Hasa për kryerjen e nevojave të përditshme. Në shenjë respekti për angazhimin e Hasës për shëndetin e saj, ajo ka vendosur që pronën, “ish-Vollgën”, t’ia japë me testament atij, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit.
Gjithnjë duke parë dokumentin e publikuar, rezulton se po në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer.
“Boldnews.al” ka mësuar se, për këtë kontratë shitjeje, trashëgimtari testamentar Zamir Hasa, ka ndjekur rrugën gjyqësore, pasi ka paraqitur pretendimin se është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive.
Procesi gjyqësor ka vijuar në tre shkallët e gjyqësorit. Në kohën që Gjykata e Lartë, me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, Gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.
Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator.
Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove shtetasve Fejzi dhe Marjeta Kodra. Këta dy shtetas, për të cilët ka dyshime mbi mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë, vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre.
Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company”, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit.
Nuk ka asnjë shpjegim se përse është bërë ky dhurim.

Arben Shahini

Exit mobile version