Vota në OKB, vjen penalizimi i parë për Shqipërinë

Deputeti demokrat Gent Strazimiri ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me pozicionin e mbajtur nga Shqipëria në OKB, ku së fundmi votoi pro rezolutës së paraqitur nga Turqia, që kundërshtonte qëndrimin e SHBA për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Strazimiri i është referuar pritjes së organizuar nga Ambasadorja amerikane në OKB me përfaqësuesit e vendeve që abstenuan ose votuan kundër rezolutës, ku Shqipëria nuk renditej. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë falënderuar zyrtarisht 64 shtetet miq që iu gjendën pranë, në atë që zyrtarisht e quajnë “ditë të vështirë” dhe “kohë sfidash”! Unë nuk e di cilëve prej këtyre 64 miqve, SHBA u është gjendur në krah në ditën e tyre më të vështirë “me pushkë në faqe” siç i themi ne, por di që ne ndër këto 64 miq të SHBA nuk ishim! P.S. Si emigrohet për në UN? Unë dua të kem këtë zonjën ambasadore amerikane”, shkruan Strazimiri, duke postuar edhe disa foto nga pritja e organizuar nga Ambasadorja e SHBA në OKB.

Pritja e ambasadores së SHBA në OKB

“Një natë fantastike e miqve”, kështu e konsideron ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley takimin e organizuar prej saj me 64 përfaqësuesit e shteteve që u shprehën kundër, abstenuan dhe nuk morën pjesë në votimin e organizuar në Asamblenë e Përgjithshme, për rezolutën ku dënohej vendimi i presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit kryeqytet i Izraelit. Shqipëria nuk ishte pjesë e këtij takimi, pasi votoi pro rezolutës, duke dënuar presidentin Trump. Megjithatë, ambasadorja Haley ka ftuar në takim konsullen e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija. “Jam mirënjohëse për miqësinë e madhe midis SHBA dhe Kosovës. Faleminderit Nikki Haley që fton Kosovën në të gjitha aktivitetet e Ambasadës së SHBA-së në OKB”, shkruan Sahatqija. Kjo ftesë e ambasadores Haley ka bërë një diferencë të qartë midis Kosovës dhe Shqipërisë. Një ditë, pasi Tirana votoi pro rezolutës, Presidenti kosovar, Hashim Thaçi u shpreh se, Prishtina do të rreshtohej në krah të Uashingtonit nëse do të kishte të drejtë vote. Ndërkohë, vetë ambasada ka dhënë një mesazh të qartë për shtetet që votuan pro dënimit të vendimit të Trump: “Është e lehtë për miqtë të jenë me ty në kohë të mira, por janë miqtë që qëndrojnë me ty në kohë sfidash ata që nuk do të harrohen kurrë. Faleminderit të 64-ve”, shkruan politico.al.

Exit mobile version