120 persona po punojnë me tre turne në qendrën për votimin nga jashtë, në mënyrë që të bëhen gati zarfet me materiale zgjedhore që do tu dërgohen votuesve të regjistruar në diasporë.
Me përjashtim të pak fletëve të votimit në Fier, ka përfunduar vulosja e 245 mijë fletëve dhe futja e tyre në zarfin e parë A.
Këtë të diel puna vazhdon me një proces zinxhir, ku çdo votuesi në diasporë i shkon një zarf i personalizuar.
Fleta e votimit e qarkut nga ku vjen qytetari, pasi është vulosur dhe futur në një zarf të anonimizuar A, futet pastaj në një zarf më të madh B, i cili mban të dhënat e koduara të çdo zgjedhësi.
Më pas kompania postare e merr zarfin B, e fut në zarfin e verdhë të postës, bashkë me një udhëzues, një listë me kontakte të kompanisë nëpër botë, si dhe një zarf tjetër postar për kthimin e votës.
Kompania postare bën mbylljen e zarfit me kodet e adresës, dhe pastaj i merr në dorëzim ato për t’i shpërndarë në 85 shtete të botës.
Aktualisht janë përgatitur rreth 10 mijë sete, dhe dërgesa e parë pritet të bëhet këtë të hënë, duke shënuar për herë të parë për Shqipërinë, “votat e hershme”, pasi praktikisht nga e marta e tutje, dikush mund të votojë pa pritur 11 majin.
Ata që janë refuzuar, apo nuk janë regjistruar në KQZ, vijojnë ta kenë emrin në listën e zgjedhësve në Shqipëri dhe mund të vijnë fizikisht të ushtrojnë të drejtën e votës.