Kryetari i PD, Lulzim Basha konfirmoi dje votën pro të grupit parlamentar demokrat në lidhje me ligjin për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, ku përfshihet edhe ngritja e Byrosë së Hetimit. Basha paralajmëroi se nëse ngritja e kësaj strukture do të zbatohet atëherë ajo, do të jetë makthi i çdo qeveritari të korruptuar, i çdo qeveritari të lidhur me krimin, duke nisur me ministrin e Brendshëm, Kryeministrin dhe ministrat e tij.
– Nuk ka zgjatur shumë mbledhja, z. Basha, mesa duket jeni të qartë për qëndrimin që do të mbani nesër (sot) në Parlament?
Po jemi të qartë, të vendosur dhe për sa mund të jesh i gëzuar në Shqipërinë e sotme, momenti që kemi pritur dhe kemi kërkuar prej janarit të këtij viti, më në fund ka ardhur. Ligji për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, përfshi Byronë Kombëtare të Hetimit, sipas standardeve të Komisionit të Venecias është gati për miratim në Kuvendin e Shqipërisë dhe nesër (sot) do të ketë votën e plotë të Partisë Demokratike.
Një ligj, i cili pati pengesa dhe stërkëmbësha të të gjitha natyrave. Së pari, u projektua si një vegël e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Dy herë Venecia u detyrua të ndërhynte në mënyrë që të bënte atë për të cilën është planifikuar dhe votuar më 22 korrik, të luftojë korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.
Edhe javët e fundit Edi Rama dhe Saimir Tahiri bënë gjithçka që kësaj strukture të veçantë, e cila do të ngrihet me ndihmë, trajnim dhe financim të partnerëve tanë strategjikë, t’i vendosnin mbi kokë figura politike, të cilat sot zaptojnë zyrat e shtetit, siç janë të emëruarit e Edi Ramës në Drejtorinë e Pasurimit të Parave apo në Drejtorinë e Informacionit të Klasifikuar.
Falë qëndresës tonë, falë vendosmërisë tonë, falë qartësisë tonë, natyrisht edhe me ndihmën dhe mirëkuptimin e partnerëve strategjikë, një nga një këto alibi kanë rënë dhe ligji nesër (sot) është plotësisht në përputhje me standardin që Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi kërkuar prej ditës së parë.
Saimir Tahiri dhe klanet e drogës, të cilët sot kanë marrë një goditje me sekuestrimin, sipas raportimeve të para që unë kam, deri në 20 tonë kanabis; Edi Rama si padron i drejtpërdrejtë dhe garant i Saimir Tahirit në kanabizimin e Shqipërisë; Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, shpura e të korruptuarve në qeveri nesër nuk do të kenë ditën më të mirë të jetës së tyre.
Struktura që votohet nesër (sot), nëse zbatohet ashtu siç votohet, do të jetë makthi i çdo qeveritari të korruptuar, i çdo qeveritari të lidhur me krimin, duke nisur me ministrin e Brendshëm, Kryeministrin dhe ministrat e tij.
Ligji për SPAK-un i zgjidh duart atyre punonjësve të ndershëm dhe me integritet dhe me kapacitete profesionale që të hetojnë zullumet e përditshme që shkatërrojnë mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, që zhdukin subvencionet, sepse s’ka lekë për subvencione kur përfundojnë në xhepat e miqve të Kryeministrit, që i detyrojnë të mos kultivojnë fushat e tyre apo të çojnë bagëtinë e tyre apo të shkojnë për dasmë apo për mort sepse u del në rrugë kanabisi me mbrojtje qeveritare.
Qytetarët shqiptarë pra, të cilët janë viktima kryesore e korrupsionit në nivele të paprecedenta në këto 26 vite dhe e krimit të ngritur në pushtet, nesër do të kenë një lajm të mirë: Votimin e ligjit për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
Me kontributin e PD, me vizionin e PD, me mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike, e cila me jetësimin e kësaj strukture do të ketë një aleat të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, sot në opozitë dhe nesër në qeverisje. Parakusht për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike, kriza psikologjike dhe varfëria ku e ka zhytur korrupsioni dhe krimi i lidhur me Edi Ramën.
– Po me ligjet e tjera si do të veprojë Partia Demokratike?
Me ligjet e tjera mazhoranca ka përcaktuar tashmë se si do të veprojë Partia Demokratike, duke përjashtuar “de facto” PD dhe duke e shkelur zotimin për konsensus, njësoj siç bëri me ligjin për Vetting-un. Ndaj qëndrimi do të jetë i njëjtë si për ligjin me Vetting-un. Ne do të kërkojmë dhe do të arrijmë me të gjitha format, duke përfshirë edhe format kushtetuese prevalimin e amendamenteve kushtetuese të votuara me konsensus dhe me mbështetje euro-amerikane më datë 22 korrik. Dhe jo paçavuret e mafies dhe korrupsionit dhe shërbyesve të tyre, të cilët kanë arritur përmes këtyre ligjeve të rikthejnë duart e qeverisjes, duart e qeveritarëve të korruptuar në strukturat, të cilat Kushtetuta i kërkon të pastra nga ndërhyrja e ekzekutivit. Dhe do të pastrohen nga ndërhyrja e ekzekutivit duke filluar me strukturat e Vetting-ut.
– Z. Basha, pse jeni kaq entuziastë për SPAK-un kur Vetting-un e njerëzve që do të punojnë në SPAK, në Byronë Kombëtare të Hetimit, në Prokurorinë e Posaçme dhe në Gjykatën Speciale do t’i bëjë një strukturë që ju e keni çuar në Kushtetuese me merakun tuaj se ato do të kontrollohen nga qeveria?
Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet që ligji të mos lejojë ndërhyrjen e ekzekutivit në emërimin e figurave drejtuese dhe punonjësve të SPAK-ut, gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të policisë. Sigurisht që ligji për Vetting-un është një ligj antikushtetues dhe ne presim që Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias të çmontojnë ato pjesë antikushtetuese të ligjit, të cilat Edi Rama i do si garanci për të siguruar veten e tij dhe ministrat e tij nga drejtësia e vërtetë që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin. Dhe kemi bindjen e plotë që herët a vonë kjo do të ndodhë. Ndërkohë që asgjë nuk mund të shërbejë si alibi për Edi Ramën.
Asgjë nuk mund të ndalë PD të japë votën e saj pa asnjë dilemë për një strukturë që kemi kërkuar të votohet që prej janarit të këtij viti. Prandaj SPAK-u, BKH-ja do të kenë votën tonë unanime nesër (sot) në Parlamentin shqiptar.
– Por a mund të funksionojë SPAK-u me këtë Vetting, siç është aktualisht?
Ne Vetting-un e kemi çuar në Kushtetuese dhe ne presim një vendim të drejtë të Kushtetueses në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë që është e qartë, në përputhje me Komisionin e Venecias që është i qartë. Por kjo kurrsesi nuk mund të na bëjë pjesë të lojës së Edi Ramës për të shtyrë pafundësisht krijimin e strukturës që lufton korrupsionin. Sepse kjo është loja: që të mbarojë mandatin pa nisur hetimet e peshqve të mëdhenj, e Al Kaponeve në qeveri, e kumbarëve të drogës në qeveri dhe kumbarëve të korrupsionit. Këtë luks nuk do t’ia japim. Nesër (sot) ligji kalon me votat tona.
– Z. Basha, ju Vetting-un e çuat në Kushtetuese pavarësisht ftesës ose kërkesës së ambasadorit amerikan për të mos e çuar në Kushtetuese?
I lexoni gabim. Në qoftë se i citoni duhet t’i citoni siç i thotë.
– Mund t’ua citoj unë?
Nuk ka nevojë të m’i citoni sepse nuk pres nga asnjë ambasador të më tregojë cila është detyra kushtetuese e PD, e opozitës apo e imja si qytetar. Ambasadorët kanë detyrën e tyre, unë kam detyrën time dhe e kam kryer me ndërgjegje të plotë.