Kryetari i PD, Lulzim Basha votoi sot në njësinë numër 8 për kandidaturat e Partisë Demokratike për kryeqytetin. Pas votimit, Basha dha një prononcua për mediat.
“Siç e keni ndjekur, ky proces është zhvilluar në gjithë Shqipërinë dhe sot kulmon dhe përfundon në Tiranë. Pjesëmarrja masive është tregues i pjekurisë politike dhe i vendosmërisë që të bëjmë realitet sot brenda radhëve tona atë që do bëjmë realitet për shqiptarët nesër”, tha Basha, duke theksuar se ndryshimi nis nga vota.
Ai falënderoi partnerët ndërkombëtarë që kanë ndihmuar në këtë proces.
“Një proces që ka vështirësitë dhe sfidat e tij po shkon drejt përfundimit. Kjo është një garë dhe festë demokracie.
Beteja e vërtetë na pret. Kjo është një betejë ku demokratët shqiptarë janë të vetëdijshëm për urgjencën për të sjellë një ndryshim real, jo vetëm një rotacion karrigesh, por ndryshim real në modelin e përfaqësimit dhe qeverisjes nesër.
Modeli që kemi nisur dhe po përfundojmë, demokratizimi i PD, sot do të vazhdojë nesër një nga shtyllat e programit tonë politik, në mënyrë që zëri i çdo qytetari shqiptar të ketë peshën e saj dhe qeveria e ardhshme të mos jetë peng i një grushti njerëzish, që janë pasuruar në mënyrë marramendëse”, tha Basha.
Për të skualifikuarit, Basha tha se, “nuk janë të humbur, por pjesë e burimeve njerëzore të PD për të drejtuar nesër”.
I pyetur për ironizimin e Ramës ndaj procesit në PD, Basha tha; mos prisni që Rama të lavdërojë një proces demokratike. “Për 22 vite ai refuzon t’u bindet rregullave dhe garës. Dje e patë që ishte një aktivitet prej 3 orësh për të mbajtur në kryesi persona që janë në listën e zezë të SHBA siç është Vangjush Dako”, u shpreh Basha.