“Votimi elektronik me hir apo me pahir”

Votimi elektronik për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit është bërë objekt debati në Komisionin e Ligjeve mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Debatet u zhvilluan teksa diskutohej ligji për sigurinë kibernetike, i cili u miratua në parim dhe u prezantua nga ministrja Milena Harito.
Ka qenë deputeti i PD-së, Eduard Halimi, i cili ka thënë se duhet t’i jepet fund problemeve me zgjedhjet në Shqipëri. Ndërkohë që PD po këmbëngul se votimi elektronik është rruga e zgjidhjes për të gjitha problemet që janë vënë re në zgjedhjet e mëparshme, përfaqësuesit e mazhorancën vazhdojnë të këmbëngulin në rrugën e vjetër që ka sjellë historikisht shumë pikëpyetje për proceset zgjedhore. Ka qenë kjo arsyeja që PD në memorandumin e firmosur me aleatët e saj për këto zgjedhje, e cilësoi votimin elektronik si një kusht të patjetërsueshëm.
Gjatë debatit z. Halimi i kujtoi palës tjetër se kur socialistët ishin në opozitë, mazhoranca e atëhershme u tregua shumë konstruktive duke u thënë “bëjeni Kodin si ta doni dhe ne do të vijmë ta votojmë”. Një gjë të tillë PD e bëri pasi për demokratët çështja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike është në bazë të programit për të ardhur në pushtet apo edhe për ta mbajtur pushtetin, ndaj tani për zgjidhje është shtruar votimi elektronik si një problem kyç, të i cilit i duhet dhënë zgjidhje sa më parë. Deputeti demokrat tha gjatë debatit: “T’i japim fund problemeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Shqipëri. Të ushtrojmë presion tek deputetet që janë pjesë e reformës zgjedhore. Jini në lartësinë që kemi qenë dhe ne”.
Nga ana tjetër ndërhyri deputeti Ulsi Manja, i cili, edhe pse në parim ishte dakord me deputetin demokrat, përdori sërish terminologjinë bllokuese, pra faktorin kohë dhe togfjalëshin studim fizibiliteti. Ai për habi përmendi edhe kohën se sa i duhet këtij studimi, pra dy vjet kur institucione të specializuara në kryerjen e studimeve të tilla në parim nuk japin më shumë se katër javë, ndërkohë që në rastin konkret merr maksimumi tre javë, pasi pjesa më e madhe është tejkaluar me eksperiencën nëpër vite. Z. Manja tha se: “Bie dakord me Halimin që një ditë do të bëhet, por me projektligjin që erdhi sot tregohet që puna ka rënë. Por për shkak të nxitimit të opozitës, Komisioni nuk e ka shkruar ndonjëherë që ka patur nevojë për një ligj për sigurinë kibernetike. Teknologjia kërkon një studim fizibiliteti gati dy vite”.
Gjatë debatit z. Halimi u shpreh i bindur se opozita është e vendosur dhe e bindur se do t’ia arrijë qëllimit dhe ta fitojë edhe këtë betejë, si atë për dekriminalizimin, jo për kapital politik, por vetëm për qytetarët, për të kthyer besimin e tyre tek vota dhe për t’i kthyer integritetin procesit elektoral në Shqipëri. Ai madje i bëri thirrje kolegut të opozitës që së bashku të ushtrojnë presion tek deputetët që janë pjesë e reformës zgjedhore për të arritur në përfundimin e shumëpritur.

Zgjidhet njëherë e mirë problemi i zgjedhjeve

Eduart Halimi: “Ky ligj vjen në kohën kur kërkohet votimi elektronik. Ju kur ishit në opozitë e kërkuat, ne në atë kohë u patëm thënë “bëjeni Kodin si ta doni ju dhe ne do të vijmë e ta votojmë”. A e zgjidh njëherë e mirë problemin e zgjedhjeve votimi elektronik? Po e zgjidh. A është kjo një kauzë që lidhet me opozitën e pushtetin? Jo nuk ka rëndësi, sot jeni ju në pushtet nesër neve, por zgjidh përfundimisht problemet e zgjedhjeve. Le të mos kemi më kontestime. T’i japim fund problemeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Shqipëri. Të ushtrojmë presion tek deputetët që janë pjesë e reformës zgjedhore. Jini në lartësinë që kemi qenë dhe ne. Që do të bëhet do të bëhet se s’bën. Se dhe për dekriminalizimin thatë se s’do të bëhet edhe votimi elektronik do të bëhet me hir dhe pahir. Të ulim tensionet e të mos vonohemi”.
Ulsi Manja: “Bie dakord me Halimin që një ditë do të bëhet, por me projektligjin që erdhi sot tregohet që puna ka rënë. Por për shkak të nxitimit të opozitës, komisioni nuk e ka shkruar ndonjëherë që ka patur nevojë për një ligj për sigurinë kibernetike. Teknologjia kërkon një studim fizibiliteti gati dy vite”.

R. Hafizi

Artikulli paraprakDuart e Edi Ramës mbi median e lirë në Shqipëri
Artikulli tjetër“Smartmatic”: Votimi elektronik në dy muaj