Votimi elektronik, shtrohet në takimin me Amendolën

Garancia për një proces të lirë e të drejtë është shqetësimi kryesor i opozitës dhe aleatëve të saj. Këtë garanci e jep miratimi i sistemeve të sigurta e jo siguria e premtimeve që kërkojnë krerët e mazhorancës. Vetëm votimi elektronik garanton proces të drejtë. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka shprehur shqetësimin kryesor të opozitës gjatë takimit me zv/ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Vicenzo Amendola.
Në takim, Spaho ka ripërsëritur se votimi elektronik është thelbësor për zgjedhje të lira, të ndershme dhe jo të blera. Ka kohë që Partia Demokratike po shfrytëzon takimet me personalitete të politikës ndërkombëtare, si dhe vizitat e krerëve të kësaj partie për të ngritur shqetësimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në nivelin e shqetësimit ndërkombëtar. Përmes provave, demokratët kanë vërtetuar predispozicionin e mazhorancës për të shkatërruar procesin zgjedhor me qëllim ngritjen e tymnajës për të realizuar grabitjen e votës si qëllim final.
Zoti Spaho theksoi se, mazhoranca ka provuar në zgjedhjet lokale se nuk do votë të lirë e të ndershme. Në rastet e proceseve të mëparshme ku ka patur zgjedhje të pjesshme, rezultati ka qenë i manipuluar për shkak të blerjes masive të votave, si në Dibër dhe Kolonjë. Ka pasur denoncime të shumta nga votues dhe organizata jo qeveritare, të cilat kanë dëshmuar se votimi është bërë nën presion.
“Jemi të shqetësuar, tha zoti Spaho, se mazhoranca është duke lejuar kultivimin e kanabisit, për të blerë më pas votat”. Ekzistenca e një fakti të tillë bën, që procesi zgjedhor të mbetet peng i bandave të narkotrafikantëve që kanë lidhje direkte me mazhorancën. “Sot ka ende kryetarë bashkie, si rasti në Kavajë dhe Krujë, të dënuar për krime dhe ende mbajnë detyrën. Pas tyre qëndrojnë njerëz të inkriminuar, të cilët rrezikojnë procesin zgjedhor. Ne kemi kërkuar që në vitin 2015, për të diskutuar në lidhje me garantimin e votës, votimin dhe numërimin në mënyrë elektronike, por mazhoranca nuk ka shprehur vullnet”, tha Spaho.
Gjatë bisedës nënkryetari demokrat tha se, zgjedhjet në Shqipëri kushtojnë më shumë se në vendet e zhvilluara. Nga praktika e kaluar kjo ndodh, pasi është një armatë e tërë që angazhohet dhe paguhet për të ruajtur procesin, por rezultatet kanë qenë gjithnjë të diskutueshme, pra fondet janë shpërdoruar. “Ndërkohë, sipas zotit Spaho, votimi elektronik do të shkurtonte fondet dhe do të lehtësonte buxhetin e shtetit. Në Shqipëri nuk ekziston një mekanizëm për të bërë zgjedhje transparente. Nëse duhet kohë, jemi të lirë të presim derisa të garantohen zgjedhje, rezultati i të cilave do të pranohen nga të gjitha palët. Mazhoranca nuk është e gatshme dhe nuk ka vullnet për të lënë të lirë vullnetin e qytetarëve për të votuar”.

Artikulli paraprak400 mjekë e specialistë të larguar nga Shqipëria
Artikulli tjetërBasha uron McAllister si Kryetar i Komisionit të Jashtëm të PE