Votimi i emigrantëve me postë/ Sefa: PS do ta kufizojë numrin në 15 mijë votues

Socialistët kanë gati propozimet për ndryshimin e kodit zgjedhor. Detyrimin kushtetues për votimin e emigrantëve socialistët propozuan ta bëjnë me postë. Vota e diasporës do të llogaritet dhe tabulohet në tabelën e rezultateve të qarkut më të fundit ku ka pasur vendbanimin në Shqipëri votuesi.

Përsa më lart, Indrit Sefa, sekretar për çështjet ligjore në grupin e Lulzim Bashës, thotë në një intervistë në “MCN”, se dallimi i propozimeve të PS dhe grupit të tij është fakti se këta të fundit kërkojnë që qytetarët e diasporës të votojnë në masë, teksa PS do ta kufizojë numrin e votuesve me postë.

“PS ka ardhur me disa propozime konkrete me adresimin e disa nga rekomandimet e OSBE ODIH, ka një propozim lidhje me votën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, diasporës. Propozimi i PS është një propozim që e kufizon dhe e ul shumë numrin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë me të drejtë vote. Faktikisht ata i referohen detyrimit në bazë te ligjit i cili detyron qytetarët shqiptarë që kanë një adresë të rregullt vendqëndrimi në shtetet e tjera jashtë territorit, për të bërë regjistrimin. Numri i qytetarëve të regjistruar sot është 15 mijë dhe PS do që ta aktivizojë vetëm në këtë numër pjesëmarrjen e qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë për të votuar.” – tha Sefa.

Sipas Sefës, propozimi i PS sa i takon votimit me postë bie ndesh më propozimin e grupit të tij, të cilët kanë kërkuar që emigrantët të votojnë fizikisht.

“Ka edhe një propozim tjetër që vota e diasporës llogaritët në bazë të qarqeve ku këta qytetarë kanë qenë të regjistruar për herë të fundit në Shqipëri dhe kanë votuar që votimi të behet me postë. Kjo bie ndesh me propozimin e PD-së. Ne kemi kërkuar që të gjithë qytetarëve shqiptarë të votojnë në mënyrë fizike, me të njëjtat standarde dhe me të njëjta kushte. Ne kemi propozuar që votimi të behet fizikisht me numërimin elektronik të ngritura posaçërisht për qytetarët shqiptar. Ne kemi kërkuar që çdo qytetar shqiptar që nuk ndodhet brenda territorit të vendit, me vendbanim të rregullt ose jo, jashtë territorit të Shqipërisë, të ketë të mundur të votojnë. Ne duam që të votojnë një masë shumë herë më e madhe e shqiptarëve, PS do ta kufizojë do të bëjë votimin me postë. Votimi me postë e favorizon PS pasi Posta Shqiptare është një organizatë partie e PS.” – tha Sefa.

Artikulli paraprakIronia e Bashës: Një revolucion i shitur për të hetuar Ilir Beqën nga parlamenti, ndërkohë që bëhet gati për t’u futur në burg nga SPAK-u
Artikulli tjetërKulluri: Berisha i papranueshëm për ne si PD, është non grata. Rama e njohu si kryetar partie, garantoi fitoren e PS më 2025