Jorida TABAKU
Sot, Kuvendi i Shqipërisë u kthye në Noter, vulosi përfundimisht ligjin më të rëndësishëm të kësaj qeverie. Pas gjashtë vjetësh luftë të përditshme, qeveria e drejtuar nga Edi Rama mundi të konvertojë Shqipërinë në Republikën e Rilindur Socialiste të Oligarkëve të Shqipërisë (RRSOSH).
Votimi ligjit të Korporatës së Investimeve është de fakto shtetëzimi dhe më pas dorëzimi në kadastrën personale të Oligarkëve të çdo prone private apo publike. Në 30 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga komunizmi (një tjetër lloj Oligarkie) vendi përfundon në të njëjtën tragjedi.
Në bashkëpunim me ta kryeministri do të menaxhojë gjithçka përmes supërstrukturës së KISH. Tanimë ai ka legjitimuar çdo dashakeqësi të tijën personale ndaj njerëzve apo pasurisë së tyre. De facto pronari i vetëm i Shqipërisë, do të ndajë për të gjithë apo për atë që do- pronat e bregut në Jug, Veri apo Durrës. Ai është njeriu që do të vendosë për të shpërndarë lejet për “rezortet” oligarkike në pyjet, gërxhet, kodrat dhe malet e Shqipërisë.
Njësoj siç po konverton Tiranën në fillim si kryebashkiak dhe tani përmes marionetës që buzëqesh, do betonizojë Shqipërinë. Pronarët do jenë fundi i kavallit, ligji investimeve strategjike dhe ligji aktual i Kompensimit të Pronave bashkë me KISH do t’ua zhvlerësojnë pushtetin.
Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese që e shkatërroi me vetëdije, në mungesë të zgjedhjeve të lira, nën bekimin e të inkriminuarve (që do t’i pasurojë edhe më) Rama do të shndërrohet në kryeministrin absolut.
Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë skllevërit e tij dhe të oligarkëve. Ata do të punojnë për të paguar PPP-të, do të taksohen për të betonizuar Shqipërinë.
Vendi do kthehet në një kantier të personalizuar oligarkësh ku do vlejë vetëm dëshira dhe ëndrrat e tyre.
Qeveria do kthehet në një nënkontraktor pronash. Parlamenti do të mbushet nga noter që do të vulosin për llogari të oligarkëve dhe jo ti japin llogari votuesve.
Shqipëria ka nevojë të reagojë dhe shqiptarët duhet të luftojnë me të gjitha mënyrat për të mbrojtur të drejtën legjitime- për të gëzuar pronën.
Republika e Rilindur Socialiste e Oligarkëve të Shqipërisë duhet të rreshtë përpara se të gllabërojë lirinë që mezi fituam.