Votimi nga jashtë, KQZ miraton modelin e zarfit që do t’i dërgohet zgjedhësit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e sotme publike miratoi modelet e një pjese të dokumentacionit zgjedhor që i dërgohet zgjedhësit nga jashtë për procesin zgjedhor të votimit nga jashtë vendit, konkretisht: “Zarfi ku futet fleta e votimit” dhe “Zarfi i jashtëm ku vendoset zarfi që përmban fletën e votimit”.

Zarfi ku futet fleta e votimit është zarfi i brendshëm. Zarfi i fletës së votimit, i cili përmban vetëm fletën e votimit, vendoset në zarfin e jashtëm të dërguar tek zgjedhësi nga KQZ. Mbi këtë zarf KQZ do të vendosë/ngjisë Kodin Unik të regjistrimit të çdo zgjedhësi në PER. Kodi Unik i zgjedhësit gjenerohet automatikisht nga PER dhe përmban emër, mbiemër të zgjedhësit, shtetin ku ka kërkuar t’i dërgohet fleta e votimit, si dhe qarkun ku ka regjistrin e gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë. Kodi Unik i zgjedhësit është gjithashtu i pasqyruar në formën e një Barcode, ose QR Code. Pasi gjenerohet nga PER, Kodi Unik bëhet i disponueshëm për çdo zgjedhës nga jashtë vendit. Në momentin që zgjedhësit i mbërrin në adresën e deklaruar jashtë vendit zarfi i dërguar nga KQZ, zgjedhësi do të konfirmojë në PER marrjen në dorëzim të zarfit”, njofton KQZ.

Ndërsa zarfi i jashtëm mbi të cilin është vendosur Kodi Unik i zgjedhësit i cili ka brenda zarfin që mban fletën e votimit, futet në zarfin e operatorit të shërbimit postar dhe postohet për në adresën e KQZ.

Gjithashtu, Komisioneri miratoi përdorimin e vulave me kode sigurie, etiketat e sigurisë dhe kutive të votimit, për administrimin e procesit zgjedhor për votimin nga jashtë, si dhe përcaktoi karakteristikat e përgjithshme të tyre.

Vulat me Kod Sigurie si karakteristika të përgjithshme kanë rezistencën, janë të testuara për një forcë thyerje, tërheqje, përkulje dhe të jenë sipas standardeve të zbatueshme. Kutitë e votimit nga jashtë si karakteristikë të përgjithshme duhet të jenë të palosshme, të hapura vetëm nga një anë, në të cilën vendoset kapaku përkatës dhe nëpërmjet të cilit mundësohet hedhja e dokumentacionit zgjedhor, duhet të jenë të tejdukshme nga të paktën katër anët e saj, të kenë aftësi për të mbajtur ngarkesa të brendshme pa u deformuar. Etiketat e sigurisë si karakteristikë të përgjithshme duhet të kenë të gjithë elementët e sigurisë për të mbrojtur sendet/asetet/ ambientet nga çdo ndërhyrje e personave të tjerë, të jenë të montueshme me një proces të vetëm pa nevojën e mjeteve ndihmëse, si dhe të kenë veti gjurmëlënëse të dallueshme, që lë vetë etiketa në trupin e saj ose në sipërfaqen e rrafshët ku do të vendosen. Etiketat e sigurisë janë projektuar për një përdorim dhe nuk hapen aksidentalisht”, njofton KQZ.

Në seancën e sotme u caktuan njësitë administrative ku do të krijohen selitë e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025″.

Po ashtu Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vlerësoi edhe raportimet e veprimtarive me karakter publik për periudhën 19 janar – 25 janar 2025. KSHZ vendosi fillimin e procedimit administrativ ndaj: Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Bashkisë Roskovec; Agjencisë Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive; Zyrës Vendore Arsimore Elbasan; Bashkisë Sarandë; Ministrisë së Financave; Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje; Korporatës së Investimeve Shqiptare; Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve; Bankës së Shqipërisë; Bashkisë Elbasan; Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor; Bashkisë Mat; Bashkisë Cërrik.

Komisioneri vendosi pushimin e hetimit administrativ ndaj Kryetarit të Bashkisë Kamëz dhe ndaj Bashkisë Cërrik.

U plotësuan edhe vakancat e krijuara në këshillin e Bashkisë Sarandë, me kandidatin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Thanas Gurma dhe në këshillin e Bashkisë Tiranë, me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Keda Kaceli.

Artikulli paraprakZYRTARE/ Mërgim Berisha bëhet me skuadër të re, sulmuesi prezantohet te klubi i Bundesligës
Artikulli tjetërVatikani thirrje qeverive në botë për mbikëqyrjen e Inteligjencës Artificiale, paralajmëron rrezikun e përhapjes së informacioneve të rreme