Votoni për një “qingj”, por fiton një “ujk” – Mesazhi i fortë i Naim Metës për votuesit e Elbasanit: Koalicioni Euroatlantik, e vetmja alternativë që zgjedhin vetë qytetarët

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, Naim Meta, ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fuqishëm përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai u bën thirrje qytetarëve që të mos lejojnë më që të tjerët të vendosin për fatin e tyre dhe të votojnë me ndërgjegje dhe guxim.

Meta e cilëson këtë proces zgjedhor si një moment historik për Shqipërinë, duke theksuar se vendi nuk ka më kohë për të humbur. Ai shfaqet si përfaqësuesi i një modeli të ri politik, i lidhur ngushtë me qytetarët, me një qasje të qartë kundër “kryetarokracisë” dhe listave të mbyllura që, sipas tij, kanë dëmtuar demokracinë për më shumë se tri dekada.

“Jo më kandidatë të panjohur që ju serviren nga lart”, shprehet Meta, duke vënë theksin te transparenca dhe fuqizimi i votuesit përmes listave të hapura, një element që ai e sheh si garanci për përfaqësim të denjë dhe të ndershëm.

Në një tjetër pasazh të fortë, ai paralajmëron për rrezikun e manipulimit të votës përmes figurave fasadë: “Votoni për një qingj, por fiton një ujk!”. Për Metën, kjo është pasqyra e realitetit të hidhur që sjellin listat e mbyllura – një votë që përfundon në duart e atyre që qytetari nuk i ka zgjedhur kurrë.

Sipas tij, Koalicioni Euroatlantik përfaqëson një alternativë të besueshme për shqiptarët – një koalicion që mbështet drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin me SPAK-un. Ai kërkon mbështetje për njerëzit e zakonshëm të zonës, për ata që “jetojnë mes jush dhe nuk bëjnë kompromise”.

Mesazhi i tij përmbyllet me një apel të drejtpërdrejtë për votuesit e Elbasanit: të marrin fatin në duart e tyre dhe të mos e lënë votën në dorë të askujt tjetër. Ai vetë, si kandidat në kolonën 4, shfaqet si një përfaqësues që garanton dinjitet, guxim dhe përkushtim ndaj interesave të komunitetit të tij.

Postimi i plotë i Naim Metës:

“O Sot, O Kurrë!
Vota Juaj, E Ardhmja Juaj!
Të nderuar qytetarë të qarkut të Elbasanit,
Në këto zgjedhje historike, Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Ka ardhur momenti për të bërë ndryshimin e vërtetë, atë ndryshim që secili prej nesh e ka ëndërruar për dekada me radhë. Sot, më shumë se kurrë, vendi ynë ka nevojë për vigjilencën, përkushtimin dhe ndërgjegjësimin tuaj qytetar. E ardhmja është në duart tuaja – në fuqinë e votës suaj.
Votoni me kujdes. Mbështesni masivisht Koalicionin Euroatlantik, koalicionin që garon vetëm me lista të hapura, ku qytetari ka të drejtë të zgjedhë drejtpërdrejt përfaqësuesit e tij. Jo më lista të mbyllura dhe vendime të imponuara nga lart, jo më kandidatë që nuk i njihni, por ju “serviren” nga kryetarët e partive si zgjidhje të detyruara. Kryetarokracia e ka dëmtuar vendin tonë për 34 vjet dhe tani është momenti që qytetari të marrë fuqinë në dorë.
Mos u mashtroni nga ata që kërkojnë votën tuaj për emrin e tyre, ndërkohë që në realitet, ajo votë shkon për njerëzit e preferuar të kryetarëve. Votoni për një “qingj”, por fiton një “ujk”! Ky është paradoksi i listave të mbyllura. Deputetë që nuk i keni votuar dhe që nuk i dëshironi, do të marrin pushtet dhe do të shërbejnë jo për ju, por për oligarkët që e kontrollojnë atë.
Por, fatmirësisht, këtë herë ka një zgjidhje. Ju mund të votoni drejtëpërdrejt bijtë dhe bijat e qarkut tuaj, njerëzit që i njihni dhe që jetojnë mes jush. Ata nuk bëjnë kompromise, nuk kanë frikë nga drejtësia dhe mbështesin punën e SPAK-ut. Ata garojnë me lista të hapura sepse besojnë tek forca e qytetarit.
Mos e lini votën në dorë të tjerëve. Votoni për veten tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për një Elbasan që merr frymë lirisht. Votoni në kolonën 4, votoni Naim Metën, një zë i ndershëm i qarkut tuaj, një përfaqësues që ju përfaqëson me dinjitet dhe guxim.
Shqipëria: O sot, o kurrë. Vota juaj është arma juaj. Përdoreni për të ndërtuar të nesërmen që meritoni.
Miqësisht,
Naim Meta”

Artikulli paraprakPse janë mbledhur bashkë të gjithë të korruptuarit kundër Lulzim Bashës?
Artikulli tjetërEndri Hasa: “Koha për të shembur bunkerin e listave të mbyllura – qytetarët të marrin në dorë fatin e tyre”