Vrapi vuan

Nga Edison Ypi

Kur në televizion nuk ka tjetër gjë për të parë veçse shkuma party ku bibat e Tiranës sipas këshillave të mamit budallaqe shpenzojnë paret e babit hajdut, nga këto hajvanllëqe, ku me u arratis ?
Në perëndim të Baldushkut, veri të Peqinit, lindje të Kavajës, jug të Ndroqit, ndodhet një Parajsë malore, Vrapi.
Rruga për në Vrap kthen drejt perëndimit në skajin jugor të luginës së Baldushkut.
Dikush thotë se Vrapi është 2 orë larg. Tjetri gjysëm ore. E kështu me rradhë, njëri kaq e tjetri aq, secili të tregon kohën që i është dashur mjetit me të cilin e ka kapur Vrapin ku ndoshta ka qënë ndonjëherë.
Sapo lë asfaltin konstaton se rruga për në Vrap është e tëra një hukubet me mijëra kthesa dhe miliona gropa mbi tabanin e fortë të një ish kalldrëmi dhe ish asfalti.
Një Golf anës rrugës sapo ka thyer trasmisionin, çpuar gomën, djegur motorrin, çarë radiatorin, djegur kushinetën, dhe ka lënë më këmbë ca dasmorë që as vet nuk e dinë nëse do vazhdojnë drejt dasmës apo do kthehen nga u nisën me dhurata në duar.
Furgoni i vetëm “i linjës”, me 7 vende por 27 pasagjerë, zvarritet nëpër kthesa duke u kollitur si Djall i plevitosur.
Kthesat e pafundme dhe gropat e panumurta të ngjisin në një lartësi prejnga lugina e Baldushkut fanepset aq e bukur sa nis e kërkon ta sjellësh në hatër cili ishte të shkosh ta vrasësh edepsizin që u bë shkak që këtë parajsë ta shohësh me kaq vonesë.
Një kamion që ecën me ngadalësi rrënqethëse ka zënë rrugën, nuk e hap krahun për qamet. Me karrocerinë e mbuluar me mushama, ky kamjon duket si ai i filmit “Pagesa e Frikës” që transportonte Nitroglicerinë që mund të shpërthejë nga çasti në çast. Pas nja njëzet minutash, në një vend disi të gjërë, më së fundi kamioni bën pak mënjanë. Pasi e kaloj, sipas një kodi të pashkruar mirsjelljeje autostradale, e falenderoj me një buri. Nuk përgjigjet. Vështirë të besohet, por meqënse pak konspiracion shqiptarit nuk i bën kurrë keq, ngarkesa e kamjonit nuk mund të jetë veçse Tritol. E përforcon këtë hamendje peisazhi malor dhe i gjelbër me reliev të ngjajshëm të vendeve ku Hollivudi xhiron filmat e makthit.
Golfi i shkalavarur, furgoni i mbingarkuar, kamioni me tritol, ishin të vetmet mjete me rrota në këtë udhëtim.
Ja, më së fundi, qafa e shumpritur që dukej nga larg. Deri te kjo qafë mund të shihje pak përpëra dhe, po të ktheje kokën, shumë prapa. Këtu e tutje, si pas çdo qafe, mund të shohësh vetëm përpara.
Të tjera kilometra me po ato kthesa që ndjekin përpikmërisht terrenin. Është e qartë se rrugën pa asnjë gërmim dhe asnjë mbushje, pra me shpenzime minimale dhe vuajtje maksimale, e ka projektuar një inxhinier kursimtar.
Pas qafës, pamja është më magjike se lugina e Baldushkut që le pas. Aq e bukur, e butë, e begatë, sa sdi me çfarë ta krahasosh.
Gjatë atyre kthesave, ngaqë sa të ha syri nuk duket as Vrapi as ndonjë katund tjetër, nis e dyshon mos ke gabuar rrugën. Sheh me merak sa naftë të ka mbetur. Sigurohesh për dy batanije që i mban në bagazh për kësi rastesh po të zuri nata ku kalimtarë dhe makina nuk ka, nafta po të mbaron, celulari po të shkarkohet.
Gjurmët e gomave mbi ish rrugën e ish kalldrëmit të ish asfaltit, janë prova se rrugën nuk e ke humbur. E merr veten. S’ke të ngopur me pamjet magjike që të dalin përpara që aq lehtë asociohen me ngjarje romanesh, ku janë bërë luftra, dashurira, duele, intriga.
Pas njërës prej kthesave, ja më së fundi Vrapi.
Vrapsit, vrapistët, vrapianët, vrapiotët, vrapalinjtë, quaji si të duash, të sjellshëm, të butë, të qetë, i ofrojnë udhëtarit të lodhur të gjitha të mirat; ujë, kafe, cigare, muhabet. Gjatë muhabetit, një ftesë e sinqertë;
-Rrim sonte, therim pula, i pjekim, ja shtrojm me mish e pilaf e raki.
-Jo-jo. Dua ta këpus me dorën time një fik nga dega, dhe një gotë ujë kroi, kaq dua.
-Nga dega, nga rrënja, nga gjethja, fiq Vrapi, kumlla Vrapi, rrush Vrapi, mollë Vrapi, Lajthi Vrapi, vetëm ulu të bëjmë pak muhabet.
-Për çfarë të bëjmë muhabet ?
Shohin njëritjetrin në sy.
-Për rrugën pra. Duam rrugë. Po fikemi, po ngordhim, po vdesim, për rrugë.
Vrapi është ku qan qameti. Në grykën ku është strukur duket si ca rraqe të hedhura në kosh.
Asnjë shtëpi e re. Ambulanca, shkolla, për ibret.
Përveç furgonit gërrhitës të linjës, asnjë makinë tjetër nuk vjen këtu.
Në thellësi të Mirditës, Martaneshit, Gramshit, Labërisë, në asnjë vend të Shqipërisë nuk ka një fshat kaq të bukur dhe kaq të varfër.
Gur kilometrik ! 32 kilometra nga Tirana. Dikush thotë se nga asfalti i Baldushkut e deri këtu janë 11 kilometra. U dukën më tepër, shumë më tepër, por ja që aq janë.
Poshtë në luginën që lashë pas, si në gjithë fshatrat e Shqipërisë ka shtëpi dhe vila të reja me të ikë menia. Këtu asgjë e re. Këtu ora ka ngecur në vitet ’50 të shekullit të 13. Tmerr e shkuarr tmerrit. Parajsa me Ferrin janë me miliona kilometra larg, Baldushku me Vrapin jo më tepër se 11.
Në horizont asnjë katund. Pyes dikend ku janë katundet e tjerë. Tregon me dorë dhe u thotë emrat katundeve që nuk duken.
Fukara, i izoluar, i mjerë, Vrapi duket si ato vendet e paarritshëm të Argjentinës ku janë fshehur nazistët pas luftës. Ndoshta Hitleri është fshehur dhe ka vdekur në Vrap. I duhet kërkuar varri.
Më rrethojnë pesë a gjashtë adoleshentë të rreshkur dhe seriozë.
-Thuaju nuk duam Internet, nuk duam fejsbuk, nuk duam disko, nuk duam party. Bujqësinë, blegtorinë, tregëtinë dhe gjithçka tjetër i bëjmë vetë. Duam vetëm rrugën.
-Pa merak. Do u lutem Zotave të m’i për rrugën tuaj. Do i lutem me lot në sy Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Ndre Mjedës, Fan Nolit, Konicës, Lasgushit, Shekspirit, Çurçillit, Pushkinit, Naimit, Kadaresë, do u lutem të venë dorën në zemër për 11 kilometrat e munguara të rrugës së Vrapit.
-Harrove Obamën, Klintonin, Bushin, Tony Blerin.
-Edhe atyre do u lutem për rrugën tuaj, që sigurisht ju duhet, sigurisht e meritoni.
Më falenderojnë. Ndahemi.
Del një mesoburrë nga një ferrë. Thotë mesoburri i ferrës; Për shkak të mungesës së asfaltit, çmimi i transportit të materialeve të ndërtimit është aq i lartë sa ndërtimi i një shtëpie të re në Vrap kushton më tepër se në Tiranë.
Përballë afrohet kërcënueshëm kamioni i nitrogricerinës nga “Pagesa e frikës” me Iv Montanin në timon.
Fare afër Tiranës, mu tek dera, mu te pragu, por që duket si në fund të botës, as mëndja s’më vajti për të bërë fotografi në Vrapin që vuan dhe rënkon për 11 kilometra asfalt.

Artikulli paraprakVulin i sanksionuar nga SHBA, siguron Moskën: Serbia nuk do t’u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë
Artikulli tjetërPRONARË ME 300 MIJË LEKËSHA/ Redi Molla i “5 D”-së, aksione dhe tek “Gastro Factory”, administrator Elvin Tivari, ish-drejtori tjetër i Tiranës