Kanë kaluar vetëm dy muaj nga koha kur Gjykata e Lartë, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm për Arben Frrokun. Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar aspak që Frroku t’i drejtohet Gjykatës me pretendimin se i janë shkelur të drejtat kushtetuese.
Nëpërmjet avokatëve në Shqipëri, Frroku ka dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese, në të cilën kërkon rigjykim. Duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e Arben Frrokut, e pikërisht ky verdikt është bërë shkak që mbrojtja të hedhë sytë nga Kushtetuesja.
Një burim pranë kësaj gjykate pohoi se, avokatët argumentojnë si shkelje faktin se të njëjtët gjyqtarë që lanë në fuqi dënimin e përjetshëm, në fakt kanë shqyrtuar më herët edhe masën e sigurimit personal.
Në këtë situatë, sipas avokatëve, gjykimi është paragjykuar ndaj dhe vendimi i Gjykatës së Lartë duhet të prishet dhe të rigjykohet.