Vrasësi Frroku mbetet në burg për jetë, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin

Arben Frroku, vrasësi i komisarit të policisë Dritan Lamaj, përfundimisht do të rrijë gjithë jetën në burg. Ishte Gjykata e Lartë, e cila në dhomën e këshillimit vendosi të mos pranojë rekursin e të pandehurit, duke lënë në fuqi vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Ky vendim, është dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në qershor të vitit 2015, duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që e deklaroi të pafajshëm Arben Frrokun. Ky i fundit, ndodhet i arresuar në Holandë, ku edhe ka përfunduar proceset gjyqësore për ekstradimin e tij.
Kanë qenë tre shkallët e gjyqësorit në Holandë, që kanë pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri për të vuajtur dënimin kapital të legjislacionit shqiptar. Vetë i pandehuri Frroku në asnjë rast nuk e ka pranuar autorësinë e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj. Arben Frroku si në Gjykatën e Shakallës së Parë ku ishte i arrestuar edhe më pas ka pranuar konfliktin që kishte me komisarin Lamaj, por në asnjë moment nuk ka pranuar vrasjen e tij.
Arben Frroku u arrestua natën e vrasjes së komisarit Lamaj në Selanik të Greqisë nga ku më pas u ekstradua në Shqipëri, për të ndjekur procesin gjyqësor nga afër. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda pas një procesi disa mujor, vendosi të deklarojë të pafajshëm të pandehurin Frroku për vrasjen, duke e liruar nga burgu. Ky vendim, u arsyetua në mungesën e besimit të dëshmitarit të mbrojtur, i cili ka pretenduar se e ka parë Frrokun në makinën, nga e cila u qëllua komisari Lamaj.
Por vendimi i pafajësisë u ankimua nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila pas tre seancave gjyqësore e shfuqizioi vendimin e pafajësisë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm Arben Frrokun. Në kohën e dhënies së këtij vendimi, i pandehuri ështe larguar nga Shqipëria për t’u arrestuar vetëm disa muaj më pas në Holandë me dokumente të falsifikuara. Por që pas betejave ligjore, drejtësia holandeze i ka refuzuar azilin Arben Frrokut, duke vendosur ekstradimin e tij në Shqipëri.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërTenderi i rrugës së “Arbrit”, Çupi-Ramës: Shqiptarët s’e hanë më sapunin për djathë