Vrasësi i Liridona Ademajt është dhunuar në burg dhe ka tentuar vetëvrasjen? Dibrani sqaron rrethanat: E pikasi stafi

Detaje të reja janë mësuar pas daljes së lajmit në mediet kosovare se i akuzuari për vrasjen e Lirdona Ademajt, Granit Plava, është dhunuar në burg dhe më vonë ka tentuar vetëvrasjen. Për ngjarjen në fjalë ka reaguar drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues së Kosovës, Ismail Dibrani, i cili ka sqaruar rrethanat se si ka ndodhur ngjarja.

“Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit ta sulmojnë, stafi ka reaguar menjëherë dhe e ka parandaluar konfliktin. Nuk ka rrahje. Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është dëgjuar, presion i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik. Edhe për këtë tentimm ne do të themelojmë komisionin hetimor dhe do të dalim me rezultate konkrete”, ka thënë Dibrani. Po ashtu, ai mohoi se i dyshuari për vrasjen e 30-vjeçares ka tentuar të bëjë vetëvrasje.

“Jo. Ka pasur një tentim nga ai i burgosur për ta dëmtuar batanijen në dhomë, në momentin që është hetuar, stafi ka arritur dhe e ka larguar batanijen nga dhoma dhe është zëvendësuar. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, reagimi ka qenë nga stafi. Sepse këta persona po trajtohen me rrezikshmëri të lartë. Niveli i sigurisë është ngritur”, u shpreh ai.

Drejtori i Shërbimit Korrektues po ashtu deklaroi se mes tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt nuk ka asnjë kontakt, dhe se ata janë të vendosur në dhoma njëshe.

Deri më tani për ngjarjen e rëndë janë arrestuar 4 persona, Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale “vrasje e rëndë”. Gjithashtu disa ditë më parë u arrestua edhe Tomë Dodaj nga Gjakova, i cili dyshohet se i ka siguruar armën e krimit bashkëshortit të Liridonës, Naim Murselit dhe ekzekutuesit të dyshuar Granit Plavës.

Artikulli paraprakKy shtet do të përgjysmojë numrin e migrantëve që pranon, do ashpërsojë testin e gjuhës
Artikulli tjetërDeklarim të rremë të pasurisë, Prokuroria e Durrësit dërgon në gjyq një ish-prokuror