Armando Prenga, deputeti socialist i akuzuar për plagosje me armë është thirrur “nën armë”. Thirrja e tij me urgjencë, është bërë për t’u pasur si “numërues topi” në rast se mazhorancës do t’i duhej për të plotësuar 94 votat e kalimit të Reformës në Drejtësi. Deputetja e Partisë Demokratike, Liljana Elmazi ka publikuar në rrjetet sociale një foto ku duket Armando Prenga dhe Aqif Rakipi në kafen e Kuvendit në pritje të votimit për Reformën në Drejtësi. “Te kafja e Parlamentit po pret për të votuar Reformën në Drejtësi dhe deputeti socialist që është në arrest shtëpie për plagosje të katërfishtë në Komisariatin e Policisë së Kurbinit, e ka thirrur Rama! Turp!”, shkruan ajo. Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga u arrestua në flagrancë nga policia, pasi plagosi me armë dy vëllezërit Cali në Laç për një konflikt mes tyre në lidhje me tenderin për peshkim në Lagunën e Patokut, e drejtë e cila i është dhënë në mars të 2015 vëllait të deputetit. Gjatë hetimeve të kryera nga Prokuroria u bë e ditur se në duart e deputetit socialist janë gjetur mbetje baruti, çka sipas ekspertëve, vërteton dyshimet se ai ka qëlluar me armë në konfliktin përpara Komisariatit të Laçit. Fillimisht, deputeti Prenga i shoqëruar me disa persona të tjerë është përplasur fizikisht në një prej lokaleve në pronësi të familjes Cali. Më pas palët janë thirrur në Komisariatin e Policisë së Laçit për të dhënë dëshmitë e tyre. Aty ka shkruar deputeti Prenga me disa persona dhe ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të familjes Cali. Prenga u ndalua nga policia në banesën e tij rreth orës 5 të mëngjesit në kushtet e flagrancës. Bashkë me Prengën u arrestuan edhe 5 persona të tjerë, Anton Leka, Gazmir Jushi Gjokë, Nikoll dhe Gjergj Cali të përfshirë në sherrin e ndodhur pas mesnate. Deputeti Prenga akuzohet zyrtarisht për armëmbajtje pa leje, kanosje serioze për vrasje dhe plagosje e rëndë me dashje.