Vrasësi shkoi me pistoletë në brez për të bërë vrasje

Drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike vizituan në spital Kid Kazazin, kreun e FRPD Kavajë, të plagosur dje me armë nga Saimir Kurti, drejtues i Ramës në PS-në e Kavajës dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Rroshit.
Duke e dënuar me forcë ngjarjen, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani u shpreh se kjo ngjarje e rëndë është e nxitur tërësisht nga kryeministri Rama i cili ka veshur me pushtet banditë dhe të inkriminuar në të katër anët e vendit. Ai i bëri thirrje Edi Ramës të reagojë dhe të tërheqë kriminelët që mbështet e që u ka dhënë pushtet, ndryshe Partia Demokratike dhe qytetarët do të marrin të gjitha masat e mundshme për të garantuar jetën e për të siguruar vetmbrojtje civile.
“Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kavajë dhe dy qytetarë të tjerë janë plagosur nga plumbat e një njeriu që ka ikur nga vendi i ngjarjes me makinë dhe nën shoqërimin e kryetarit të Partisë Socialiste të Kavajës. Për ne ngjarja është shumë e rëndë dhe kjo ngjarje tregon se banda me Ramën në krye nuk po ndalet me mënxyrat që po i shkakton këtij vendi. Banda nuk ndalet duke derdhur gjak shqiptarësh të pafajshëm, duke derdhur gjak demokratësh. Ajo që është e dhimbshme është historia e kësaj partie dhe demokracie shqiptare që kaloi nga gjaku i Josif Budës dhe tani kërkon edhe gjakun e Kid Kazazit. Ngjarja është e dhimbshme dhe ajo që ne mund të theksojmë është që Rama duhet të tërheqë menjëherë kriminelët e tij të tipit Armando Prenga të cilët po skuqin Shqipërinë nga veriu në jug. Duhet ti tërheqë patjetër ndryshe shqiptarët dhe Partia Demokratike janë në kushtet e vetëmbrotjes dhe duhet të marrin të gjitha masat për tju përgjigjur bandës në pushtet me të gjitha mjetet e mundshme për t’u ruajtur e për tu vetmbrojtur”, tha Ristani.
I pyetur nga mediat mbi motivet e ngjarjes në Kavajë, Ristani tha ngjarja ishte e parapërgatitur dhe se autori ka pasur mbrotjen dhe shoqërimin nga kryetari i PS-së së këtij qyteti. Sekretari i Përgjithshëm tha se situata në Kavajë është tepër e rëndë dhe e frymëzuar politikisht nga kryeministri Rama.
“Ne u njohëm me ngjarjen e cila ka ndodhur mbi bazën e provokimeve banale. Ajo që ka ndodhur është se ai ka shkuar i përgatitur me pistoletë në brez dhe siç u thashë është larguar nën shoqërinë e kryetarit të PS-së së Kavajës dhe në makinë të tij. Ngjarja është e frymëzuar politikisht ashtu siç u thashë nën shembujt e Armando Prengës. Nga veriu në jug Rama po sponsorizon dhe po nxit kriminelë të tillë për të derdhur gjak opozite dhe gjak shqiptarësh. Situatën e vlerësojmë shumë të rëndë dhe në rast se nuk ka masa të shpejta nga Rama dhe banda e tij shqiptarët janë në kushtet e mbrotjes së nevojshme dhe duhet të marrin të gjitha masat për t’u përgjigjur situatës”, tha Ristani.

Exit mobile version