Vrasësit tradicional të dijes…

Nuk harrojnë asgjë nga e kaluara e tyre social- komunistët, të cilët pas vitit 2013 e kanë “thirrur” veten me emrin rilindas.

Nuk harrojnë të urrejnë dhe të shkatërrojnë me çfarë të mundin kulturën,historinë, dijen, mirëqenien, traditën dhe të pamundësojnë të ardhmen dhe zhvillimin!

Nuk hezitojnë të fshijnë nga kujtesa vepra të mira njerëzore, përvojë dhe kontribute të rëndësishme që nga kohët më të vështira dhe deri sot!
Kur duan të godasin fort, i kthehen përvojës së partisë mëmë (PKSH- PPSH) e cila pas 1949 bëri vetëm vepra vandaliteti në kulturën kombëtare.

Pak kohë më parë, një lajm i trishtë (si lajm mortorë), një lajm i rëndë, madje i dhimbshëm është shpërndarë rrufe në të gjithë Dibrën; kudo ka qytetarë nga Gryka e Madhe, veçmas nga Zerqani, ku njoftohet për mbylljen e shkollës 9 vjeçare dhe gjimnazit të kryeqendës historike të Grykës së Madhe (Zerqanit), të cilat nuk do të jenë më të hapura për fëmijët e Zerqanit dhe fshatrave përreth pas kësaj vere. Ata duhet të gjejnë shkolla të tjera ku të mësojnë.
Është një lajm i kobshëm, që mund ta japin vetëm bijtë e etërve, rilindasit e sotëm, oligarkët e Surrelit dhe PS-së Bulqizë.

Për cilindo që di historinë e Zerqanit, kontributin, zërin e fortë që kjo ‘nyjë historike’ i ka dhënë kohës, për asnjë arsye nuk do të besonte, se ky akt barbar do të ndodhte në Zerqan, sepse:

– Zerqani është kryeqendra e dijes, jo vetëm për krahinën, por Dibrën dhe më gjerë.

-Zerqani është vendi i burrave atdhetarë e patriotë, të cilët në ngjarjet më madhore dhe më delikate bashkuan mendjen, shpirtin dhe fuqinë e tyre me forcën, fuqinë dhe vlerën kombëtare, që nga Sheh Mustafa,
Sheh Sula etj.

-Zerqani është një nga vatrat e arsimit shqiptarë, që nga viti 1893, vit, ku me kontributin e madh të Sheh Sulës u hap shkolla e parë, e që për më shumë se një shekull, kjo vatër dije, i dha krahinës, Dibrës, Tiranës dhe Shqipërisë, kohë pas kohe, njerëz të dijes, shkencës, arsimit, mjeksisë, ekonomisë, kulturës, aq shumë, sa është është vështirë të mendohet, se mund ta kishte bërë dhe një shkollë qytetase.

– Zerqani, i cili ishte një qendër e rëndësishme për veri- lindjen, vend që në vitin 1927 ishte nënprefektura, e cila kishte nën kujdes 49 fshatra dhe rreth 19261 banorë në një hapësirë të konsiderueshme gjeografike, do të mbetet një referencë dije dhe kulture arsimdashëse.

Që nga dita e parë e shkollës së parë shqipe, shkolla e Zerqanit ishte vatër dijeje, ku shërbyen mësues dhe drejtues, të cilët e njihnin mirë dhe e donin arsimin si burim zhvillimi dhe progresi. Nga dyert e shkollës së mesme Bujqësore dhe veçmas gjimnazi i Zerqanit, kanë dalë nxënës të shkëlqyer, të cilët në auditoret universitare të vendit kanë shpërblyer dhe kanë vazhduar traditën e familjeve arsimdashëse të Zerqanit, të dhjetra e qindra intelektualëve, pedagogëve, mjekëve, punonjësish shkencorë me vokacion kombëtar.

Pas ditëve të sotme, në Zerqan nuk do të ketë më as shkollë 9 vjeçare dhe as gjimnaz; do të jetë një shkollë fillore, me gjasë, nën regjimin e Edi Ramës dhe kastës së tij, dhe ajo mund të mbyllet shpejt.

Kjo është hakmarrje ndaj një krahine të njohur për lëvizjen demokratike, për diskretitimin, që tradicionalisht i kanë bërë regjimit diktatorial.

Partia Demokratike (dega Bulqizë), e quan këtë veprim një atentat ndaj kulturës dhe arsimit, e quan një veprim të dhunshëm dhe barbar mbi traditën dhe aktualitetin e një qendre të njohur historike, lidhur me kulturën dhe dijen.

Ne e konsiderojmë themelin e patjetërsueshëm të demokracisë, të lirisë dhe të ardhmes shkollën dhe kulturën, prandaj, që ditën e parë të pushtetit të Partisë Demokratike, çështja e shkollës së Zerqanit do të jetë objekti i parë i punës sonë.

Sado barbari të ushtrojë Edi Rama dhe Rilindja, dhe ndaj një qendre historike me traditë dhe kulturë si Zerqani, të cilin Rilindja e kishte përfshirë në 100 fshatrat e zgjedhur të Shqipërisë, tradita dhe shpirti arsimdashës i zerqanasve dhe banorëve të Grykës së Madhe, nuk rrënohet dot.

Partia Demokratike/ Dega Bulqizë, Kryetari Defrim Fiku

Exit mobile version