Vrasja e 14-vjeçarit, Ida Kruti: Vështirë të gjenden përgjegjësit sot, nevojitet një reformim i thellë i sistemit

Nga Albana Cenaj

Vrasja e një 14-vjeçari nga një moshatar i tij dhe plagosja e një të mituri tjetër, ngjarje e ndodhur në ambientet e shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka tronditur mbarë opinionin publik. Ky akt i dhunshëm ka nxitur reagime të forta nga qytetarët, shoqëria civile dhe institucionet, duke e vënë sërish në qendër të diskutimit krizën në sistemin tonë të edukimit dhe mungesën e masave të efektshme për parandalimin e dhunës mes të rinjve.

Si është e mundur që ngjarje të rënda kriminale ndodhin edhe në ambientet e shkollës, aty ku prindërit i çojnë fëmijët të edukohen? Ka dështuar shkolla, familja, apo mbarë shoqëria?

Ida Kruti, lektore e psikologjisë në UET, e kontaktuar nga “Liberale.al” thotë se ngjarja e fundit e bën emergjente analizën për të nxjerrë përgjegjësitë e duhura që ato të mos përsëriten as nga të miturit dhe aq më tepër, brenda ambienteve të shkollës.

“Sistemi i edukimit ka nevojë për një reformim të thellë, real dhe gjithëpërfshirës të aktorëve që kanë këtë përgjegjësi. Ngjarjet e fundit, në të cilat u ekzpozua dhunë ekstreme në shkollë, na tronditën të gjithëve, çka e bëjnë më emergjente analizën dhe vendimarrjen për të ndryshuar shumëçka në metodën e komunikimit dhe marrëdhëniet me adoleshentët në familje dhe shkollë.”

“Edukimi nuk realizohet pa njohur individualitetin, karakterin dhe personalitetin e fëmijëve dhe adoleshentëve, pasi nuk mund të jetë efektive puna mësimore edukative. Nuk mjafton realizimi mekanik i kurrikualave, nxënësit duhet të fitojnë aftësi e shprehi për tu orientuar drejt në çdo situatë, në shoqërinë e hapur”, shprehet Kruti.

A mund të parandalohen ngjarje të tilla dhe si? Ida Kruti, thotë se janë shumë aktorë në lojë të cilët duhet të largojnë fëmijët dhe adoleshentët nga modelet që nuk duhen ndjekur prej tyre.

“Duhet synuar krijimi i kushteve dhe infrastrukturës së nevojshme në shkolla duke pajisur me informacion që të rinjtë tanë të ndihen të sigurt brenda mjediseve shkollore. Roli i masmedias duhet të jetë prezent dhe një zë i fuqishëm për promovimin e modeleve që duhet të ndjekin adoleshentët, pse jo sensibilizimin përmes sjelljes së rasteve, ku kjo grupmoshë ka qenë viktimë nga konsumi i duhanit, alkoolit, apo adoleshentë që tashmë kryejnë dënime në vendin tonë duke i sjellë si raste që nuk duhen ndjekur”, thotë më tej Kruti.

“Të gjitha këto nuk duhet t’i marrim në konsideratë vetëm kur ndodhin ngjarje të rënda. Është vështirë të gjesh përgjegjës sot, sepse ne harrojmë duke mos ndryshuar asgjë. Përgjegjës e ka ndjerë veten gjithkush nga ne pas kësaj ngjarje, që mendoi këto ditë të hedh sytë te fëmijët dhe adoleshentët që ka përreth dhe nuk guxojnë as t’i pyesin si mendojnë, pasi kanë frikë nga përgjigja që do marrin e ndër të tjera prindërit dhe jo vetëm kanë kuptuar që për fat të keq janë larg botës së tyre” thekson Ida Kruti në analizën e ngjarjes për Liberale.

Artikulli paraprakInjoranca e reagimeve pas vendimit të Kushtetutës për Berishën
Artikulli tjetërBashkia i refuzoi ndihmën, zbulohet arsyeja pse 55-vjeçari i vuri zjarrin shtëpisë në Maliq